Home / Ekonomia / Përmirësohet rritja ekonomike, por bie sërish konsumi

Përmirësohet rritja ekonomike, por bie sërish konsumi

Instituti i Statistikave raportoi se rritja ekonomike u ngadalësua në 2.53 për qind në tremujorin e dytë të vitit nga 2.76 për qind që ishte një tremujor më parë. Të dhënat e detajuara tregojnë se për periudhën prill-qershor, varka e shpëtimit për ekonominë ishte ndërtimi, kryesisht punët publike, ndërsa në sektorët e tjerë rritja ka qenë e vakët.

“Kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët e ekonomisë si Ndërtimi me 1,96 pikë përqindje, Industria, Energjia dhe Uji me 0,72 pikë përqindje, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me 0,46 pikë përqindje, Tregti Hotele dhe Restorante dhe Transporti me 0,15 pikë përqindje, Aktivitetet financiare dhe të Sigurimit me 0,08 pikë përqindje, Pasuritë e paluajtshme me 0,03 pikë përqindje, Informacioni dhe Komunikacioni me 0,01 pikë përqindje. Degët që kanë kontribuar negativisht janë Bujqësia, Pyjet dhe Peshkimi me -0,16 pikë përqindje”, thotë Gjergji Mano, drejtor i llogarive kombëtare në INSTAT.

Por edhe pse pozitive, rritja ekonomike duket e pamjaftueshme për të ndikuar jetesën e qytetarëve. Sipas INSTAT, familjet tkurrën konsumin për të dytin tremujor me radhë, dhe këtë herë me ritme më të forta.

“Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi ne tremujorin e dytë 2015 u ul me 3,16 % krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2014”, thotë Mano.
Kjo do të thotë se nga krahu i shpenzimeve rritja ekonomike po vjen tërësisht nga investimet, të cilat pas disa vitesh me radhë në rënie janë duke u rigjallëruar.
“ Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks u rrit me 19,02 % krahasuar tremujorin e dytë të vitit 2014.Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u ulën me 2,47 % krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2014 ndërsa Importet e mallrave dhe shërbimeve u ulën me 13,90 % krahasuar me tremujorin e dytë të vitit
2014”, bën të ditur Mano.

Si gjashtëmujor, rritja ekonomike për këtë vit rezulton 2.63 për qind. Qeveria dhe FMN presin një rritje prej 2.7 për qind.

Leave a Reply

%d bloggers like this: