Te ndryshme

ROBESPIER – A ishte një vrasës në emër të drejtësisë?

Maksimilian Robespier personifikon si askush tjetër terrorin dhe karakterin e Revolucionit francez. Një historiane angleze ka shkruar se Robespieri nuk ishte “diktatori i epokës së tmerreve”. Ai ishte më shumë medium i tyre. E vrasja e tij u erdhi për shtat të gjithëve: si armiqve të tij, ashtu dhe shokëve të tij të idealit

Revolucionet vijnë si një shpërthim vullkanesh nga thellësia. Çfarë i pengon në rrugën e tyre, ato i marrin përpara me dhunë e i shkatërrojnë. E më pas asgjë nuk është më siç ishte më parë. Vetëm një gjë është e sigurt: në një kohë të caktuar, vjen momenti kur ato kanë uri gjakatare për vetë “bijtë e revolucionit”.

Në Paris, në të këndshmen “Bibliothèque Nationale”, që dikur ka qenë “Bibliothèque Royale” edhe sot e kësaj dite shfaqet aty skrivania e paçmueshme me inventarin mbretëror, ku paraqitet Maksimilian de Robespier, i ashtuquajtur “home revolté” (njeriu i revoltuar) që e mbylli jetën me shumë vuajtje.

Ai do të kishte mbajtur të 900 fjalimet, shumica prej të cilëve ishin një miksturë fshikulluese pamfletesh politike dhe thirrjesh për pastrim moral nëpërmjet gijotinës, që ai ishte kujdesur aq shumë ta cilësonte si “drapri i drejtësisë”. Sa njerëz kishte pasur ndër mend ai t’i nënshtroheshin këtij drapri?

Sidoqoftë, ai ishte, më shumë se çdokush para tij në kohët e vjetra, i pari mesazher apo lajmëtar i kobshëm i regjimeve totalitare, dhe në të njëjtën kohë edhe përmbaruesi i tyre më fanatik. Ruso e kishte mësuar atë, se njeriu është i mirë që nga lindja, porse nis e degjeneron karakterin, për shkak të shoqërisë, pasurisë e rangut të pabarabartë.

Pastërti e drejtësi pa ekuivokë e me çdo kusht ishte dhe synimi, dhe kush nuk i përgjigjej kësaj sinteze, prejardhje apo qëndrimi, i nënshtrohej dënimit me vdekje. Napoleoni, njeriu i pushtetit, i përbuzi të tilla “ideologji” dhe thoshte për motivet e tyre se: “Pastërtia e liria ishin vetëm pretekst”.

Në fund të qerthullit të dhunës së Revolucionit, diskutohej vetëm një pikë në dy kahje tashmë: kush-cilin? U takonte tribunave të gjakosura popullore të të “pakorruptuarve”, dhe atyre që e vranë atë, të kishin të vetmen zgjidhje: profetëve t’u vrisnin pastërtinë e frytshme, ose të shkonin dhe vetë në gijotinë. Ata të cilët pak më parë i kishin shërbyer së bashku me viktimat, shërbëtorëve të tyre.

Historia nis me ne 

Termidori i nëntë i vitit të tretë, sipas kalendarit revolucionar (1794) hapi një kapitull të ri. Filloi pushtetin e diktaturës gjysmërevolucionare-borgjeze. Ai e gjeti përmbushjen e tij në praktikë në puçin shtetëror bonapartist të vitit 1799 dhe vendosjes së diktaturës popullore.

Kjo, gjithsesi, ngre pyetjen, se deri në ç’masë avokati nga provinca veriore franceze, Arras, ishte shtytës, e deri në ç’masë, i shtyrë. Të mbijetuarit dhe bashkëpunëtorët e teatrit gjakatar pas kryerjes së aktit, bënë çfarë mundën për ta fajësuar e për ta demonizuar atë si “e keqja më e madhe”, e duke e cilësuar veten thjesht si “pasues të tij”, e si “e keqja më e vogël”.

Të ishe vrasës i mbretit, “regicide”, në asnjërin prej regjimeve pasardhëse nuk ishte e rekomandueshme. Sa më me tmerr që Robespieri i shtynte instinktet vrastare ndaj “Ancien Régime” (regjimit të vjetër), aq më i vogël do të ishte dhe roli i tyre në rrjedhën e historisë, aq më të shfrenuar do t’i shijonin ata gradat e nderet e reja dhe do të vdisnin me “zemra të mbushura” në shtrat.

Shqetësimi i revolucionit nuk ndodhi vetëm nëpërmjet mënjanimit të aktorëve të tyre kryesorë, por edhe nëpërmjet të ashtuquajturit “Code Napoleon”, që mbështeti shitblerjen e tokave e pronave, dhe që nëpërmjet shkrimit të historisë, e pikturoi Robespierin si kryedjalli më i madh – dhe me këtë i la rrugë të lirë, të themi “djajve më të vegjël”.

Thuhej se duhej shpëtuar “një pranverë njerëzore” e luftuar kundër gjakpirësve të idesë së “terrorit” dhe mitit të Revolucionit – edhe nëse do të kishte ca njolla gjaku: “La mère de nous tous”, siç theksonte edhe komunisti Alfred Soboul në një nga momentet e tij më të paqme: Nëna e të gjithë neve.

Robesperi ishte ilaçi?

Pikëpyetja e dytë është se: A ishte Robespieri ilaçi i duhur, ndërsa u priste kokat njerëzve me gjakftohtësi, apo kur i mbyti madje disa si rasti i Lionit, apo në Vendée, kur i theri me thika e bajoneta e qëlloi për vdekje, ndërsa vetë mbartte një maskë pafajësie dhe përdorte fraza lirie e barazie njerëzore për burrin e gruan, fëmijët e pleqtë?

Apo mos ishte ai vetëm një pjesë e një krimi kolektiv, siç ndodh në ditë të turbullta, ku nuk merret vesh dot fituesi nga humbësi, kur kemi një rishpërndarje totale të pronës e pushtetit, që përfshinte në vetvete, makinën më të madhe njeringrënëse, ku kishin hise të gjithë; kush më shumë e kush më pak e që atëherë u përkisnin familjeve më të mëdha të Francës?

Një gjë është më se e qartë: idetë njerëzore të mëdha, që përcillnin në fazën e tyre të parë të “Revolucionit të bukur” aq shumë dinamikë, shpresë dhe mbështetje, shumë shpejt u shndërruan në një copëz vello fare të vockël. Revolucioni shumë shpejt do të vinte era gjak e viktima të pafajshme, ethe për të pasur e për të zaptuar sa më shumë prona, pasuri dhe mani për shkatërrim radikal.

Kufomat e mbretërve fisnikë u nxorën nga varret e Sen Denisit e u bënë cope-copë. Statujat e “Notre Dame” u hodhën në tokë e u shkelën me këmbë. Magjia e mbretërisë, asokohe e mbushur me ar e flori dhe e ngjyrosur me ngjyrë rozë, e përjetësuar në legjenda e rituale, u shndërrua papritur në një sistem, si në një meshë të zezë djallëzore.

Liria ishte Zoti dhe Robespieri ishte profeti i saj – por jo ai i vetëm.

Kështu mund të merret me mend lehtësisht ajo çfarë një historiane angleze, Ruth Scurr, ka shkruar e menduar për njeriun e “Fatal Purity”, “Përmbaruesin e pastërtisë frytdhënëse”. Teza e saj:

Robespieri nuk ishte “diktatori i kohës së tmerreve”. Ai ishte më shumë medium i tyre. E vrasja e tij u erdhi për shtat të gjithëve: armiqve të tij, atyre të cilëve vdekja e tij ua çeli rrugën, dhe shokëve të tij, që u munduan t’ia ngjishnin atij të gjitha fajet.

Njeriu nga Arrasi donte pastërti ideale për të gjithë, dhe jo pasuri materiale për vete. E qysh prej asokohe, emri i tij tashmë u kthye në një mit të “të pakorruptuarit”, në mitin e rojës së palodhur të revolucionit, që i mbetet vetëm një shtrat – nga Napoleoni deri te Hitleri, lidheshin me pikëpamjet e tij – dhe autoriteti, me të cilin ai me një të lëvizur të gishtit vendoste mes vdekjes e jetës. Ai duhet të ketë qenë njeri i mirë, në fakt, ashtu sikurse siguronin asokohe ndjekësit e tij.

Bashkëkohës i Gëtes, Kantit e Uashingtonit

I lindur në 1758, ai ishte, na duhet të kujtojmë, jo vetëm bashkëkohës vrastar i Luigjit XVI, të mbushur me dëshirë të mirë, të kimistit Lavoisier, të gjeneralit Bonaparte, por edhe i Mozartit, Gëtes, Kantit, Uashingtonit e Xhefersonit. I ati i tij ishte një aristokrat i rangjeve të larta i varfëruar, Francois de Robespierre. E ëma e la herët, e i ati madje e braktisi. Djali më i madh në familje u rrit nga të afërmit.

Dukej keq me shëndet, kishte një zë të hollë, por ia doli mbanë të fitonte një bursë për në gjimnazin “Louis Le Grand” në Paris, dhe studioi më pas për drejtësi. Mendimet për dhimbjet e vdekjes e tërhoqën atë, fillimisht në aspektin filozofik, e më pas si “mjete

të terrorit”. Që ai të shndërrohej në një hakmarrës të të shpronësuarve, kishte shumë pak të bënte me prejardhjen e tij, e shumë më shumë me instinktin, se mbi cilin qëndrim pushteti duhej të mbështetej, një pushtet që sa më shumë i pakufizuar të ishte, aq më pak do të kishte të bënte me shtetin e vjetër.

Alexis de Tocqueville, ka përshkruar në – “Shteti i vjetër dhe Revolucioni” – se sa bukur “Monarkia e mëshirës së Zotit” ka përpunuar e gatuar barazinë, në të cilën kurora ka marrë me vete të gjitha të drejtat historike dhe se si është pavarësuar prej tyre.

Përtej kësaj, vjen edhe autokritika neurotike e reformatorëve, që në vitet e fundit të monarkisë u ngjishte revolucionarëve argumentet më të forta, sipas së cilës, patosi i lumturisë njerëzore lidhej ngushtë me mohimin radikal të traditës, dhe se iluministët burokratë, nuk

kuptonin asgjë nga fuqitë e skëterrës, për zëvendësimin e provincave të vjetra nëpërmjet departamenteve të reja, një përllogaritje e re e kohës sipas sistemit të dekadave, një kalendar i ri ky që lindi nga “viti i parë i lirisë” – pra pas ekzekutimit të mbretit.

“Dua vetëm të ndihmoj të vuajturit”

Deri në vitin 1789, çdo gjë – sipas kësaj logjike – vlerësohej si parahistori në jetën e avokatit të devotshëm e të talentuar. Kohët ishin të këqija: uri dhe krizë, shteti qysh prej financimit të luftërave amerikane ishte mbingarkuar me borxhe, tregjet po shkatërroheshin e çmimi i bukës po rritej pa ndalim, kudo vihej re mungesa e punës. Kjo ishte koha për “mesian revolucionar”: “unë dua

vetëm t’u vij në ndihmë të vuajturve”, i thoshte ai motrës së vet.

Aty kishte medoemos një shtytje socialo-religjioze. Robespieri ishte ai që zërin e tij ua ngjishte masave dhe që jehonën e atij zëri e ktheu në aksion praktik. Dëshira e popullit kishte nevojë për një interpretues dhe për një përmbarues: ajo ishte thirrja e një të riu nga provinca, të uritur dhe nga pikëpamja sociale, pa atdhe.

Jeta private? – Britanikja Scurr nuk ka gjetur shumë në këtë aspekt, dhe ndoshta ajo ka pasur të drejtë, sepse pak na është dëshmuar rreth saj, madje aspak. Nuk shkonte me rolin e udhëheqësit të popullit, as atëherë e as më vonë. Robespieri ka vdekur sigurisht prej kohësh, dhe shumë “lot të majtë” janë derdhur për të qysh nga ajo kohë. Por

Revolucioni frëng ende nuk ka përfunduar, dhe kjo u lë të hapur atyre që vijuan e vijojnë të jetojnë më vonë, pyetjen e përjetshme, se çfarë është e shkuara dhe çfarë është historia.

Diku mes viteve 1789 e 1794 nisi e tashmja, shumë larg Francës; në Amerikë, Gjermani, Rusi apo Kinë. Historia pyet për të tashmen. Ajo është dialogu pëshpëritës i të gjallëve me të vdekurit, si Odiseu në botën e nëndheshme – ku bëhet më shumë fjalë për hijet e së shkuarës,

sesa për format dhe formësimet e së ardhmes. Ajo çka ndodhi në Paris, u bë dhe trauma e lindjes së kohëve moderne. Pasi ndikimi i revolucionit shkon aq larg, saqë mbetet i diskutueshëm.

Përgatiti: Armand Plaka

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button