Home / Zgjedhjet lokale 2015 / Elbasan/ Sejdini premton investime për kopshtet dhe çerdhet

Elbasan/ Sejdini premton investime për kopshtet dhe çerdhet

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, uroi sot fëmijët me rastin e 1 Qershorit nga kopshti nr.9 në qytet.

Sejdini vlerësoi punën e madhe që edukatoret bëjnë për rritjen dhe edukimin e brezit të ri, të cilët dhuruan për të pranishmit një koncert të mrekullueshëm. Duke paraqitur punën që Bashkia Elbasan do të bëjë në të ardhmen për krijimin e kushteve më të mira për fëmijët e kopshteve, Sejdini shtoi se “Bashkia e Elbasanit është treguar mjaft e kujdesshme ndaj kopshtit nr. 9, i cili ka një sistem ngrohjeje me panele diellore dhe ambiente mjaft të mira”.

“Një i tillë sistem ngrohjeje do të shtrihet në të gjitha kopshtet e qytetit të Elbasanit. Brenda një viti, ne do të plotësojmë një nga kërkesat tuaja të vazhdueshme për ndërtimin e një palestre. Brenda vitit kopshti nr.9 do të ketë edhe palestrën e tij”, tha Sejdini.

Përpara fëmijëve, edukatorëve dhe prindërve të tyre, Sejdini gjithashtu premtoi se në qytetin e Elbasanit do të ndërtohen edhe 4 kopshte të reja dhe 12 të tjerë në çdo qendër komune që do t’i bashkohet Bashkisë së madhe të Elbasanit.

“Shumë shpejt këmba e fëmijëve nuk do të shkelë më në baltë dhe rrugë me gropa sepse investime të mëdha na presin. Sa më të bukur ta bëjmë qytetin dhe sa më shumë të punojmë aq më të shëndetshëm dhe të lumtur do rriten fëmijët tanë. Gëzuar festën të dashur fëmijë! Gëzuar 1 Qershorin!”, përfundoi Sejdini.

Leave a Reply

Your email address will not be published.