Home / Arte / Teater / Kur teatri u çlirua nga ideologjia

Kur teatri u çlirua nga ideologjia

Shfaqjet e para të teatrit absurd/ Përpjekjet e regjisorëve si Agim Qirjaqi, Arben Kumbaro, apo Gëzim Kame për të sjellë teatrin e ri

Pas viteve ’80, drama e parë që pati sukses në skenën e teatrit “Migjeni”, ishte “Çmurosja” e Serafin Fankut me regjisor vetë autorin. drama sjellë në skenë motivin e lashtë të gjakmarrjes, urrejtjes vetëshkatërrimit. Gjithçka e parë brenda caqeve të ndërgjegjes njerëzore ku autori kalon nga një gjendje në tjetrën…

Teatri shqiptar nisi të dilte nga skemat e soc-realizmit kohë para ndryshimit të sistemit në vitet ’90. Shenjat e një teatri të ri kanë nisur të shfaqen që pas viteve ’70, ku regjisori Kujtim Spahivogli me stilin e një njeriu që e njeh mirë teatrin, vendosi elemente që e zhvishnin dramën nga kornizat e kohës. Komedia “Banja” e Majakovskit kujtohet ende si një vepër e cila befasoi në lirshmërinë artistike. Spahivogli do të vazhdonte në këtë linjë dhe me dramat e Fadil Paçramit, për t’u larguar më pas nga teatri në vitin 1973, pas goditjes që Paçrami pati në plenumin e katërt të Partisë së Punës. Teatri modern, eksperimental, apo absurd si tërësi nuk pati mundësi të gjente shtratin e tij për shkak të situatës politike, por elemente të veçanta, përpjekje për të futur qoftë edhe pjesërisht trajtime regjisoriale të kësaj natyre ka pasur gjatë gjithë historisë së teatrit. Regjisori Spahivogli ndërmori një nismë për të krijuar një studio për të rinjtë me pjesë nga teatri modern, me trajtesa të reja dhe nga një tjetër shkollë. Por kjo iniciativë nuk e pati jetën e gjatë. Nga fundi i viteve ’80 u panë elemente të teatrit modern në disa shfaqje të regjisorit Kumbaro “Frikë dhe mjerim në Rajhun e Tretë” nga Berthol Breht (1987). Para këtyre viteve shenjat e elementeve të reja në teatër shoqëroheshin shpesh me ndëshkime ndaj autorëve të veprës. Por vitet ’90 do ishin vitet interesante për sa i përket hapjes së teatrit ndaj shkollave dhe rrymave të ndaluara. Më 1990, regjisori Gëzim Kame vendos në skenë dramën “Shkallët” ku mizanskenat prireshin të krijonin teatrin-debat. Ndërsa shfaqja “Kush e solli Doruntinën” me regji të Fatos Haxhirjat, elementet e folklorit u bënë funksionale në skenë në shërbim të imazhit artistik regjisorial. Drama “Kush e solli Doruntinën” ishte një eksperiment për të sjellë diçka të re. Në vitin 1989 u organizua Festivali i Teatrove Profesionistë. Në këtë festival u vu re prirja për të dalë nga kornizat tradicionale. Në shfaqje të tilla si “Sa shumë gjethe të thara atë vjeshtë” me regji të Spiro Dunit, “E bukur shtëpi e vjetër”, e teatrit “Bylis” u ndje një konceptim regjisorial bashkëkohor. Ndërsa drama “Natë me hënë” e Edmond Budinës, sipas novelës së Ismail Kadaresë, theu të tjera parime të teatrit realist. Madje ajo doli “jashtë kontrollit” për shkak të kumteve të saj, lojës, simbolikës, dhe frymës kritike të theksuar. Regjisori, duke pasur parasysh edhe thellësinë e veprës së Kadaresë, arriti ta trajtojë ndryshe ngjarjen me forma e mjete të tjera, pak të njohura ose shumë pak të përdorura. Edmond Budina përsëri orvatet të sjellë një teatër të ri. Me dramën “Zgjimi” nëpërmjet skenografisë, ndriçimit, mizanskenave, plastikës aktoriale dhe më në fund me lojën e aktorëve tashmë po shkohej drejt një teatri të ri. Këtë teatër të ri, Flori Slatina e analizon në studimin që ka bërë për teatrin shqiptar pas viteve ’90 me titull “Prirje të sotme të teatrit”. Përpjekje për një teatër ndryshe ka dhe në disa pjesë të regjisorit Gëzim Kame, pas viteve ’90. “Vizita e damës plakë” e Durenmat ishte përpjekja e tij më serioze. Ai futi elementë të rinj në teatër si kërcimi. Drama e parë e mirëfilltë absurde në teatër do të ishte “Në pritje të Godosë” e Beketit me regji të Arben Kumbaros. Pas një pune të gjatë, Kumbaro në bashkëpunim me aktorë si Agim Qirjaqi, Guljem Radoja, Ahmet Pasha, Niko Kanxheri si dhe skenografin Edi Hila zbritën më 2 tetor 1993 në skenën e Akademisë së Arteve. Si prodhim i teatrit eksperimental, kjo vepër do të ngjallte emocione të mëdha. Kjo shfaqje theu tabutë duke e bërë publikun ta donte edhe pse nuk ishte mësuar me këto lloj dramash. Një ngjarje që do të ndikonte në rritjen e teatrit ishte dhe Festivali i Parë Gjithëkombëtar i Teatrove Profesionistë që u mbajt nga data 21-18 nëntor 1993. Një shfaqje e teatrit absurd spikati në këtë festival. Ishte komedia “Fando dhe Lis” e Fernando Arrabal. Kjo komedi u vendos në skenë nga Agim Qirjaqi që u ndërrua dhe si regjisori më i mirë i festivalit. Është interesante puna e Qirjaqit si regjisor. Pas dramës “Rikardi III”, ai provon teatrin absurd. “Pas “Rikardit III” unë në mënyrë krejtësisht të natyrshme u hodha tek “Fando dhe Lis”. E ndjeva si një nevojë shpirtërore, artistike të flas me një autor të teatrit absurd si Arrabali, sepse në atë pozicion, në atë gjendje shpirtërore u ndodha në ato momente”, do të shprehej regjisori në atë kohë. Një tjetër vepër që do t’i jepte sukses Qirjaqit si regjisor ishte pjesa e Joneskos “Këngëtarja tullace”, e vënë në skenë më 16 shkurt 1994. Dyshja e regjisorëve Kumbaro dhe Qirjaqi dhe autorë si Jonesko apo Beket do të jetë e pranishme në pesë vitet e para të teatrit të ri, të lirë nga ideologjia. “Një nga prirjet kryesore ishte teatri i ‘Body language’, ose i gjuhës së trupit, që futet te teatri eksperimental, ose alternativ. Kjo prirje nuk është fort e re për botën, por për ne është relativisht e re. Karakteri universal që përdor ky teatër është se gjuha e tij është një gjuhë pa fjalë, dhe duke qenë e tillë ajo është shumë komode për të komunikuar me çdo lloj kombësie”, thotë regjisori Alfred Trebicka.

Gëzim Kame

Gëzim KamePara vitit 1990 ka pasur shumë përpjekje për të dalë nga kornizat e realizmit socialist. Madje, ato kanë qenë shumë më të hershme. Do të kujtoja këtu, regjisorë si Kujtim Spahivogli, që në vitet ’70-’71 deri në 1973 ka vënë disa vepra, qoftë shqiptare, qoftë të huaja ku vërtet ai po thyente skema. Kujtoj këtu një vepër të tij “Një shok i klasës sonë”, apo “Midis dy njerëzve” shkruar nga Kiço Blushi, ku u thyen të gjitha normat e konvencioneve. Pika kulmore e gjithë kësaj veprimtarie ka qenë vënia në skenë e Majakovskit “Banja”, e cila kishte një shpërbërje të skemës. Gjithashtu do të rendisja në këtë plejadë edhe Pirro Manin, i cili ka pasur edhe prirje për të thyer skemat. Më tej do të shtoja Mihallaq Luarasin me “Njollat e murrme” në 1969, etj. Pra, herë pas here, këta regjisorë të mëdhenj kanë pasur prirjet për të dalë jashtë skemës, nuk i pranonin dot, pavarësisht nga diktati, normat e asaj shoqërie që ishim. Unë vetë, në regjisurën time, sidomos nga viti 1979-1984, kam pasur një sërë veprash si “Mësuesi i letërsisë, ku shkatërroheshin këto konvencione, duke kaluar, gati-gati në një konvencion abstrakt. Vërtet e kam pasur me shumë siklet në atë periudhë, por do të thosha se opinioni më mirëpriti dhe nuk pata probleme. Do të shkoj më tej me “Shkallët” ku atje u thyen të gjitha normat e konvencioneve teatrore. Domethënë pata një liri krijuese brenda vetes. Me kokëfortësi, sigurisht me mbështetjen e kolegëve, e çuam deri në fund, pavarësisht se për nëntë muaj ajo u bllokua, por prapë se prapë ajo e pa dritën e skenës. Do të thoja se këto kanë qenë përpjekjet kryesore gjatë monizmit për të dalë nga skema.

