Home / Te ndryshme / VIP-at po e kërkojnë dashurinë përmes internetit

VIP-at po e kërkojnë dashurinë përmes internetit

Faqet e njohjeve romantike në internet po përditësohen me përdorues të rinj. Modestë dhe në kërkim të dashurisë së vërtetë, shumë persona të shoubizit u kanë hyrë njohjeve online

Hilary Duff së fundmi lajmëroi se ajo ishte futur në aplikacionin që lehtëson komunikimin mes të panjohurve, Tinder, sipas saj për të gjetur partner të përshtatshëm.

Këngëtarja e këngës së njohur Come Clean ka filluar të bisedojë me beqarë të tjerë. “Po flas me ndoshta nëntë djem aktualisht”, pranoi ajo gjatë një interviste radiofonike. Duff pohoi se profili i saj është disi bazik, pasi statusi i vetëm që ka publikuar është një thirrje për të ngrënë pica.

Por Hilary Duff nuk është e vetmja që po përdor një shërbim takimesh. Prezantuesi televiziv Andy Cohen është gjithashtu aktiv në Tinder, të cilin e ka quajtur një bar i ditëve tona për personat beqarë.

Aktorja e njohur Ricki Lake ka pranuar se ka përdorur shërbime online për takime. Këngëtarja Adele po ashtu është përdoruese e uebsajtit eHarmony.

Por ndërsa yjet e Hollivudit po bëhen gjithnjë e më të shumtë në numër në uebsajtet e njohjeve dhe mblesërive, Toni Bergquist, një themeluese e shërbimit të takimeve LLC, thotë se nuk do ta këshillonte kurrë një klient të njohur të takohej me një të huaj përmes shërbimeve si Tinder apo Match.com.

“Mendoj se personat e famshëm kanë mjaftueshëm probleme me privatësinë. Jeta e tyre romantike është mjaft e ekspozuar në kulturën tonë, ku njerëzit janë të fiksuar pas VIP-ave”, shpjegon ajo.

“Interesat e mundshme të dashurisë duhet të ujdisen përmes një shkesi ose një asistenti personal, pra nga dikush që VIP-i e njeh dhe i beson”, sugjeroi Bergquist.

Claire Wexler, që gjithashtu lidh çifte, bie dakord, duke shtuar se takimet online lënë hapur derën që personat e famshëm të njihen me interesaxhinj të famës dhe parave.

Patti Stanger, nga emisioni televiziv Millionaire Matchmaker, megjithatë thotë se personat e famshëm mund t’i përdorin takimet online për sa kohë hyjnë të përgatitur.

Sipas prezantueses së njohur, edhe ajo vetë e ka provuar takimin nëpërmjet internetit kur nuk kishte kohë të lirë. “Njohja online të shtjetërson disi. Harron se si është të jesh njeri i zakonshëm përsëri”, tha ajo.

Yjet që mendojnë se profilet e tyre mund të tërheqin kandidatët e gabuar, nuk kanë përse shqetësohen. Por kjo qetësi ndodh përpara se dikush ta shpallë, si Duff, se po përdor një shërbim të caktuar.

“I dashuri im nuk e dinte se kush isha unë deri në takimin e tretë kur ia shpjegoi e bija”, tregon prezantuesja Patti Stanger, e cila merret me njohjen e personave të famshëm dhe të pasur mes tyre. Sipas saj, është e lehtë të dallohet kur dikush të do për atë që je ose për t’u dukur më mirë vetë.

Të famshëm dhe online

Aktorja Halle Berry pranoi se ka përdorur disa rrjete takimesh online për të kuptuar më mirë se për çfarë bëhet fjalë.

Komediani Eric Stonestreet ka pranuar se ka dalë me disa vajza të cilat i ka njohur nëTinder.

Edhe modelja e njohur Jenny McCarthy është shprehur se ka hyrë në uebsajte takimesh për të njohur partnerë të mundshëm pa i paragjykuar ata për pamjen e tyre të jashtme.

Muzika dhe takimet online duket se janë të preferuarat e Lily Allen, këngëtarja e famshme me miliona dëgjues dhe shitje të këngëve të saj.

Nuk keni për ta besuar, por edhe diva amerikane, Joan Rivers, ka qenë dikur pjesë e botës së dashurisë online, të cilën ajo e ka pranuar më herët.

Teksa njohjet online vazhdojnë të jenë të përhapura, ka më shumë gjasa që gjithnjë e më tepër VIP-a të bëhen pjesë e tyre.

Është e vetmja mënyrë për të njohur njerëz në një shoqëri të dhënë pas fjalës së shkruar. Ne jetojmë në një botë të shpejtë, ku fjala më e përhapur është “nuk kam kohë”. Personat e famshëm që punojnë 15 orë në një set xhirimi dhe që i mbushin ditët me intervista, trajnerë personalë, pozime për foto, nuk janë më të ndryshëm nga ne.

Rëndësi ka fakti që ka shumë njerëz që janë të dhënë pas njohjeve në internet dhe se siguria për këtë kategori përdoruesish po rritet, ndërsa ne po mësojmë ta përdorim më mirë internetin.

Leave a Reply

Your email address will not be published.