Ekonomia

Nis “lufta” në tregun e birrës

aaaaIndustria e birrës vendase po përballet me ulje të kërkesës dhe njëkohësisht edhe me shtimin e aktorëve në treg. Ata kërkojnë të respektohet taksimi në bazë të importit apo prodhimit. Por, qeveria, në paketën e re fiskale, po planifikon të taksojë më fort prodhimin vendas dhe të lehtësojë importin…

Pedonalja në qendër të Tiranës tashmë dekorohet për çdo festë. Së fundi, festat janë shoqëruar me birra, të importit ose të prodhimit vendas. Nëse ka një treg ku konkurrenca është ashpërsuar së fundi është ai i birrës. Pa ndonjë entuziazëm të madh të blerësve për të konsumuar më shumë birra, një prodhim i ri ka hyrë në treg këtë vit. Në të njëjtën kohë, edhe birra kosovare “Peja” ka rritur në mënyrë të theksuar prezencën e saj në Shqipëri këtë vit. Rritja e numrit të markave të huaja të importit nuk ka ndikuar në uljen e çmimit, pasi në treg të gjitha formatet e birrave vijojnë të shiten me çmimet e vitit të kaluar. Por, shtimi i aktorëve e ka rritur presionin mes bizneseve vendase, të cilat këtë vit duken shumë të zëna me llogaritë për të parë se ku do të dalin me akcizën e rritur, tarifën e koncesionit të pullës fiskale dhe kërkesën në rënie, sipas tyre.

Prodhuesit vendas ankohen se ka një rritje të lartë të taksës së birrës. Sipas tyre, dy vitet e fundit, vlera e taksave është rritur 60%. Shtimi i kostove, i shoqëruar edhe me forcimin e kontrolleve për informalitetin, po bën që sipërmarrjet jo vetëm tw mos zgjerohen, por rrezikojnë të kalojnë në recesion. Futja e birrave të reja në treg, sipas prodhuesve vendas, është bërë në kushtet e konkurrencës së pandershme. Ata thonë se birra kosovare nuk paguan akcizën që u takon birrave të importit, por taksohet me akcizën e prodhimit vendas. Hyrja në treg e dy birrave të huaja i ka shuar shpresat për rritje fitimesh këtë vit për kompanitë vendase, të cilat vetëm pak kohë më parë, shpenzuan në investime të reja. Sipërmarrësi i birrës “Stela”, Stefan Pinguli, thotë se është i kënaqur nëse këtë vit e mbyll pa humbje, e qëndron në shifrat e vitit të kaluar. Sipërmarrësit, në tërësi, ankohen për ulje të shitjeve. Në fakt, vitin e kaluar, tregu i birrës në total ka shënuar rënie.

Në vitin 2014, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë u prodhuan në vend 776 mijë hektolitra birrë, ose rreth 1.5% më pak se një vit më parë. Ulja vjen pas dyfishimit të prodhimit gjatë 2013-s, kur kompanitë vendase rritën investimet, e futën edhe formate të reja në treg. Referuar shifrave zyrtare, gjatë 2014-s, i gjithë tregu i birrës në vend ka shënuar tkurrje krahasuar me një vit më parë. Nga të dhënat e tregtisë së jashtme, importi i birrës ishte 18 mijë hektolitra më pak se një vit më parë. Nga 279 mijë hektolitra në 2013-n, importi ra 6.5%.

Në total, i gjithë tregu shënoi tkurrje prej 3% krahasuar me një vit më parë.

Por, ndërsa importi solli vetëm më pak të ardhura nga akciza, tkurrja e prodhimit vendas vitin e kaluar na faturoi dhjetëra të papunë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në 2014-n ushtronin aktivitetin 17 kompani të prodhimit të birrës, nga 15 që ishin një vit më parë. Në të njëjtën kohë, numri i të punësuarve zbriti në 456, ose 17% më pak se një vit më parë. Kjo ulje është shqetësuese, duke pasur parasysh edhe prirjen e industrive për të deklaruar punonjësit. Por tregu i birrës shënoi një prirje tërësisht të kundërt me sipërmarrjet e tjera prodhuese në drejtimin e punësimit.

Importet, kryeson Greqia

Në importin e birrës vijon të kryesojë tregu grek deri në fund të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të tregtisë, 42% e importit në 2014-n u siguruan nga fqinji grek, me një peshë lehtësisht në rritje krahasuar me një vit më parë, kur Greqia zinte 41% të importeve tona. Birra e importuar nga Greqia ka vijuar të qëndrojë në treg, për shkak edhe të lidhjeve të hershme të paktën të një prej kompanive të mëdha vendase. Tregu kosovar, i cili pritet të rrisë peshën gjatë 2015-s, dy vitet e mëparshme kaloi nga 4% në 6% të importeve të birrës.

Industria, mbi 15 milionë euro taksa

Sipas prodhuesve të birrës, aktualisht investimet në këtë fushë në gjithë vendin kapin një vlerë prej 80 milionë eurosh, ndërkohë që janë punësuar rreth 3 mijë persona në prodhim e shpërndarje. Vlera në total e kontributit të sektorit në arkën e shtetit përmes taksave, gjatë 2014-s arrinte në 15 milionë euro, ndërsa këtë vit rezulton të jetë edhe më i lartë, për shkak të taksave të rritura. Vitin e kaluar, sipërmarrësit kërkuan në prag të miratimit të paketës fiskale që të rishikohej akciza për birrën. Për markimin e birrës, ata kërkuan që taksa të zbresë 11 herë, nga 22 euro të parashikuara për një mijë njësi në 2 euro. Sipas Biznes Albania, një taksë të tillë nuk e kanë as vendet e Bashkimit Europian, e as vendet fqinje. Ndërsa në Shqipëri, për këtë pullë industria paguan rreth 1 milion euro më vit.

Investime të reja

Pavarësisht konkurrencës së ashpër nuk kanë munguar investimet e reja nga sipërmarrësit vendas. Elbar është marka më e fundit që është shtuar në treg, pas një investimi të kompanisë Agna. Sipërmarrësit e saj kanë besim se kjo markë e re do ta gjejë tregun e vet, pas një fushate agresive marketingu, por dhe duke shfrytëzuar avantazhet e kompanisë mëmë, që është grupi më i madh i shpërndarjes me pakicë në vend.

Birra në shifra

80 milionë euro, investimi në prodhimin vendas të birrës.

15 milionë euro/në vit, të ardhurat nga taksat e sektorit.

Në vitin 2013 rritet 2.5 herë prodhimi vendas.

Në vitin 2014 prodhimi bie 1.5%.

 

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button