Milto Kutali

Milto KutaliMendoj se kjo lëvizje artistike fillesat e ndryshimeve të veta i ka në vitet 1985-1986. Nuk dua ta politizoj problemin, por dua të them se është e vërtetë se një elitë e mirëfilltë pedagogësh profesionistë kishin filluar të mendonin e të vepronin ndryshe në proceset mësimore por edhe në praktikat e tyre të demonstrimit aktoresk dhe të regjisë. Mjaft të përmend një nga shfaqet e Agim Qirjaqit “Antigona” e cila në Akademinë e Arteve, edhe pse pati një goditje të fuqishme, bëri një jehonë të jashtëzakonshme. Po kështu, edhe shumë shfaqje që pasuan më vonë, ku do të përmendja “Shkallët” e Gëzim Kames dhe sidomos “Natën me hënë” të Edmond Budinës të cilat përbënin si të thuash, një pararojë të kësaj lëvizjeje që kishte filluar të ndiente integrimin në këtë kozmos të artit teatror shqiptar. Vitet ’90 patën një dëshirë dhe vullnet të menjëhershëm të të gjithë forcave krijuese artistike për të bërë një kthesë rrënjësore në teatrin shqiptar. Jo për të mohuar vlerat e asaj që ishte arritur si fizionomi e traditës, por për të përsosur dhe për të plotësuar në kuadrin gjithëteatral, spektrin e interpretimit dhe vënieve në skenë. Shërbyen për këtë edhe kontaktet e menjëhershme që patëm ne me botën, por edhe më gjërë. Unë vetë kam pasur rastin që në 1991 të kem një specializim në Itali dhe më pas më 1992 të marr pjesë në një festival europian të adoleshentëve në Hungari, gjë që përbënte një premisë të mirë për të filluar dhe për të konceptuar ndryshe anën teatrale…

2 comments

  1. lexova shkrimet e me siperme, por me beri pershtypje nji fakt shum domethenes.  N

  2. LEXOVA SHKRIMET E ME SIPERME DHE ME BERI PERSHTYPJE NJI FAKT MJAFT DOMETHENES. SI NUK PERMENDENI NJI ARGUMENT SE JU AKTOREVE RREGJIZOREVE, SKENARISTEVE, KUSH JU BERI ARTISTE ME FAME. KUSH E BERI NE VITET 1945- 1990 TEATRIN POPULLORE , NJI TEATER ME FAME , JOVETEM NE SHQIPERI , POR EDHE NE EUROPE ? Artistet e medhej qe nuk po i permend me emer kush i beni ? Ato rane nga qielli apo u bene ne sistemin e ENVER HOXHES. POTE MOS ISHTE AI SISTEM, APO PO TE ISHTE SISTEMI I A. ZOGOLLIT,JU NUK DOTE KISHIT AS INSTITUT TE ARTEVE , AS TEATER POPULLORE , AS BURSA PER TE STUDJUAR JASHTE SHTETIT, do te kishit mbetur bari dhithe  ose hamall rrugesh.TURP!. Perse beheni kaq nihiliste. une e shoh teatrin popullore sot si eshte katandisur . K ush ju vjen ne ato shfaqjet e shemtuara qe beni . Une nuk i perkas profesionit tuaj, por po flas me fjalet e kolegeve tuaj qe nen ze thone qe kemi frike te flasim te verteten. Ju zoterije, me rregjimet e soteme qe eshte katandisur shqiperia, nji dite te bukur do te dilni te shitni veze ne rruge, se nuk dote keni te ardhura. UROJ TE KENI FAT!

Leave a Reply

Your email address will not be published.