Home / Arte / Teater / Kame: Jemi të rrethuar nga hipokritë

Kame: Jemi të rrethuar nga hipokritë

Tartufi/ Regjisori tregon “aventurën” e Tartufit për t’u ngjitur në skenën e Teatrit Kombëtar, si një vepër që i flet aktualitetit të sotëm

Elmira, më kot përpiqet t’i mbushë mendjen të shoqit se Tartufi po përpiqet ta joshë. Fjalët e gruas me të cilën ndan jetën, nuk mund t’ia ndryshojë mendimin Orgonit, se Tartufi është një njeri i mrekullueshëm, derisa ajo me intuitën e një gruaje që do të shpëtojë familjen në rrezik, i ngre atij një kurth. I fshehur nën një pemë (skenografia ishte konceptuar në formën e një parku ku nuk mungonin pemët dhe stolat, si qytetin imagjinar që Molieri kishte në mendje kur krijoi këtë vepër) Orgoni njihet me pabesinë e mikut të tij të zemrës, për të cilin kishte dhënë gjithçka, edhe pasurinë. Një komedi për hipokrizinë, por dhe rolin që ka shteti për të vënë në vend drejtësinë, pasi vepra mbyllet me vendimin e Mbretit. “Tartufi” një nga veprat më të përfolura këtë sezon, u ngjit në skenë këtë fundjavë në skenën e Teatrit Kombëtar. Nën regjinë e Erion Kames, kjo vepër pati dhe befasi për interpretimin e aktorëve, siç ishte ai i Ligoraq Rizës, i cili u shndërrua i tëri nën lëkurën e Orgonit. I ndjerë ishte dhe rikthimi në skenë i Justina Aliajt, në rolin e zonjës Pernelë, apo sharmi që nuk i mungon asnjëherë Rajmonda Bulkut. Olta Daku tregoi se është një aktore që di ta zotërojë skenën, pavarësisht rolit që ka. Më poshtë, regjisori Kame sjell një rrëfim për “Tartufin” jo thjesht si një vepër teatrore, por dhe si një vepër me mesazhe për shoqërinë sot.

Një nga shprehjet e Molierit është: “Nuk jemi përgjegjës vetëm për atë që bëjmë, por edhe për atë që nuk e bëjmë….”?

Shumë e drejtë. Molieri, në këtë rast e ka pasur fjalën për neglizhencën njerëzore, e cila është po aq e keqe sa veprimet jo të mira që mund të kryejmë. Është një nga komedianët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Personazhet e tij janë personifikime të veseve dhe problemeve njerëzore. Po ashtu, edhe shprehjet e tij janë aforizma që do t’u rezistojnë kohërave, ashtu si dhe personazhet e tij.

Pse zgjodhët “Tartufin”, për ta ngjitur në skenë?

Kjo është vepra ime e parë në Teatrin Kombëtar. Një institucion me një gravitet të jashtëzakonshëm. Rrjedhimisht kërkonte një vepër me një peshë specifike të madhe. Dhe “Tartufi” është i tillë. Përgjegjësia do të mbetej e gjitha mbi mua. Duke parë edhe aktualitetin që kjo vepër mbart, intrigimin që kam pasur gjithmonë mbi të, vendosa t’i hyj kësaj sfide. Pra, të gjitha këto u arsye u ndërthurën dhe gjithçka shkoi mirë në fund. Jam krenar që sjell një vepër të Molierit dhe e ndiej veten të nderuar që kjo vepër vjen nga një skenë me një histori triumfi. E sidomos duke pasur parasysh që u përmbyll një sezon, e them pa drojë, më i suksesshmi në shumë e shumë vite.

A vjen vepra si një provokim ndaj debateve që janë sot mbi fenë, religjioni ka qenë i ashpër ndaj vënieve të para skenike të Molierit…Në fakt, ju si e keni konceptuar në kontekstin e sotëm?

Vepra, nuk ka lidhje fare me fenë. Tartufi është një mashtrues, i lidhur me religjionin, vetëm kaq, ashtu siç mund të ishte me politikën, median, apo çdo lloj pushteti. Pra, është një vepër e pastër mbi hipokrizinë. Të gjithë e dinë që Tartufi është personifikimi i hipokrizisë. Dhe ajo që kam dashur të theksoj më tepër është ligësia që sjell hipokrizia. Nuk është hera e parë që e trajtoj këtë temë. Them që është nga më të rëndat në shoqërinë tonë. Jemi të rrethuar nga hipokritët nga mëngjesi në darkë. Dhe ky është thelbi. Është një thirrje për maturi, për të qenë të moderuar. Sigurisht që ka lidhje me realitetin, por jo lidhje me fenë.

Le të themi që ju ka shoqëruar një aventurë me këtë vepër, pas tërheqjes së Robert Ndrenikës… Si janë kompozuar aktorët… dhe a do t’i mungojë Ndrenika këtij Tartufi?

Ajo që ndodhi ishte njerëzore. Të them të drejtën, të gjithë, janë shqetësuar më shumë për shëndetin e Ndrenikës, sesa për shtyrjen e shfaqjes. Kjo ishte dytësore. Madje edhe Teatri Kombëtar tërhoqi nga repertori një shfaqje të këtij sezoni. Dhe kjo nuk ishte pak. Por, siç thashë, ishte dytësore përpara shëndetit të aktorit tonë të madh. Për sa i përket rikompozimit, them që kam bërë zgjedhjet e duhura. Shpresojmë shumë që Ndrenika të rikthehet në tetor. Por gjithçka varet nga dëshira dhe mundësitë e tij. Ne i urojmë rikthim sa më të shpejtë këtij gjiganti të skenës. Falënderoj shumë Robert Ndrenikën e Viktor Zhustin, Tartufin e munguar, për ato kohë të bukura që kaluam.

 Një vepër për hipokrizinë, sa e shëndosh spektatorin?

Siç thashë edhe më parë, është një thirrje për moderim. Jemi të rrethuar nga hipokritët. Ata nuk do të zhduken, nuk do të heqin kurrë dorë nga marifetet e tyre. Jemi ne të cilët duhet të gjejmë të mesmen e artë, mes pasionit dhe arsyes. As njëra nga këto të dyja nuk mund të jetojë e vetme pa tjetrën. Vetëm kjo është prognoza e duhur kundër hipokritëve. Duket e thjeshtë, por nuk është. Hipokritët dhe të moderuarit, do të jenë gjithnjë në luftë me njëri-tjetrin.

Erion, ju shkruani komedi dhe zgjidhni të vini në skenë pjesë të vështira dramatike… Si jeni mes këtyre dy zgjedhjeve…?

Unë nuk jam mirëfilli dramaturg. Ndonëse kam pasur mjaft sukses me një pjesën time tre vite përpara. Por, ama jam regjisor. Dhe këtu e kam edhe sigurinë më të madhe. Dhe siç thashë edhe më parë, Teatri Kombëtar nuk të fal kollaj. Ka hijen më të rëndë nga të gjitha skenat e Shqipërisë. Nuk mund të gaboja, ndonëse jam pjesë e tij. Do të ishte e pafalshme. Mendoj se kam bërë atë që di të bëj më mirë. Të flas me publikun me elementë regjisorialë të kursyer, të kuptueshëm, por që flasin për atë që dua të them. Të gjej një harmoni mes veprës, skenografisë, kostumeve, aktorëve dhe të gjithë elementeve që bëjnë një shfaqje teatri. Gjej rastin të falënderoj krijuesit e kësaj shfaqje, Kristo Calën me skenografinë e tij elegante, Noset Shijakun për koloritin, deri në detaj, që i solli skenës. Aktorët Ligoraq Riza, një potencial i jashtëzakonshëm për skenat shqiptare. Laert Vasilin, i cili solli një frymë tjetër artistike në trupë. Rajmonda Bulkun për hijeshinë dhe madhështinë që i jep skenës. Olta Dakun që është një “tërmet” në skenë. Justina Alian që, me rikthimin e saj, u bë pjesë e Tartufit. Lulzim Zeqjan, aktor brilant i komedisë, Genti Deçkën, një aktor perëndimor, Niada Saliasin e Dasara Xhangollin që sollën një freski në skenë. Vasian Lame, Medi Malka e Vangjel Toce që me eksperiencën e tyre zotëruan skenën. Po ashtu, të gjithë figurantët, “Tartufët”. E të gjithë komponentët që ndihmuan për realizimin e kësaj shfaqjeje. E mbi të gjitha, Hervin Çulin, drejtorin e Teatrit Kombëtar, i cili besoi te ky projekt. U përulem të gjithëve.

Leave a Reply

%d bloggers like this: