Home / Arte / Teater / Teatri i Taulandës

Teatri i Taulandës

Ana

Ai fillon të më puthë… Mbështet kokën mbi gjoksin tim, më puth fort dhe më lutet: Unë jam këtu… Të lutem lufto… dhe më lër të të ndihmoj. Ai më puth, më puth, më shtrëngon… Është një akt dashurie, dëshire, pasioni, dhimbjeje, çmallje…lamtumire… nuk e di..Është alogjike, në mes të gjithë kësaj mynxyre ndihem me fat…Jam me fat që e kam. Ai është një njeri i mrekullueshëm. Unë po e tradhtoj, unë po i tradhtoj të gjithë…

“Malkony”/ Taulanda Jupi ngjit nesër në skenën e Akademisë së Arteve një monodramë për femrën. Nën kujdesin e Vjollca Hoxhës, kjo vepër u kushtohet gjithë atyre grave që kanë humbur jetën nga kanceri i gjirit dhe atyre që luftojnë çdo ditë për ta mundur atë… Një teatër për shpresën dhe guximin që rri brenda çdo gruaje…

“Nuk e dija ç’po ndodhte…por nuk do ta harroj kurrë. Ishte ora 10.28 kur ra ajo zile e mallkuar telefoni, që ndryshoi përgjithmonë jetën time. Megjithëse asgjë nuk ishte thënë, analiza dhe vizita të tjera do të bëheshin, e parandjeva se diçka kishte ndodhur…”. Këto rreshta janë shkëputur nga ditari i Anës, një gruaje që mund të ketë çdo emër, por që Taulanda Jupi e quajti thjesht Ana, teksa hidhte në letër ndjesitë e saj. Një grua, imazhi i së cilës na shfaqet i bukur, teksa lexojmë monodramën e shkruar nga Jupi, por njëkohësisht na bën të përlotemi në fatin e saj, teksa bën shpesh pyetjen “Përse mua?”. “Nuk fle dot… Edhe kur arrij të mbyll sytë zgjohem duke shpresuar se e gjithë kjo është një ëndërr. Më parë kur zgjohesha në mëngjes, zgjohesha duke menduar ‘kafe’, tani zgjohem duke menduar ‘kancer’… Nuk dua ta bëj më të rëndë nga ç’është, por duhet të mësohem me këtë fjalë. Ti ke kancer. Më besoni nuk është kjo më e keqja që mund t’ju ndodhë. Tmerri vjen pas kësaj… Kur ti gjendesh papritur në udhëkryqin më të vështirë të jetës tënde e nuk mund të zgjedhësh rrugën, sepse nuk arrin të shohësh. Nuk arrin të ndiesh asgjë…”, bën monolog Ana. Çfarë ndodh me një grua që është duke bërë betejën me vdekjen? Si janë ditët e saj, nga ankthi i sëmundjes, terapitë, ndjesitë për ikjen, e ku e gjen fuqinë për t’ia dalë për të luftuar? Ç’ndodh brenda në trupin e një gruaje, që vdekja i ka trokitur në fustanin e lehtë? Artistja dhe pedagogia në Akademinë e Arteve Taulanda Jupi, është futur brenda lëkurës së një gruaje që jeton me kancerin. Ajo u ul të shkruante një monodramë kushtuar këtyre femrave kurajoze, të cilat fati i kishte ndëshkuar rëndë, dhe pse nuk kishte jetuar një histori si të tyren. Me ndjeshmërinë e një artisteje ndaj çështjeve të gruas, ajo donte t’u jepte këtyre femrave një jetë tjetër, duke përshkruar një rrugëtim të trishtë, por frymëzues për nga kuraja që mbart. “Malkony” quhet monodrama e cila do të ngjitet nesër në skenën e Akademisë së Arteve, me aktore dhe regjisore Talanda Jupi, bashkëregjisore Aneta Malaj dhe as.regjisor Albana Koçi dhe producent Genc Përmetin. Kjo vepër do të jetë nën kujdesin e presidentes së “Top Media”-s, zonjës Vjollca Hoxha, e cila i bashkohet një kauze homazh për të gjitha ato femra që kanë humbur jetën nga kanceri i gjirit dhe atyre që luftojnë çdo ditë me këtë sëmundje. “Është një temë që më ka ngacmuar herët, ndoshta dhe për shkak të ndjeshmërisë që kam ndaj çështjeve të femrave, duke dashur t’i mbështes gjithnjë lëvizjet femërore, si tepër të rëndësishme për shoqëri të denja”, thotë Jupi. E konceptuar në formën e shtatë monologëve, vepra është një rrëfim mbi këtë sëmundje, që nga momenti kur një grua mëson se ka kancer, pranimi i sëmundjes, lufta që bën për të mbijetuar e deri te detaje të zakonshme të një jete jo të lehtë. Duket sikur Taulanda ka shkruar një monodramë për shpëtimin, duke kërkuar nëpërmjet kësaj pjese t’u japë zemër gjithë atyre femrave që vazhdojnë të jenë të sëmura ta mundin vdekjen, ndërsa atyre që do ta shohin shfaqjen të ndërgjegjësohen për trupin e tyre, duke bërë kontrollet mjekësore rregullisht. Një vepër për vdekjen, por dhe për dashurinë për jetën. Ana është vetëm një personazh në këtë monodramë, që përfaqëson dhjetëra karaktere, dhe reale që kanë frymëzuar Taulandën për këtë pjesë. “E konsideroj veten si shpirtin e shumë grave që flet”, thotë Taulanda e cila duket që është futur shumë brenda pjesës. Dje ajo ishte duke i dhënë fund provave për t’u ngjitur nesër para publikut. Pjesa mund të quhet si një ndërthurje gjinish, pasi ajo nuk është vetëm aktore apo regjisore, por dhe kërcimtare, këngëtare… Për të mbërritur te vdekja, Taulanda kërkon t’i japë personazhit të saj muzikë, vallëzim, pse jo dhe ëndrra të bukura që ndoshta mund të bëhen realitet atëherë kur sëmundja të ikë prej trupit. Pasi Ana e saj është 35 vjeç. “Unë nuk ndiej asgjë! Unë jam kaq e re! Unë kam shumë gjëra për të bërë! Unë kam jetë për të jetuar! Pse mua? Unë nuk jam gati të shkoj…Ndiej se si më mbështjell në krahët e tij bashkëshorti. Balli im laget nga lotët e tij… Lëshohem aty… Rrëzohem aty… Fshihem aty… Jooo. Nuk dua të bindem! Refuzoj të bindem! Nuk dua të shkoj! Nuk dua të vdes! Fëmija im? Si do të rritet pa mua? Doktor a mund të shpëtoj?…”, janë disa nga dialogët e Anës. Me aftësinë e një gruaje për të depërtuar në mendjen e një gruaje tjetër, Taulanda na e bën të plotë përjetimin e këtij personazhi, duke i dhënë asaj qindra jetë që kanë ikur prej kësaj sëmundjeje. Këto ditë provash duke përsëritur monologët e Anës, në skenën e Akademisë së Arteve, ajo ka ndier se i ka njohur më mirë ato. Ato nuk janë të trembura nga vdekja, as nga ikja… Është e jashtëzakonshme sesi një grua që lufton me sëmundjen nuk e humb aftësinë për të dashur dhe për t’u kujdesur për të tjerët. Aftësia e lindur për të mbrojtur e për të dhënë i bën ato të përfytyrojnë të ardhmen e fëmijëve, bashkëshortëve, apo njerëzve të dashur kur ato nuk do të jenë më. Është një rrugëtim i dhimbshëm mendimesh, të cilën Taulanda e ka dhënë me aq stil, për ta bërë më të plotë kronikën e kohëve të jetës bri vdekjes. Nën tingujt e “Sway”, ajo vallëzon, duke ndier ngrohtësinë e një jete që fshihet nën këtë torturë mendimesh. Por ajo do të jetojë… “Flokët e mi nuk janë më të gjatë, të derdhur dhe nuk mund të lëkunden nga era si dikur. Tani flokët e mi janë në formën e një pushi të hollë dhe kanë ngjyrën gri, por unë përsëri vesh këpucët e mia me taka, eci në rrugë dhe më duket vetja më e bukur se kurrë, sepse jetoj…”, mbyll rrëfimin Ana. Nesër në Akademinë e Arteve ajo do ta sjellë të plotë këtë rrëfim në një interpretim emocionues që nuk duhet humbur. Kjo, pasi Taulanda është mësuar t’i japë shpirt teatrit, duke e bërë ashtu natyrshëm si një nga gjërat që do më shumë në jetë. Dhe ky nuk është vetëm teatri i saj, por teatri i një kauze, e cila nuk duhet humbur, një kauze që na bën të ndihemi të gjithë Ana, e të reflektojmë mbi fatin e saj.

Leave a Reply

%d bloggers like this: