Home / Politika / Presidenti Nishani, mesazh për 21 Qershorin: Vota, instrumenti më i fuqishëm

Presidenti Nishani, mesazh për 21 Qershorin: Vota, instrumenti më i fuqishëm

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka shprehur këtë të hënë mesazhin e tij për zgjedhjet lokale të 21 Qershorit, duke theksuar, ndër të tjera, rëndësinë e votës si “instrumenti më i fuqishëm që kanë qytetarët”.

“Të dashur bashkëqytetarë!

Ka nisur tashmë fushata zgjedhore për të votuar drejtuesit vendorë. Votimi përbën një akt sublim, nga aktet më të rëndësishme njerëzore të shprehjes së vullnetit të lirë në një vend demokratik, kur qytetarët shprehin preferencat për ata prej të cilëve do të qeverisen në katër vitet e ardhshme me bindje dhe shpresë se të zgjedhurit prej tyre do mbajnë premtimet dhe do ta bëjnë punën siç duhet.

Ju ftoj me këtë rast, që këtij momenti sa të rëndësishëm aq edhe delikat, t’i japim rëndësinë që meriton! Vota është mjeti më i efektshëm, instrumenti më i fuqishëm në dorën e qytetarëve për ndreqjen e gabimeve, shërimin e plagëve, sigurimin e paqes sociale si dhe përmirësimin e gjithçkaje tjetër që ka të bëjë me të tashmen dhe të ardhmen e individit dhe të vendit në përgjithësi.

Vota, votimi, u kujton njerëzve se nuk janë shumë të ndryshëm, nuk janë shumë larg nga njëri-tjetri, se fatet e individëve janë të ndërlidhura, se me vullnet pozitiv të përbashkët mund të ndreqen shumë gjëra, mund të përmirësohet jeta, përditshmëria, si dhe mund të gjallërohet dhe shtohet shpresa.

Duke votuar në mënyrë të gabuar, ose duke mos votuar, jemi të pambrojtur, të pasigurt e të paorientuar. Vetëm duke i dhënë rëndësinë e duhur votës mund t’i merrni në dorë fatet tuaja.

Demokraci do të thotë të kesh dhe të respektosh një numër të drejtash themelore të individit në marrëdhënie me bashkësinë. Një nga këto të drejta themelore është e drejta e votës. E drejta e votës që e arritëm me aq mund e sakrifica është një Liri e paçmuar. Lirinë e votës nuk mjafton vetëm ta keni. Duhet edhe të dini ta përdorni.

Përdoreni mirë Lirinë e të votuarit. Nëse lirinë e votës e përdorni si duhet, mund të jetoni të qetë në intervalin mes dy votimeve. Nëse e përdorni keq, shpërdorimin e asaj lirie do ta vuani me pasoja, madje edhe dramatike. Respektojeni dhe votojeni kandidatin që t’ju respektojë ju dhe veten e tij, që brengoset, që sakrifikon, pse jo, edhe vuan, më tepër për ju se për veten.

Mos e shisni votën! Vota nuk ka çmim. Shitja e votës është turpi dhe tmerri më i papërfytyrueshëm që na njollos të gjithëve njëlloj. Kandidati që jua blen votën, nuk ju respekton, vetëm ju gënjen, vetëm ju përbuz, vetëm ju urren. Fenomeni i shëmtuar dhe i padenjë i shitblerjes së votës ka ndodhur në disa nga zgjedhjet e kaluara.

Është e mundur të ankoheni për atë që keni zgjedhur normalisht, por që nuk e ka përligjur atë besim të dhënë. Por të korrektoni sadopak dikë, të cilit votën ia keni shitur, është e pamundur.

Vota nuk merret në këmbim të asnjë favori. Vota vetëm meritohet. Denoncojini përpjekjet për blerjen e votës! Mos u bëni viktima të kësaj dukurie katastrofike, të këtij gabimi fatal, pasojat shkatërrimtare të të cilit vuhen gjatë.

Mbarësia e zgjedhjeve përcakton gjithçka që ka të bëjë me fatet tuaja në marrëdhënie me shtetin. Mos lejoni, mos rrezikoni, që dita e zgjedhjeve të bëhet ditë pazari votash! Le të jetë dita e votimit siç i ka hije një vendi ku demokracia funksionon: një ditë feste. Zgjidhni kandidatë me vizion, bindje, vendosmëri, energji, pasion, frymëzim, kandidatë që e kanë dëshmuar se votën tuaj e meritojnë.

U uroj një fushatë të mbarë dhe korrekte të gjithë kandidatëve në garë dhe stafeve të tyre zgjedhore!

Leave a Reply

Your email address will not be published.