Home / Politika / Prishja e kishës në Dhërmi, Rama: E pabesueshme që PD-ja mbron ngrehinën

Prishja e kishës në Dhërmi, Rama: E pabesueshme që PD-ja mbron ngrehinën

Kryeministri Edi Rama shprehu mendimin e tij në Facebook për prishjen e Kishës në Dhërmi, duke thënë se “është e pabesueshme që Partia Demokratike, në injorancë të plotë të historisë, aktualitetit dhe të nesërmes së projektuar të kishës së vjetër të Dhërmiut, t’i bashkohet një kujeje të pabesueshme të kujt u vu në mbrojtje të ngrehinës”.

“Është e pabesueshme edhe për mua që ka kohë që nuk çuditem nga ushqimi i paçertifikuar që Partia Demokratike u jep përditë shqiptarëve, njësoj si ato thertoret e kthesës së Kamzës të cilat shisnin mish të therur në kohë reale mes baltës e gjakut. Është e pabesueshme që Partia Demokratike, në injorancë të plotë të historisë, aktualitetit dhe të nesërmes së projektuar të kishës së vjetër të Dhërmiut, t’i bashkohet një kujeje të pabesueshme të kujt u vu në mbrojtje të ngrehinës”, shkroi Rama në rrjetin social.

“Një ngrehinë e ndërtuar jo nga kisha, po nga brutaliteti individual i viteve ’90 mbi një monument kulture, të cilën në asnjë lloj konkursi për t’a gjetur se çfarë është, nuk do të dilte dot njeri në botë që të thoshte është kishë. Po jo vetëm kaq, është e pabesueshme që Partia Demokratike, për të sharë medoemos qeverinë, t’i bashkohet një përçapjeje dhe një përçartjeje që nuk ka asnjë lidhje me raportet e shtetit me fenë; nuk ka asnjë lidhje me marrëdhëniet e qeverisë me kishën e me klerin ortodoks; nuk ka asnjë lidhje me fqinjin jugor jo e jo. I cili nga ana e tij, duhet të vetëdijësohet se asnjë çështje apo problem i Kishës Autoqefale Shqiptare apo i ortodoksëve shqiptarëve nuk ka asnjë lidhje me shtetin fqinj”, shton kryeministri.

Rama bëri të qartë se ndërhyrjet nga jashtë për këtë çështje nuk janë aspak të mirëpritura: “Ortodoksët shqiptarë janë qytetarë shqiptarë që kanë shtetin e tyre dhe hapësira e ushtrimit të besimit të tyre nuk është protektorat i asnjë shteti tjetër. Ashtu sikundër Kisha Autoqefale Shqiptare, çdo problem që ka pasur, ka apo do të ketë me shtetin, e ka trajtuar, e trajton apo do ta trajtojë me shtetin shqiptar e me institucionet e tij. Prandaj, çdo ndërhyrje në këtë mes, është ndërhyrje e papranueshme në punët e brendshme të Shqipërisë”.

Leave a Reply

%d bloggers like this: