Home / Intervista / Dëshmia e Edi Ramës për komplotin: Tom Doshi më kërkoi të heq Llallën, nuk pranova

Dëshmia e Edi Ramës për komplotin: Tom Doshi më kërkoi të heq Llallën, nuk pranova

Procesverbali.

Zbardhet rrëfimi i Kryeministrit më 6 mars 2015 në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, bisedat me Dom Doshin, Ilir Metën dhe Saimir Tahirin 

Zbardhet dëshmia e Kryeministrit Edi Rama në prokurori për komplotin ndaj Tom Doshit. Më 6 mars 2015, Rama u paraqit para prokurorëve Adnan Xholi dhe Blerim Tominaj, që mbajtën një procesverbal për marrjen e të dhënave që tregojnë rrethanat e veprës penale. Fillimisht, Kryeministri është paralajmëruar për përgjegjësinë penale për deklarim të rremë dhe më pas u pyet për komplotin. Kreu i ekzekutivit ka treguar se Doshi i ka kërkuar të shkarkojnë në Parlament kryeprokurorin, ndërsa ka dëshmuar edhe për takimet e bisedat me Ilir Metën dhe Saimir Tahirin. Dëshmia u publikua dje në portalin syri.net.

Jeni thirrur sot për të dhënë shpjegime në lidhje me procedimin penal regjistruar kryesisht pranë zyrës sonë për vrasje të funksionarëve publikë, referuar deklarimeve të dhëna nga ana e shtetasit Tom Doshi para mediave audiovizive dhe në rrjete sociale në datë 2 mars 2015. A mund të na jepni shpjegime rreth deklaratave të bëra prej tij në media dhe rrjete sociale ku përmendet dhe emri juaj, i cili pretendon se ju ka informuar për këtë ngjarje?

Në lidhje me çështjen, dua të them se jam vënë në dijeni për të në periudhën e fundmuajit gusht dhe fillimmuajit shtator të vitit 2014. Kam qenë në Durrës, në rezidencën qeveritare, ku deputeti Tom Doshi i shqetësuar më ka thënë se donin ta vrisnin dhe se ishte një komplot i organizuar nga disa njerëz që u mblidhnin te një lokal në Bllok dhe më ka përmendur një person të quajtur Toni. Gjithashtu me përmendi Agron Kuliçajn, Eugen Beçin dhe Agim Ramën. Tom Doshi më tha se këta persona mblidheshin bashkë te ky lokal dhe se vrasjen do ia bënin me eksploziv. Toma më tha se personi që do të bënte vrasjen kishte shkuar dhe ia kishte thënë vetë Tomës. Unë e pyeta “përse erdhi ta tha ty”, dhe ai u përgjigj “sepse në momentin që duhej të aktivizonte eksplozivin, vrasësit të penduar i erdhi keq, pasi kishte dëgjuar shumë për mua dhe mendoi se përse duhej t’ia bënte këtë gjë këtij njeriu”. Unë e pyeta “po kur ka ndodhur kjo gjë” dhe ai më tha se “unë kisha kohë që dëgjoja se po gatuhej diçka kundër meje derisa ky më erdhi vetë”. E pyeta se kush ia kishte thënë për herë të parë që po gatuhej kjo gjë dhe Toma m’u përgjigj se i kishte thënë Mark Frroku. Toma gjithashtu më tha se kishte bërë investigimin e vet, pasi ia kishte thënë Mark Frroku këtë gjë. Unë i kam thënë Tomës se duhet të fliste me Prokurorin e Përgjithshëm dhe ai më tha se kishte folur me prokurorin, por edhe Prokurori i Përgjithshëm është pjesë e kësaj loje. Toma më tregoi një histori me një ngjarje ku kishte ndodhur një plagosje dhe si rezultat i kësaj ngjarjeje, nga personat e përfshirë, përkatësisht nga Eugen Beçi, ishte dekonspiruar biseda e Tomës me Prokurorin e Përgjithshëm, pasi, sipas Tomës, Prokurori i Përgjithshëm i kishte dërguar fjalë Eugenit që të bënin kujdes, pasi Toma e kishte marrë vesh që donin t’i bënin diçka. Prandaj më tha se kjo punë duhet të fillojë nga Prokurori i Përgjithshëm. E pyeta se ç’deshte të thoshte dhe ai më tha “ta plasim dhe ta heqim Prokurorin e Përgjithshëm në Parlament”. Te kjo fjali e Tomës i thashë “të lutem mos të shkojmë në këtë vijë, pasi nuk mund të nisem unë nga një ordiner që të thotë ty se paska marrë lek për të të vrarë dhe të filloj luftën me Prokurorin e Përgjithshëm”. Ndërkohë u shqetësova nga ky fakt, sepse natyrshëm personat që përmendeshin të çonin logjikisht te prapavija politike e Sali Berishës. I thashë Tomës të thërrisnim ministrin e Brendshëm, por ai më tha se nuk kishte besim tek ai. I thashë që nuk dija rrugë tjetër për të trajtuar këtë gjë pa ministrin e Brendshëm. Kam telefonuar ministrin dhe i kam thënë që dëgjova një histori të çuditshme nga Toma dhe ministri më tha se “duhet të ishin nga ato muhabetet e Tomës”. Më pas, të nesërmen, kam takuar Prokurorin e Përgjithshëm në zyrën time dhe ia kam treguar gjithë çfarë më tha Toma. Prokurori i Përgjithshëm buzëqeshi dhe tha se ishte një absurditet. Prokurori më tregoi se i kishte thënë Tomës që nëse donte mund të bënte një kallëzim, pasi ishte e vetmja mënyrë për ta ndjekur këtë çështje. Biseda me prokurorin më lehtësoi, sepse ishte i shqetësuar realisht, por, nga ana tjetër, kisha përsëri merakun që të kuptoja më shumë se ç’ndodhte me këtë histori. Gjatë këtyre ditëve që kam qëndruar te rezidenca qeveritare në Durrës, ka ardhur Toma tek unë dhe më ka thënë se “kam njeriun këtu te shtëpia ime”. I thashë “të lutem mua mos më ngatërro me njerëz të asaj kategorie dhe në qoftë se do suport nga unë, ka vetëm një rrugë, të përfshihet ministri i Brendshëm dhe kjo të ndiqet në rrugë ligjore”. Aty kam thirrur ministrin e Brendshëm, kemi rifolur për këtë histori, dhe aty i është shpjeguar me detaje Tomës se mund të vihej ligjërisht në dispozicion të zbardhjes së çështjes personi që Toma kishte në shtëpi. Toma kërkoi që ministri t’ia komunikonte personit këtë gjë dhe unë i thashë që këtë ministri mund ta bënte nëse Toma merrte personin dhe e çonte tek institucioni i policisë. Toma kërkoi që ministri ta takonte aty për aty personin që ta bindte dhe t’i jepte besim për të ardhur në polici. E kam porositur ministrin që të kishte një kontakt sa më të shkurtër me atë person dhe pastaj ngjarja ka vijuar ashtu siç e ka përshkruar ministri në deklaratat e tij.

A keni komunikuar me ministrin e Brendshëm me personin që pretendohej nga Tom Doshi për këtë ngjarje?

Ministri më pati thënë se nuk kishte shans që kjo të ishte e vërtetë dhe më tregoi se përfaqësonte personin që mbante Toma dhe më shpjegoi se ai kishte precedentë penalë.

Keni organizuar ndonjë takim me ministrin e Brendshëm, Tom Doshin dhe Kryetarin e Kuvendit në lidhje me këtë ngjarje?

Toma ka përmendur edhe Kryetarin e Kuvendit që, sipas tij, i kishte dalë emri nga Agim Rama, i cili i kishte thënë Ton Qerosit (Fatjon Skënderi) dhe më pas Toni ia kishte thënë personit që mbante Toma. Për këtë gjë u thashë se mua më dukej fil fare kjo punë, por nga ana tjetër, duke e parë Tomën shumë të shqetësuar dhe nën ndikimin e idesë që këta njerëz ishin përfshirë, i kam thënë që shiko se duket si një intrigë për të krijuar përplasje dhe për të fshehur se ku i ka rrënjët në fakt kjo porosi. Toma këtë ia ka thënë edhe vetë Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Unë, Iliri, Saimiri dhe Toma jemi takuar në Durrës te lokali i rezidencës qeveritare. Për hir të së vërtetës, Kryetari i Parlamentit ishte shumë i shqetësuar, pasi njësoj si unë mendonte se kjo ishte një intrigë dhe të them të drejtën as unë as kryetari nuk kam dyshuar që kjo ishte e vërtetë, por që këtë akt ata që po e organizonin donin ta shfrytëzonin për të goditur mazhorancën, duke ngarkuar me përgjegjësi Kryetarin e Kuvendit. Ndërkohë nga Toma ka dalë se donin të vrisnin edhe deputetin Mhill Fufi, gjë për të cilën ministri i Brendshëm ishte tërësisht i ftohtë në gjithë këtë histori dhe që në ato momente krijonte një dyzim shumë të fortë dhe ideja e përfshirjes së Mhill Fufit, i cili duket sikur e rriste besueshmërinë e skenarit, sepse lidhte Tomën dhe Mhillin me sebepin e hakmarrjes së Kryetarit të Kuvendit lidhur me të shkuarën. Pra Tomën do e vriste për t’u hakmarrë për videon e Dritan Priftit, kurse Mhillin për t’u hakmarrë për vrasjen e një militanti të LSI-së në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 në Laç.

A keni pasur ndonjë konflikt, debat, pakënaqësi apo interes me deputetin Tom Doshi. Nëse po, çfarë lloj konflikti, në çfarë periudhe ka filluar ky konflikt dhe a keni dijeni se është organizuar apo paguar ndonjë person për eliminimin e tij?

Unë kam pasur dhe kam marrëdhënie normale me të. Që nga fillimi i muajit nëntor të 2014-s nuk komunikoj me të, pasi herën e fundit më ka thënë se do të ikte në USA që t’ia jap dëshminë dhe një video që ka regjistruar nëndrejtorit të FB-së. Unë i thashë që kjo ishte e papranueshme dhe ty vetë të implikon në marrje të dëshmisë në rrugë të paligjshme për t’i bërë shantazh Kryetarit të Kuvendit dhe qeverisë, prandaj duhet të jesh i përgatitur të përballesh me pasoja. Pas këtij momenti nuk jam takuar dhe as kam komunikuar me Tomën. Kam për të thënë se në momentet kur Toma ka pranuar që të vinte në takim Saimir Tahiri, në Durrës, ai i kishte regjistruar me video thëniet e personit në lidhje me ngjarjen dhe më tha se e kishte bindur që ta regjistronte dhe kishin rënë dakord që të luante rolin sikur e kishte marrë peng personin që po regjistronte. Toma më tha se i kishte ndenjur me armë te koka, pasi vetë personi kishte problemin që ata të tjerët do të thoshin që i kishte shitur te Toma dhe do ta vrisnin. Toma më tha se këta janë njerëz me karakter dhe nuk mund të pranojnë që të rrëfehen.

Leave a Reply

%d bloggers like this: