Home / Te ndryshme / Përse disa njerëz rrinë gjithnjë turingrysur?

Përse disa njerëz rrinë gjithnjë turingrysur?

Ka njerëz që qeshin me çdo shaka, edhe kur ato janë të hidhura. Ka edhe të tjerë që shohin zakonisht me mosbesim, edhe sikur të dëgjojnë shakanë më mbresëlënëse në botë. Shkencëtarët amerikanë kanë zbuluar së fundmi se kjo e ka një arsye: pasi përgjegjës për këtë fenomen, është një gjen.

Një grup miqsh ulet nxitimthi gjatë ngrënies e nis të tregojë ndodhi  të ndryshme që të bëjnë ku më shumë e ku më pak të qeshësh; ngjarje nga vetë jeta e tyre. Të gjithë qeshin me shakatë e njëri-tjetrit, pasi duket se të gjithë ata janë të zotë të bëjnë pak humor e të sjellin gëzim në tavolinë. Vetëm njëri duket se asgjë s’e bën të qeshë.

Dikush që rri turingrysur gjithë kohës e me sytë e zgurdulluar, që shikon në tavan apo gjetkë, sikur t’i kishte ndodhur diçka apo të kishte mendjen në ndonjë hall apo të kishte ndonjë hatërmbetje me ndonjërin prej anëtarëve të tavolinës. Miqtë e tij ndonjëherë ndodh që ia marrin edhe për ters atë qëndrim. Por ai s’ka asgjë me ta, me asnjërin prej tyre.

Një situatë e tillë ndoshta mund t’i ketë ndodhur gjithkujt. Por e gjitha kjo rezulton se e ka një shpjegim. Shkencëtarët e Shoqatës Amerikane të Psikologëve, “American Psychological Association” kanë zbuluar së fundmi se aftësia për të qeshur apo për të buzëqeshur, gjendet e strukur në gjenet tona. Për ta thënë më saktësisht, ato bëjnë përgjegjës për këtë fenomen, dy gjene që transportojnë serotinën.

Pra, në fakt, ka një lloj gjeni të tipit “Unë jam më çakërrqejf sesa ty”? – T’i marrim me radhë: Gjeni që transporton serotinën, në shkencë njihet si 5-HTTLPR, lidhet edhe me depresionin. Çdo njeri trashëgon nga të dy prindërit nga një gjen transportues serotine. Dhe kush tërheq në një farë mase fijet në këtë mes, ai mund të gjendej më mirë në lojë: nëse të dyja gjenet janë të shkurtër, atëherë ai ose ajo, do të qeshë më shpesh dhe do të reagojë ndaj shakave, edhe ndaj disave që në fakt as nuk të bëjnë për të qeshur.

 Një fytyrë si ajo e Charles Manson

Në studimin në fjalë morën pjesë 336 persona. Ai përbëhej nga tri eksperimente. Në dy prej tyre, personat që u testuan u vunë të shihnin pjesë nga filmat vizatimorë, në të tretin çiftet duhej të diskutonin mbi një temë të debatueshme.

“Kërkime të mëhershme kanë treguar se njerëzit me alel të shkurtër (është njëri ndër format alternative të një gjeni) reagojnë më fort emocionalisht”, thotë Claudia Haase, bashkautore e studimit. Vetëm se kemi konstatuar se njerëzit me këtë variant gjenetik, mund të reagojnë edhe më fort pozitivisht. “Studimi ynë kontribuon që imazhi i jetës së ndjenjave të njerëzve me alel të shkurtër, të përplotësohet”, thotë ajo.

Si duket puna me kombinacionet e tjera të gjeneve? Nëse një alel është i gjatë dhe tjetri i shkurtër, reagimet janë të përmbajtura – jo të veçanta, por edhe jo nga ato për t’u theksuar. Por kush nga të dy gjenet zgjatet, mund të dënohej me një çehre prej turivaruri të vazhdueshme në jetën e vet – pra do të dukej si Charles Manson, edhe kur i shkruan një letër gjyshes.

 Gjenet si pjesë të një pazëlli 

Mirëpo edhe fytyrat e gëzuara kanë një çmim për të paguar: ato shfaqin lëkundje të gjendjes emocionale. Sipas studimit, njerëzit me gjene të shkurtër, kanë sigurisht, një tendencë drejt të qeshurës, por rrezja e tyre emocionale është edhe më e madhe – duke lëvizur nga gjendja e lartë emocionale, deri te depresioni i thellë.

Haase raporton se gjatë studimit, personat që morën pjesë në test, panë pjesë nga filmat që shfaqnin njerëz në rrezik, ose e panë veten duke kënduar vetë në një karaoke. Nën këto rrethana të përshkruara më lart, personat me alel të shkurtër shfaqën reagime më të forta emocionale.

Por jo të gjithë shkencëtarët e shohin këtë kërkim të lidhur me gjenet e trashëgimisë dhe të sjelljes pa skepticizëm. Robert Levenson, njëri ndër autorët kryesorë të studimit, tha se gjenet ishin vetëm një “pjesë e gjithë kësaj historie”, kur bëhet fjalë për ndryshime në jetën sentimentale të njerëzve të ndryshëm.

“Kjo është një fushë, në të cilën fare qartë, si sjellja e lindur, ashtu dhe edukimi e arsimimi kanë një rol për të luajtur”. Michael Skinner, profesor në Fakultetin për Shkencat Biologjike në Universitetin e Uashingtonit, i trajton gjenet vetëm si një pjesë e një pazëlli të madh të një imazhi edhe më të gjerë.

“Disa gjene apo rrethana që ndikojnë mbi gjenet, mund të shfaqin sigurisht disa pika të dobëta, apo të jenë të lidhura ngushtë me gjene të tjerë apo rrethana të tjera që ndikojnë në këtë mes. Por sot, shkenca duhet të bëjë kujdes të mos mbivlerësojë rolin e gjeneve të veçanta”.

Mund të ndodhë pra, që gjenet më të shkurtra të transportuesit të serotinës, të bëjnë që dikush të qeshë më shpesh. Mund të ndodhë që ai të qeshë lehtaz ose me nënqeshje ndaj një shakaje të hidhur.

Leave a Reply

%d bloggers like this: