Sporti

Gjermania vendos yllin e katërt, Gëtce zgjidh gjithçka në shtesë

Argjentina dorëzohet përballë gjermanëve si 24 vjet më parë

timthumbMustafi – Mbrojtësi shqiptar, i lindur në Gostivar, u bë shqiptari i parë i cili vendos në qafë medaljen e fituesit të Kupës së Botës

Europa – Kjo është hera e parë që një kontinent fiton tre tituj radhazi. Europa ka marrë kryesimin 11-9 me tituj ndaj Amerikës Latine

Ndeshja filloi me një të papritur, pasi Lëv u detyrua të linte jashtë Khediran e dëmtuar në nxemje për të aktivizuar të riun Kramer. Përballë Argjentinës që nuk rrezikoi me aktivizimin e Di Marias nga minuta e parë, ky ndryshim duket se prishi planet e gjermanëve, të cilën sulmuan në minutat e para, por pa forcën e duhur për të vënë në provë Romeron. Ndërsa plani i argjentinasve ishte i qartë: pritje në gjysmëfushën e tyre për të nisur kundërsulme të shpejta me treshen Mesi-Higuain-Laveci. Pikërisht ky i fundit është i papërmbajtshëm përballë Hovedes, duke detyruar shpesh mbrojtësin dhe mesfushorët gjermanë që të shkaktonin faulle ndaj tij. Për të parë rastin e parë domethënës në ndonjë prej portave duhet pritur minuta e 21-të, kur Toni kros në mënyrë të pashpjegueshme i pason topin Higuain. Gjuajtja e këtij të fundit, i vetëm në një pozicion të shkëlqyer përballë Nojer, është krejtësisht e gabuar, me topin që përfundon jashtë kuadratit. Gjermania duket e tronditur nga ky rast, ashtu si Kramer i cili lë fushën e lojës si pasojë e një përplasjeje me Garai, duke i bërë vend Shyrles. Argjentinasit tashmë kundërsulmojnë më shpesh dhe në një prej këtyre rasteve, Higuain çon topin në rrjetë, por vijërojtësi sinjalizon pozicion jashtë loje. Gjermanët e kuptojnë se po nuk shënuan, rrezikojnë të gjenden në vështirësi dhe rrisin ritmin para portës kundërshtare. Shyrle është i pari që vë në provë reflekset e Romeros, ndërsa situata zhvendoset shpejt në portën tjetër, ku Mesi, pas një vallëzimi mes mbrojtjes kundërshtare dhe portierit Nojer, sheh topin të largohet para vijës së portës nga Boateng. Minutat e fundit i përkasin të gjitha Gjermanisë, që provon të gjejë golin dhe ai afrohet shumë në minutat shtesë të pjesës së parë. Pas një goditjeje nga këndi, Hovedes devijon topin me kokë, pak hapa larg portës, por topi ndalet nga shtylla, duke bërë që 45 minutat e para të mbyllen me rrjeta të paprekura.

Në rifillimin e lojës, Sabeja çudit duke ulur në stol Lavecin, një nga më të lëvizshmit në pjesën e parë, për t’i bërë vend Agueros. Duket sikur ndërrimi rezulton i suksesshëm, pasi Argjentina merr kontrollin e lojës dhe krijon një tjetër rast të pastër me Mesin. Por gjuajtja e “Pleshtit” përfundon jashtë kuadratit, duke humbur mundësinë e artë për të kaluar në avantazh ekipin e tij. Argjentina vazhdon të shfaqet më e qartë në fushë, por me kalimin e minutave, Gjermania rimerr kontrollin e lojës, edhe pse mbajtja e topit nuk sjell shumë raste të mirëfillta për shënim. Një gjuajtje me kokë e Klose dhe dy raste ku topi ngatërrohet në këmbët e Shyrle dhe Hovedes janë ajo që prodhon Gjermania për shumë minuta. Nga ana tjetër, dy iniciativa të Mesit, i izoluar thuaje plotësisht nga kundërshtarët, shuhen pa shumë rrezik. Zëvendësimet e kryera nga të dyja palët, mes të cilave edhe lamtumira e Klose nga aktiviteti ku tashmë është golashënuesi më i mirë, nuk ndryshojnë asgjë në këtë situatë dhe dy ekipet u drejtohen kohëve shtesë në këtë finale, për të tretin edicion radhazi të Botërorëve.

Pas pushimit, Gjermania ka rastin më të mirë për të shënuar, me Shyrle që shfaqet para Romero, por gjuajtja e tij është ballore dhe portieri grushton lehtësisht. Situata zhvendoset menjëherë në portën tjetër, ku një ndërhyrje e Humels ndal Agueron në momentin e goditjes. Minuta e 97-të regjistron një tjetër rast ideal për Argjentinën, me Palacion që shfaqet para Nojer, por e dërgon topin jashtë kuadratit në mënyrë të pabesueshme. Më pas, argjentinasit ndiejnë lodhjen dhe i dorëzojnë kontrollin e lojës plotësisht Gjermanisë, duke pritur që ndeshja të shkojë drejt penalltive. Por plani i tyre prishet nga Mario Gëtce, i cili në minutën e 113-të të ndeshjes merr një pasim të artë nga Shyrle dhe me të majtën dërgon topin në mënyrë perfekte në rrjetë, për të kaluar në avantazh Gjermaninë. Argjentinasit kërkojnë me dëshpërim të krijojnë diçka, por e vetmja tentativë e tyre në minutat e mbetura është një gjuajtje me kokë e Mesit që përfundon mbi traversë, shumë pak për të shqetësuar skuadrën gjermane që mbrohet me rregull dhe mbyll takimin. Më pas nis festa e fitores së kupës së katërt në historinë e kësaj kombëtareje, nën sytë e Kancelares Merkel që feston si lojtarët trofeun e parë Kampion Bote që i jepet Gjermanisë së bashkuar.

Gjermani   1

113’ Gëtce

Argjentinë 0

Gjermania: Nojer, Lahm, Boateng, Humels, Hovedes, Kramer (32’ Shyrle), Shvajnshtajger, Myler, Kros, Ozil (120’ Mertesaker), Klose (88’ Gëtce).

Argjentina: Romero, Zabaleta, Demiçelis, Garai, Roho, Bilja, Masçerano, Perez (86’ Gago), Higuain (78’ Palacio), Mesi, Laveci (46’ Aguero).

KV: Shvajnshtajger, Hovedes / Masçerano, Aguero

Gjyqtar: Nikola Ricoli (Itali)

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button