Home / Arte / Libri / Sekreti i bukur i Rikard Ljarjes

Sekreti i bukur i Rikard Ljarjes

Një profil ndryshe i Rikard Ljarjes, regjisorit dhe aktorit të njohur

Dëshira e hershme për shkrimin dhe libri i ri që së shpejti del në treg

“O do të bëhem shkrimtar, o do të vdes …” Rikard Ljarja e sjell shpesh në kujtesë këtë fjali që ia tha vetes më shumë se gjysmë shekulli më parë. I rritur nën imagjinatën që i kishin dhënë leximet e së ëmës, e vetmja gjë që donte në adoleshencën e hershme ishte të shkruante. Zëri i saj, teksa i lexonte tregime apo romanë, i vjen ende si një jehonë e një kujtimi të largët që nuk ka për të ikur asnjëherë prej tij. Ashtu padashur, me dëshirën e saj të madhe për leximin, kjo grua kishte hapur përpara të birit një tjetër botë. Ajo kishte krijuar aty në atë shtëpinë e thjeshtë shkodrane, shkrimtarin e ardhshëm, lexim pas leximi. Me shkrimin brenda vetes, djaloshi i ri ëndërronte studimet për letërsi, për të vijuar më tej rrugën që e kishte projektuar herët. Por fati kishte rezervuar diçka tjetër për të … I ulur në një nga baret e Tiranës këto ditë tetori, Rikard Ljarja mban në duar librin e tij “Kohë qensh”, me një titull disi provokues botuar më 2009-n nga “Ombra GVG”. Një libër që të kujton shkrimtarin, një tjetër personazh i mbuluar nga silueta e fortë e aktorit këto vite. Rikard Ljarjes nuk i pëlqen të flasë shumë për librat që ka shkruar. Me modestinë e njerëzve të shkrimit ai beson se është lexuesi dhe kritika ata që duhet të flasin për librat. Ajo çfarë ai do, është të hedhë në letër gjithçka që i vjen ashtu natyrshëm nga brenda, për të dalë dhe të shkruajë të vërtetën. “Kur shkruaj nuk dua me rrejt”, thotë ai. Katër tregimet e këtij libri “Parafjalë”, “Hodo Beg Gjini”, “Kllapi”, “Histori qensh”, orvaten mes historisë dhe realitetit të kohës. Me një intuitë të zgjuar, Ljarja ka aftësinë të fusë në një lexim që të rrëmben dhe të zhvendos në kohë. Historia e Hodo Beg Gjinit, lindur në Shkodër në mesin e viteve 1700, vjen si një moral për kohën e sotme, por dhe si një udhëtim në të shkuarën për të cilën flasim shumë pak. Po kështu, Shan Deda i Dedë Jakupit apo Deda i Shan Dedës, pra i biri. Ai është një personazh historik: pasanik, tregtar që ka marrë pjesë edhe në Lidhjen e Prizrenit si përfaqësues i Shkodrës. “Humori i Dedës ka krijue tragjedinë”, shkruan Ljarja për këtë histori fatale, të dëgjuar herët, që e ka shndërruar në letërsi, duke i dhënë një tjetër jetë Dedës. Letërsia e Ljarjes është e angazhuar dhe jep pikëpamjet e tij mbi jetën, politikën, historinë, njeriun. Ashtu si natyra e tij e butë shpesh dhe shkrimi, përshkohet nga tone të ngrohta që e bëjnë më të dashur leximin. Shkrimi vjen si një “shpërthim tek ai”, si një reagim ndaj fenomeneve apo ndjesive me të cilat shpesh të përball realiteti. Atëherë ai futet në dhomën e tij të punës dhe ulet në kompjuter e shkruan. Lexuesja e parë prej vitesh është e shoqja, aktorja Marjeta Ljarja. Si njohëse e mirë e letërsisë, ajo jep edhe gjykimin e parë mbi atë çfarë ka shkruar. Mjafton një vështrim mbi mimikën e saj për të kuptuar çfarë ka shkruar. “Për mua të shkruarit letërsi është një ‘sëmundje’. Dhe libri, çfarëdo lloj teme të ketë, ka në themel, ‘simptomat e të sëmurit’ dhe ‘epidemitë’ që kanë rënë gjatë kohës kur ka jetuar shkruesi, sigurisht për atë që di të ‘lexojë’. Vdesin për bukë e megjithatë vazhdojnë të shkruajnë”, thotë Ljarja, duke mohuar që është një shkrimtar. “Shkruaj njësoj si miliona njerëz në këtë botë, që kanë shkruar dje, shkruajnë sot, e edhe nesër do të vazhdojnë të shkruajnë. Nuk dua të marr ‘ilaçe’, nuk dua ta bëj, e nuk dua të më bëjnë ‘kirurgji plastike’. Meqë thashë ‘sëmundje’, dua të jem ashtu siç jam me të vërtetë. Me të tëra gabimet. Pa më zbukuruar, korrigjuar, redaktuar, korrektuar … Dua të jem unë …”, thotë ai. Në fakt librat e shkruar prej tij e tregojnë këtë. Duket se shkrimtari nuk ndryshon shumë nga njeriu me të cilin po pi një kafe e ke humbur në biseda këto ditë vjeshte. Kjo, pasi Ljarja ashtu si me çdo gjë tjetër e lidh shkrimin me të vërtetën. Asnjë imagjinatë nuk mund ta tejkalojë të vërtetën. Ka vetëm pak kohë që ai ka përfunduar librin e tij më të ri, të cilin tani ia ka besuar botuesit. Kur dorëshkrimi shkëputet prej duarve të tij, atëherë merr një tjetër jetë. Ljarjes nuk i pëlqen të flasë për historitë që mbart ky libër, duke dashur të presë botimin. I njohur si një nga personazhet më të rëndësishëm të kinematografisë shqiptare, Rikard Ljarja thuajse e ka ruajtur si një sekret të bukur, lidhjen e tij me shkrimin. Miqtë e tij, njerëzit e afërt e njihnin këtë dimension të artistit. Por në kohën e diktaturës, as që mund ta imagjinonte se mund të pretendonte të dilte me një libër. Në një kohë kur lufta mes shkrimtarëve ishte e egër, gjë që e tregojnë dhe debatet që bëhen shpesh sot mes tyre, Ljarja preferoi të pranonte fatin e të qenët aktor. Një profesion që e ka bërë me aq dashuri sa dhe shkrimin. I kujtohet se shpesh, në atë banesën e vogël të dikurshme, në familjen e re që krijoi me bashkëshorten, në një kënd ulej dhe shkruante gjithë natën me dorë skenarë. Këta të fundit ishin ata që e mbajtën më të fortë lidhjen e tij me shkrimin, duke e bërë të mos vdesë shkrimtarin. Skenarët në njëfarë mënyre janë një lloj letërsie. Në vitin 1986, ai shkroi skenarin e filmit “Kur hapen dyert e jetës” të cilin do ta ekranizonte edhe si regjisor. Një histori që duket sikur është shkëputur nga një libër për forcën e ndjeshmërisë që e përshkruan. Historia e Bardhit, një mjeku të ri që emërohet të punojë në një fshat të largët malor, i cili bën një operacion të vështirë me mungesën e të gjitha mjeteve elementare, do të frymëzojë mijëra të rinj për punën. Përtej skematizmit të kohës mesazhi i këtij filmi është tepër aktual. Forca për t’ia dalë dhe atëherë kur gjërat janë të pamundura dhe për ta ndryshuar fatin pikërisht në momentin e fundit kur ai kërkon të rrëzojë. Rikard Ljarja sapo i kishte kaluar të 40-at kur shkroi këtë skenar. Dy vjet më vonë ai do të shkruante skenarin e filmit “Pesha e kohës”, ku shfaqet dhe si regjisor e aktor në rolin e Vasilit, përkrah emrave si Kadri Roshi, Fatos Sela, Margarita Xhepa, etj. Ngjarjet e këtij filmi zhvillohen në një fshat në vitet ’80. Në prag të pensionit Vasili ka shumë merita, por deri diku shpirtërisht i “burokratizuar”. Kryetari do që zëvendësi t’i ngjajë atij në karakter dhe në pikëpamje, por planet e tij dështojnë. Një film ku ndihet dora e shkrimtarit, në përsosjen që i ka bërë karakterit, duke sjellë në kinemanë shqiptare të asaj periudhe një film të thellë për sa i përket psikologjisë që mbart brenda. Rikard Ljarja ka profilin e një artisti të kompletuar duke provuar kinemanë në disa këndvështrime. Ai nuk është vetëm aktori, aq shumë i njohur nga publiku, por edhe regjisori i disa prej prodhimeve më të mira të kohës si “Pesha e kohës”, “Kur hapen dyert e jetës”, “Fundi i një gjakmarrjeje”, “Dita e parë e emërimit”, “Skëterrë 43”, “Radiostacioni”, “Në pyjet me borë ka jetë”…Por aktrimi ishte ai që e bëri një nga figurat më popullore në vend. Ende në kafene, rrugë, apo kudo ka njerëz që e përshëndesin si Dedën, apo Lukën, Gaqon. Galeria e personazheve të tij është e pafundme. Të pasurit e dimensioneve të tjera brenda tij, si shkrimtarin apo dhe regjisorin, e bënë aktorin më të përsosur. Ljarja shkrimin e ka parë dhe si një formë për të hedhur në letër mendimet e tij mbi estetikën. Vetëm pak kohë më parë, ai botoi në një të përditshme një shkrim mbi mjeshtërinë e aktorit. Një ese filozofike mbi një nga disiplinat më të vështira të artit. “Aktori ‘i bie’ qenies së tij, individualitetit të tij, personalitetit të tij. Ai ka ‘instrument’ vetveten në kuptimin më të thellë dhe të plotë, që nga maja ma e naltë e qimes ekstreme të kokës e deri te thoni i gishtit të vogël të kamës. Ai deformon, ose më mirë me thanë, dhunon shpirtin e tij, dhunon psihiken e tij, personalitetin e tij, dhunon vetveten. Ka instrument vetveten me trup e shpirt. ‘I BIE’ vetvetes. A nuk është pra një profesion tepër i vështirë? Tepër i lodhshëm? A nuk ka nuanca perversiteti? (jo në kuptimin seksual). A nuk ka pra nuanca perversiteti psihik ky profesion?”, shkruan Ljarja në këtë ese të thellë. Janë të pafundme shënimet estetike që ai ka hedhur në letra dhe gjatë viteve, duke krijuar një profil mbi mjeshtërinë e aktrimit. Tepër i ndjeshëm ndaj zhvillimeve në vend, pas një shkëputjeje të gjatë që ka me kinemanë, Ljarja tashmë duket se është rikthyer tek ajo që nuk do ta shohë më si një sekret, shkrimi. Pas kësaj bisede, ashtu siç bën çdo ditë, ai do të lërë kafenë për të shkuar për në apartament, aty ku dritarja e kompjuterit, i kujton një histori që e pret ta vazhdojë…

One comment

  1. E KEMI PELQYER RIKARDIN NE FILMAT SHQIPTARE SI AKTOR … POR NUK E KAM DEGJUAR C MENDIME KA PER KOHEN ME DIKTATUREN .. A ESHTE I KENAQUR NGA RINIA DHE AKSPERIENC E VET SI AKTOR ..APO KA FRIKE AKOMA ..A E KA ENDERRUAR NDONJEHERE TE LUAJE ME ALAIN DELONIN OSE .. TE LUAJE NJE GRAD FILM PER BOTEN APO SKA ENDERRUAR ASNJEHER … U KENAQ ME DISA ROLE NE SHQIPERI .POR QE NUK NIHEJ NE EUROPE …CDO I RI SHQIPTARE ENDERONTE AMERIKEN DHE BOTEN E LIRE …PO RIKARDI I RI CFARE EDNERRONTE … APO ISHTE I KENAQUR ME NJE ROL TE KAPEDANIT DHE DISA LEKE PER TE KALUAR MUAJIN ….

Leave a Reply

%d bloggers like this: