Home / Parlamentare / Tryezë për Kodin e Sjelljes së deputetëve

Tryezë për Kodin e Sjelljes së deputetëve

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Florian Raunig kanë inicuar një tryezë pune për finalizimin e Kodit të Sjelljes së deputetëve.

Tryeza, që do të mblidhet pasditen e së martës në kryesinë e Kuvendit, do të diskutojë me organet drejtuese të Kuvendit dhe ekspertët ndërkombëtarë praktikat dhe standardet më të mira mbi draftin e kodit të sjelljes, i përgatitur nga grupi i punës i parlamentit në fillim të kësaj legjislature.

Ky draft është një nga detyrimet e Kuvendit në kuadër të përmbushjes së rekomandimeve të raundit të Katërt të vlerësimit të GRECO-s për Shqipërinë, në luftën kundër korrupsionit në radhët e deputetëve.

Kodi i Sjelljes së deputetëve të Kuvendit është një dokument me 15 nene, i propozuar nga një grup ligjvënësish dhe që synon të ndihmojë deputetët gjatë ushtrimit të detyrës.

Kodi përcakton një sërë rregullash lidhur me standardet e duhura të sjelljes gjatë ushtrimit të veprimtarisë së deputetëve, si dhe siguron transparencën dhe përgjegjësinë e nevojshme për të forcuar besimin e publikut.

Fusha e veprimit të këtij Kodi zbatohet për deputetët në të gjitha aspektet e jetës së tyre publike, ndërsa nuk rregullon aspektet e jetës private.

Leave a Reply

%d bloggers like this: