Home / Politika / Basha në Paskuqan: Të “grisim” hartën territoriale që ju penalizon
Kreu i PD-së prezanton Xhelal Mziun tek banorët e Paskuqanit

Basha në Paskuqan: Të “grisim” hartën territoriale që ju penalizon

“Vota e banorëve të Paskuqanit për koalicionin e djathtë do të jetë një votë kundër hartës së re territoriale, që largon Paskuqanin gjithnjë e më shumë nga shërbimet publike”.

Këtë tha sot, Kryetari Partisë Demokratike, Lulzim Basha duke kërkuar votën e banorëve të Paskuqanit, që tashmë janë pjesë e Bashkisë Kamëz, për kandidatin e koalicionit të djathtë, Xhelal Mziun.

Gjatë fjalës së tij, Basha nënvizoi se më 21 qershor, Paskuqani ka një mundësi të artë për të “grisur” hartën e re territoriale të hartuar sipas orekseve të dyshes Rama-Meta. “Kjo hartë e re territoriale largon Paskuqanin nga fokusi i shërbimeve qeveritare dhe e bashkangjit atë me Kamzën, prandaj dhe kandidati jonë (koalicionit të djathtë), Xhelal Mziu ka vendosur të ketë dy zyra, një në Kamëz dhe një në Paskuqan për të qenë sa më pranë banorëve të kësaj zone”, shtoi Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike premtoi se të zgjedhurit nga koalicioni i djathtë do të jenë në shërbim të qytetarëve me përulësi natë e ditë. “Paskuqani ka nevojë për punë dhe shërbime, prandaj dhe ju garantoj se të zgjedhurit tanë do të jenë me përulësi në punë. Ata do të angazhohen të dëgjojnë shqetësimet tuaja dhe të përpiqen në zgjidhjen e tyre, duke nisur nga harta territoriale, pasi vota për të djathtën do të jetë votë për grisjen e kësaj harte territoriale dhe ndërtimin e një harte të re, sipas nevojës suaj dhe jo të orekseve të dyshes Rama-Meta”, tha Basha.

Sipas tij, dyshja qeveritare në këto dy vite punë nuk ka mbajtur asnjë premtim, madje kanë shkuar deri atje sa kanë bërë të kundërtën. “Vota e 21 qershorit nuk do të jetë një votë për Bashkitë, por një votë për t’i thënë dyshes pushtetare boll më me mashtrime. Erdhën në pushtet dy vite më parë me premtimin e 300 mijë vendeve të punës. Nuk kanë hapur asnjë. Erdhën me premtimin se do të ketë shëndetësi falas. Shqiptarët ende paguajnë. Erdhën me premtimin e uljes së çmimit të energjisë. Jo vetëm që nuk e ulën çmimin, por e rritën atë edhe për personat që nuk kanë mundësi të paguajnë i vendosin edhe taksa të tjera. Kjo është dyshja Rama-Meta, e cila duhet ndëshkuar me votë njëherë e më parë”, tha Basha.

Më tej, Kryetari i Partisë Demokratike i la vendin qytetarëve të Paskuqanit të thonin fjalën e tyre, për të shprehur dhe shqetësimet për zonën ku jetojnë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: