Home / Arte / Muzike / Vlorë/ Grupi i Turqisë fiton Kupën e Festivalit Folklorik Ndërkombëtar “Aulona Folk”

Vlorë/ Grupi i Turqisë fiton Kupën e Festivalit Folklorik Ndërkombëtar “Aulona Folk”

Grupi nga Turqia “Inegol Kafkas Folklor” fitoi Kupën e Festivalit Folklorik Ndërkombëtar “Aulona Folk”, që u zhvillua gjatë 3 ditëve në qytetin e Vlorës, një aktivitet që organizohet nga Qendra Kulturore “Aulona”.

Grupi nga Turqia solli në skenën e Festivalit vlerat e folklorit autokton gjeorgjian. Kjo, për shkak se, ai përfaqëson komunitetin gjeorgjian që jeton në këtë vend prej vitit 1870.

Gjeorgjianët përbëjnë një nga komunitetet e shumta jo turke që jetojnë prej më shumë se 1 shekulli në Turqi. Ata ruajnë dhe kultivojnë zakonet dhe traditat e vendit nga kanë ardhur dhe pjesë e tyre, janë edhe grupet folklorike.

Në këtë kuadër, “Inegol Kafkas Folklor”, përfaqëson të gjitha traditat e mirëfillta gjeorgjiane. Ka marrë pjesë në festivale në vende të ndryshme, mes të cilave në Bullgari, Qipro, Maqedoni, Poloni, ndërkohë që në Shqipëri artistët e tij vijnë për herë të parë.

Grupi u përfaqësua në programin e vet me valle të cilat karakterizohen nga dinamizmi. Valltarët ndërrojnë, hyjnë në skenë e dalin dhe vallja shfaqet e pandërprerë, në një skenografi shpërthyese. Valltarët me dinamizmin dhe energjinë e tyre tërheqin dhe mbajnë pezull spektatorët, i detyrojnë ata të mos ndërpresin asnjëherë vështrimin, t’i ndjekin në vazhdimësi në skenë, të bëhen pjesë e atmosferës festive dhe tepër entuziaste.

Ansambli “Inegol Kafkas Folklor”, ka një histori aktiviteti 50 vjeçare dhe gjatë kësaj kohe ka qenë i pranishëm në skena të folklorit në shumë vende të Evropës.

Edicioni i 7-te i Festivalit Aulona Inter Folk, Vlore  Foto Harilla Koçi“Grupi me 35 artistë, pjesa më e madhe valltarë u përfaqësua në skenën e Festivalit “Aulona Inter Folk Festival”, me një repertor prej 7 vallesh.

Këto vlera të grupit foklorik nga Turqia e spikatën atë si ansamblin më të mirë në Edicionin e 7-të të “Aulona Inter Folk Festival”.

Në këtë aktivitet, që u zhvillua në skenën e madhe të ngritur në Sheshin “Pavarësia” në Skelë, u përfaqësuan 7 grupe që interpretuan gjatë tre netëve përpara publikut të shumtë artdashës të qytetit.

Ansambli “Dance Plus”, i Elbasanit, Ansambli “Detelina” i Sofjes (Bullgari), Ansambli “Mlodi Torun” i qytetit Torun (Poloni), Ansambli “Inegol Kafkas Folklor” nga Turqia, Ansambli “Citta di Ostuni” nga Italia, “Ilirida” nga Shkupi (Maqedoni) dhe Ansambli “Bajram Curri” nga Prishtina, ishin grupet protagoniste të këtij aktiviteti të rëndësishëm të folklorit në Shqipëri dhe më gjerë.

Artdashësit e shumtë vlonjatë, të pasionuar dhe dashamirës të folklorit, ndoqën interpretimin e këtyre grupeve që dallonin prej njëri-tjetrit nga kostumet, ngjyrat e tyre, nga koreografia, ritmika e lëvizjes dhe këngët, por që kishin të përbashkët muzikën, gjuhën e të gjithë popujve. Sepse muzika është një. Ajo shijohet dhe përjetohet njëlloj, si në gjuhën shqipe, po aq edhe në atë bullgare, polake, italiane, apo turke.

Skena e madhe e festivalit, përcolli larminë e folklorit nga treva dhe vende të ndryshme, nga Shqipëria e Mesme dhe Bullgaria e Polonia, Italia, Turqia e Maqedonia, nga Kosova. Atmosfera festive e mbrëmjeve në Sheshin “Pavarësia” u ndez nën ritmin e valltarëve dhe muzikën e këtyre grupeve.

Edicioni i 7-te i Festivalit Aulona Inter Folk, Vlore  Foto Harilla Koçi (3)Ndërkohë, emocione të veçanta përcolli edhe mjeshtri i valles tropojane Deli Metaliaj, në interpretimin e një dueti lirik, së bashku me mbesën e vet.

Ndërkohë, në datën 9 Maj që përkon edhe me ditën e çeljes zyrtare të sezonit turistik nga Bashkia e qytetit të Vlorës dhe Ditën e Evropës, grupet pjesëmarrëse u përfshinë në Paradën e Kostumeve, si edhe në koncertin në skenën e çeljes së sezonit turistik.

Në këtë edicion përshëndetën edhe këngëtarët e mirënjohur Enkelejda Arifi e Hysni Alushi, ndërkohë që gjithçka u moderua nga Silvana Braçe.

Gjatë ditëve të qëndrimit në Vlorë, artistët e grupeve pjesëmarrëse, zhvilluan edhe një tur turistik përgjatë bregdetit të Vlorës, për t’u njohur me vlerat e kësaj zone.

Drejtori i Përgjithshëm i Festivalit, Sejmen Gjokoli, thotë se, Edicioni i 7-të i “Aulona Inter Folk Festival”, shënon suksesin e radhës të këtij eventi, ndërkohë që shpreh besimin e patundur tek vijimësia e këtij aktiviteti.

“Festivali “Aulona Inter Folk Festival” është bërë tashmë pjesë dhe pronë e publikut vlonjat dhe më gjerë, është pjesë e përpjekjeve të suksesshme për ruajtjen dhe promovimin e traditave, prandaj dhe është detyrimi ynë që atë ta çojmë më tej në të ardhmen”, shprehet ai.

Edicioni i 7-te i Festivalit Aulona Inter Folk, Vlore  Foto Harilla Koçi (2)Gjokoli thekson se, mbi të gjitha “Aulona Inter Folk Festival” është ngjizja më e mirë e vlerave shpirtërore e kulturore, me resurset natyrore e turistike të Vlorës. “Prandaj dhe është detyrimi ynë që të mos ndalemi, por përkundrazi të shtojmë përpjekjet për ta dimensionuar Festivalin për ta ruajtur dhe zhvilluar atë, në standardet e deritanishme, si një aktivitet i standardeve evropiane, si një organizim dinjitoz dhe i vlerësuar si më i miri në trojet shqiptare”.

President Nderi i Festivalit, ishte Akademik Kristo Frashëri.
Në 7 edicionet e këtij aktiviteti, Kupa e Festivalit Folklorik Ndërkombëtar “Aulona Inter Folk Festival“ ka shkuar në Kroaci, Sllovaki, Kosovë, Tiranë ( Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore), Bullgari dhe Itali.

Festivali ka nisur rrugëtimin në muajin maj të vitit 2009, kur do të shënohej edhe Edicioni i Parë. Gjatë këtyre viteve, në këtë aktivitet të rëndësishëm të folklorit në shkallë vendi dhe më gjerë, kanë marrë pjesë 60 ansamble nga dymbëdhjetë vende të Evropës, me më shumë se 2200 artistë.

Për nga dimensionet, pjesëmarrjen dhe standardet menaxhuese, Festivali “Aulona International Folk Festival”, vlerësohet si aktiviteti më i madh ndërkombëtar i kësaj fushe në trojet shqiptare.

Krahas kësaj, ky aktivitet vlerësohet si unikal për shkak të lidhjeve dhe raporteve që krijon mes turizmit kulturor, me atë natyror, çka reflekton edhe me zhvillimin e tij në nisje, apo si pjesë e programit të çeljes së sezonit turistik në Vlorë.

Edicioni i 7-të i “Aulona International Folk Festival“ mbështetej nga donatorë të ndryshëm, ente private e publike, si një projekt kulturor e integrues. Mes tyre përfshihen Bashkia Vlorë, Agjencia e Mbrojtjes së Shqoërisë Civile, AMSHC, Instituti Italian i Kulturës, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë etj.

“Aulona International Folk Festival” vlerësohet si gërshetim i drejtpërdrejtë i turizmit kulturor me atë natyror dhe që prej vitit 2009, i ka dhënë sezonit turistik të Vlorës një dimension të ri sa kulturor ashtu edhe masiv e ndërkombëtar.

“Në këto edicione, për shkak të zhvillimit të këtij manifestimi folklorik ndërkombëtar, kanë patur rastin të jenë në qytetin e Vlorës rreth 2200 artistë popullorë nga vende të ndryshme të Evropës si, Sllovakia, Polonia, Kroacia, Italia, Greqia, Turqia, Mali i Zi, Bosnjë Hercegovina, Bullgaria, Maqedonia etj, pa përmendur këtu shqiptarët e Kosovës.

Organizatorët e kanë shndërruar tashmë festivalin në një traditë, si një aktivitet me karakter të drejtpërdrejtë burimor e tradicional, duke u udhëhequr nga parimet e CIOFF (Organizata Ndërkombëtare e Organizimit të Festivaleve Folklorike).

Leave a Reply

%d bloggers like this: