Kronika

Sistemi Albpos, Naço: Mjet për ndërtimin e një reference të re koordinative për vendin

sistemi-i-pozicionimit-global-3Foto-Flor-Abazaj3-525x350Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço theksoi sot gjatë konferencës për “Sistemin Shqiptar të Pozicionimit Global” ALBPOS se, “përpara pak ditëve Shqipëria arriti të marrë statusin e merituar si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe pritshmëritë tona janë që brenda një kohe sa më optimale të bëhemi pjesë e familjes së madhe Europiane”,

Por vijoi ministri Naço, “siç e dimë të gjithë, për të realizuar këtë qëllim duhet që më parë vendi ynë apo më mirë të themi të gjithë ne bashkë, duhet të plotësojmë disa kërkesa dhe standarde jo vetëm të karakterit politik, por njëkohësisht duhet të angazhohemi me energjitë tona pozitive për realizimin direktivave dhe standarteve të Komunitetit Europian, për krijimin e një infrastrukture të re të teknologjisë, në çdo fushë”.

Ne, u shpreh ministri Naço, “duhet të kujdesemi që qasjet tona në fushën e teknologjisë së re që po adoptojmë të jenë jo vetëm kompakte dhe funksionale, por në të njëjtën linjë zhvillimi me sandardet europiane. Po kështu, ne duhet të ecim dhe duhet t’i kushtojmë vëmendjen e duhur edukimit të brezit të ardhshëm dhe përmirësimit të kapaciteteve apo njohurive tona në fushën e teknologjisë në mënyrë të vazhdueshme. Sepse përparimi në teknologji pa përparimin në shoqëri nuk i shërben lumturisë së shoqërisë”.

“Po ashtu si ju edhe unë jam i sigurtë, se kemi burime njerëzore, të cilat paraqesin kërkesa të larta ndaj vetes dhe shoqërisë për tu njohur me zhvillimet më të reja teknonologjike, por nga ana tjetër ne kemi edhe vullnetin për t’i përshtatur këto dijeni dhe aftësi, si dhe për t’i vënë ato në funksion të së mirës publike dhe kërkesave të vendit tonë, gjithmonë në përmirësim të cilësisë së jetës apo punës sonë”.

Në këtë frymë mbahet sot kjo konferencë në lidhje me “Sistemin Shqiptar të Pozicionimit Global” ALBPOS, si pjesë e infrastrukturës së Informacionit Hapësinor Shqiptar. Të gjithë pjesëmarrësit në këtë konferencë, si përfaqësuesit e institucioneve shtetërore ashtu edhe të agjencive private, prodhojnë, përdorin apo shfrytëzojnë të dhëna gjeohapësinore, harta, plane topografike apo tematike, që përbëjnë Infrastrukturën e Informacionit Hapësinor. Një nga aspektet kryesore të kësaj infrastrukture është edhe krijimi i Sistemit të Pozicionimit Global Shqipëtar, ALBPOS, si një mjet për ndërtimin e një reference të re koordinative për vendin tonë, e cila do të jetë me të njëjtat parametra me atë të vendeve Europiane”, tha Naço.

“Sistemi “ALBPOS” (Sistemi Shqiptar i Pozicionimit Global) është një projekt me rëndësi kombëtare, i dizenjuar dhe realizuar nga Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, me asistencën teknike të Agjencisë Suedeze të Hartografisë, Kadastrës dhe Regjistrimit të Pasurive. Qëllimi i ndërtimit të këtij sistemi është kalimi i sistemit koordinativ nga referenca tokësore në atë hapësinore, në përputhje me sistemin aktual Europian të referencës koordinative. Aplikimet e këtij sistemi do të jenë të shumëllojshme, por do të përmendja se “ALBPOS” është ndërtuar me qëllime kryesore përdorimi në këto drejtime; Përmirësimin e procesit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, përdorimin e tij në procesin e njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave, përdorimin e tij në përcaktimin e pronave publike (shtetërore), rritje të efikasistetit dhe cilësisë në procesin e legalizimit të ndërtimeve informale, unifikimin dhe saktësimin e hartave topografike, realizimin e projekteve shkencore sizmiologjike dhe ambientale”, u shpreh Naço.

Ky sistem, gjithashtu, theksoi ministri i Drejtësisë, “do të shërbejë edhe për mbështetjen e projektit të ri që ne kemi në realizim me Bankën Botërore, për përmirësimin dhe përditësimin e të dhënave të pasurive të paluajtshme. Implementimi i kësaj metode moderne mundëson, një saktësi shumë të lartë, rendiment të madh në volumin e punës, realizim brenda një kohe shumë të shkurtër, duke u siguruar përdoruesve të dhënat e kërkuara në kohë reale”.

“Të gjitha këto procese, të cilat tashmë do të kryhen me saktësi të madhe dhe brenda një kohe edhe më të shkurtër, përkthehen automatikisht në një të mirë publike, e cila si përfitues ka jo vetëm përdoruesin e sistemit, por drejtpërdrejtë edhe vetë qytetarin”, tha Naço.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button