Home / Nga Facebook / Terrorizmit i duhet dhene pergjigjia qe meriton

Terrorizmit i duhet dhene pergjigjia qe meriton

 

Kohëve të fundit jemi dëshmitarë të ringjalljes grandioze të një stereotipi të kahershëm i cili frymëzon besime për Islamin si një religjion terrorist. Qarqet evangjeliste kanë botuar literature të tepruar dhe kanë dhënë deklarata të stërmbushura me urrejtje ku Islami portretizohet gjithnjë i ndërlidhur ngusht me gjak dhe dhunë. Evangjelisti i njohur amerikan Jery Fallwell e quajti më shumë se një herë para ca kohësh Muhamedin një ‘profet terrorist’, Franklin Graham, i biri i misionarit të njohur mirë në tërë botën Billy Graham, ngriti zërin gjithashtu disa herë për Islamin si një ‘religjion të prishur dhe të lig’ dhe Pat Robertson, poashtu një autoritet i njohur kishtar në Amerikë sikur i jep kulmin tërë kësaj duke e etiketuar besimin e muslimanëve si një ‘mashtrim monumental’ dhe Profetin Muhamed si një ‘fanatik me sy të egër….plaçkitës dhe kusar….vrasës’ …

Gjithashtu, edhe mjaft media tjera sekulare janë bërë pjesë e trendit që e ka bërë të natyrshme frazeologjinë si ‘terrorizëm islamik’, ‘ terroristë muslimanë’ etj, gjithnjë duke e përfshirë Kur’anin si frymëzues të këtij revolucioni terrorist të muslimanëve. As media dhe qarqe të caktuara shqiptare nuk janë jashtë kësaj loje. Relacioni ‘islam dhe terrorizëm’ është përmendur dhe vazhdon të përmendet aq shumë sa që duket se më as që i vret veshët e kujdoqoftë, është bërë aq i rëndomtë dhe sikur ka pushuar që të sfidojë arsyen e njerëzve të paparagjykueshëm për të hetuar vërtetësinë e gjithë sagës së akuzave të mësipërme. Një faqe interneti kristiane në shqip thumbueshëm proklamon se sikur njerëzit ti bindeshin Kuranit, tashmë do të ishim në luftën e pestë botërore !!! Këtu sikur vlen ironikisht ajo thënia e Hitlerit “Gënjeshtarët e mëdhenj janë edhe magjistarë të mëdhenj”. Dhe njëmend, rrenat, stereotipet dhe pikëpamjet e keqkuptuara për Islamin dhe Kur’anin nuk do të mund të mbijetonin apo të përhapeshin, pa metodat dhe mjetet e magjishme të atyre që i krijojnë dhe i propagandojnë ato. Këto insinuata rreth Islamit janë aq mire të kamufluara me zbukurime të gënjeshtërta sa që për dikë që nuk ka marrur kurrë mundin që të udhëtojë nëpër burimet e Islamit dhe logjikës së shëndoshë, mund të tingëllojnë si të vërteta. Mirëpo ku qëndron e vërteta. A është njëmend Islami religjion i dhunës dhe terrorizmit? A janë vërtetë muslimanë ata që do të kenë bërë aksione terroriste? A janë të gjithë terroristët me prapavijë fetare dhe me besime të supozuara Islame? Çfarë thotë Kur’ani për terrorizmin? Cili është qëndrimi i Islamit ndaj viktimave të pafajshme të terrorizmit? Çfarë mendon Islami rreth qëndrimit të Allahut rreth viktimave të dhunës e terrorit?

Terroristët kristianë !?

Pyetja që shtrohet për fillim është: a është e drejtë që të gjithë muslimanët dhe Islami të identifikohen me terrorizëm vetëm pse disa që e quajnë veten muslimanë kanë bërë ndonjë akt terrorist apo ngjashëm? Ose: a janë këto akte terroriste ekzskluzivitet vetëm i personave me prapavijë ‘muslimane’? Këto pyetje a kanë arsyeshmërinë e tyre në faktin se bazuar në burimet e Islamit, në Kur’an dhe në Sunnet, cilido që i bën dëm tjetrit, cilido që e cënon të drejtën e tjetrit e lëre më cilido që vret të pafajshmin jo vetëm që nuk mund të quhet musliman por me vullnetin e Perëndisë ka rregulla të posaçme për ndëshkimin e të tillëve në këtë botë dhe të njëjtit i pret gjykimi i drejtë i Zotit në përjetësi.

Pastaj, nëse bazohemi në standarde të njëjta me ato që satanizojnë muslimanët atëherë përfundimet mund të jenë shokante dhe të papëlqyeshme duke nxjerrë në pah gjithë hipokrizinë e të logjikuarit të tillë.

Se numri i të krishterëve, përkatësisht i atyre me prapavijë kristiane, gjithandej historisë të cilët kanë bërë aksione terrorizmi dhe masakra të papara në njerëz të pafajshëm, i tejkalon pjesëtarët e cilitdo besim tjetër, kjo nuk është për tu diskutuar. Shembujt e mëposhtëm do ta dëshmojnë këtë. Mirëpo përse mediat, autoritetet kishtare sikur edhe të gjithë misionarët e tjerë të krishterë kurrë nuk përdorin etiketimin ‘terrorizëm kristian’? Përse nuk i binden fjalëve të vetë Jezusit : Mos gjykoni se do të gjykoheni’ ose ‘Përse shikoni halën në syrin e tjetrit kur keni trarin në syrin tuaj’. Nuk ka nevojë këtu për të komentuar se fjala qartë është për një dyftyrësi të ulët.

Do të fillojmë me të famshmin Timothy McVeigh i cili jo shumë vite më parë, më 1995 hodhi bombën në Oclahoma City duke shkaktuar dëme gjigante dhe humbjen e jetës së shumë njerëzve. Dan Barker me të drejtë shtron pyetjen “Përse Timothy Mc Veigh nuk quhet terrorist kristian” [3]? E pra, përse? Ky terrorist sipas raporteve të FBI ishte i lidhur me grupet e djathta ekstremiste të cilat në agjendën e tyre kishin tematikë kristiane. Qëllimet e tij ishin të ngjyrosura me bindje dhe ide të krishtera. Gjithashtu grupi i famshëm racist Ku Klux Klan kishte një agjendë biblike në përndjekjen, masakrimin, vrasjen, djegien dhe maltretimin e qindra mijëra zezakëve amerikanë. Ata thirreshin në Bibël dhe besonin të kryenin vullnetin e Jezu Krishtit në këto aksione të tyre. Përse pra këta nuk quhen terroristë kristianë dhe Bibla në këtë rast ‘libër i terroristëve’? Duke shkuar mbrapa në historinë e këtyre afro-amerkanëve të shtypur për një kohë të gjatë nga të bardhët kristianë amerikanë ne gjejmë një fakt tjetër zhgënjyes. Skllavërimi i tyre dhe marrja rob nga Afrika ishte inicuar nga grupe të bardhësh amerikanë të cilët midis tyre kishin edhe misionarë biblikë. Edhe më zhgënjyes është fakti se këta misionarë kristianë të cilët gjoja shqetësoheshin për shpëtimin e këtyre zezakëve ishin krijuesit e absurdit më të madh në histori: krijimit të kishave në bazë ngjyre dhe race. Kështu deri vonë zezakët ishin të ndaluar të ndiqnin shërbimet në kishat e të bardhëve. Dhe shumica e këtyre zezakëve të robëruar dhunshëm, ishin muslimanë të cilët më vonë nën presionin e terrorit të të bardhëve kristianë u konvertuan në të krishterë. Përse këta ndërrues të dhunshëm të besimit nuk quhen terroristë dhe fundamentalistë?

A ka nevojë këtu të përmenden sulmet terroristë të kryqëzatave të cilat ishin nisur nën flamurin e dogmave kristiane gjoja për të çliruar vendet e shenjta nga paganët muslimanë? Që të gjitha këto kryqëzata kishin frymëzim biblik dhe kishtar. Mijëra muslimanë dhe hebrenjë u therrën tekstualisht nga ata që e quanin veten ‘ushtarë të Krishtit’. Përse këta nuk quhen asnjëherë terroristë kristianë?

Është përmendur lufta e pestë botërore më herët e cila paskësh pasur mundësi të ndodhte kaherë po qe se muslimanët do t’i bindeshin Kur’anit, gjithnjë sipas propagandas antiislamike. Hehe. Vallë kaq naive të jenë njerëzit e tillë sa të mos dinë se që të dy luftërat botërore të deritanishme u nisën nga kristianët, përkatësisht nga ata që e konsideronin veten për kristianë të paktën, e jo nga muslimanët. Pse, Hitleri bie fjala, ishte musliman? Hitleri ishte një kristian i devotshëm. Po pra, monstrumi i cili ishte strumbullari i luftës së dytë botërore dhe i cili vrau me qindra mijëra njerëz të pafajshëm nuk ishte musliman por një kristian i betuar. Besimi kristian ishte ai që atë e udhëheqte drej aksioneve të tia. Është fakt gjërësisht i njohur se ai thirrej në ide biblike dhe të krishtera në aksionet e tij famëkeqe. Në vijim do të japim disa fragmente të shkrimeve të tija vetëm sa për ta ilustruar këtë:

“Ndjenjat e mia si i krishter më drejtojnë tek Zoti im dhe Shpëtimtari im si një luftëtar. Ato më përkujtojnë mua një njeri i cili dikur në vetmi i rrethuar vetëm nga disa pauses, i njohu këta Çifutë për atë qfarë në të vërtetë ishin dhe i thirri njerëzit për t’i luftuar ata …

Në dashurinë e pafundme si kristian dhe si njeri unë lexoj nëpërmes pasazheve të cilat na tregojnë se si Perëndia më në fund u ngrit në madhështinë e tij dhe mori kamxhikun për ti dëbuar nga Tempulli ata këlysh nëpërkash dhe gjarpërinjësh. Sa i tmerrshëm ishte të luftuarit e tij kundër helmit Çifut…

Sot pas dymijë vitesh, me ndjenjat më të thella e njoh më qartë se kurrë më parë faktin se ishte për këtë që Ai (Jezui) u desh të derdhte gjakun e tij në Kryq…” [4]

E pra ja ky ishte Hitleri i cili sipas vetë fjalëve të tij në gjakun e Krishtit dhe në pasazhet biblike ku Krishti i dëbon hebrenjtë nga Tempulli e gjen frymëzimin për të bërë atë që ka bërë. Dhe sot, kush po inicon luftëra me përmasa katastrofale? Kush po pushton vendet e huaja me qëllime të ulëta përfitimi dhe pangopësie. Cilat vende i paskan sulmuar apo pushtuar muslimanët sot me qëllim të nisjes së ndonjë lufte botërore? Apo mos është e kundërta! Duke u nisur nga Ballkani dhe luftërat e fundme. A ishin muslimanët ata që inicuan luftëra apo ishin viktima të fqinjëve të tyre kristianë? Shpeshherë masakrat e bëra ndaj tyre e kishin bekimin e kishave të krishtera.

Një rast tjetër gjithashtu i freskët na vie nga Ruanda e vitit 1994. Kur Hutu milicia filloi sulmet e saj ndaj pakicës etnike Tutci, këta të fundit duke dashur t’i ikin masakrave ia mësynë kishave kristiane për të gjetur shpëtim aty. Mirëpo ndodhi tmerri, ajo që shokoi mbarë botën dhe me të cilën akoma po meret gjykata e Hagës për krime lufte. Në vend të kishat kristiane ti prisnin duarhapur këta Tutci të pafajshëm, priftërinjtë, pastorët dhe murgeshat në shumë raste me vetëdije të plotë i gjuajtën këta njerëz në duar të vrastarëve dhe faktikisht në shumë raste të tjera ishin vetë inicuesit e vrasjeve duke krijuar kështu një ndër krimet më të hatashme të shekullit që lamë pas. Gjykata e Hagës akuzon për krime lufte dhe gjenocid një numër të konsideruar të liderëve kishtarë kristianë Ruandezë nga të gjitha denominacionet: katolikë, protestanë, adventistë, evangjelistë etj. Më shumë se 50 000 njerëz të pafajshëm u therrën e masakruan në këtë luftë të ndihmuar nga paria kishtare. Edhe pse para luftës muslimanët në Ruandë ishin një pakicë e vogël diku prej gjithsej 7 % nga popullata e përgjithshme, ata e bënë të njohur emrin e tyre gjithandej botës e para së gjithash tek populli Ruandez për ndihmesën e tyre dhënë njerëzve të pafajshëm civilë dhe shpëtimin e tyre nga masakrat e sigurta duke i fshehur qoftë nëpër xhamia qoftë nëpër shtëpi private të muslimanëve. Sipas raporteve zyrtare Ruandeze dhe Perëndimore numri i muslimanëve pas luftës u dyfishua në mënyrë rapide dhe vazhdon të rritet me pranimin e Islamit nga mijëra Ruandezë. Tash pyetja veçse dihet: përse këta priftërinjë, pastorë, murgesha e njerëz të kishës nuk quhen terroristë duke qenë se zhgënjyen aq shumë njerëz që kishin kërkuar shpëtim tek ta duke i quar me duart e veta në gojën e ujkut? Kjo është një dyftyrësi e ulët !

Kemi përmendur gjithë këto raste me të vetmin qëllim që të sforcojmë dhe të tregojmë se sa naiv dhe dyftyrësh është përdorimi i standardeve të dyfishta gjatë njollosjes së Islamit dhe muslimanëve me nocione dhune e terrorizmi. Bazuar pra në këtë logjikë të përdorur nga kundërshtarët e Islamit vijmë deri tek rezultate dëshpëruese të cilat do të duhej të rezultonin me zbulimin e termave të rinjë gjatë emërtimit të aksioneve të mësipërme për arsye se vetëm fjalët terrorizëm dhune etj nuk janë të mjaftueshme për të përshkruar krimet e përmendura më sipër. Në anën tjetër muslimanët e udhëzuar nga Kur’ani janë shumë të kujdesshëm dhe nuk e gjykojnë besimin e askuj në bazë të veprave të ndonjë pjesëtari të tij. Muslimani i udhëzuar nga Zoti i Kur’anit nuk e lejon veten që të prodhojë urrejtje ndaj besimit të kujdoqoftë vetëm pse ndonjë i vetëquajtur i atij religjioni ka bërë aksione terrori dhe dhune. Allahu thotë në Kur’an: “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur” Kur’ani 49:13 Ndershmëria dhe afria me Allahun edhe në mjaft raste të tjera në Kur’an është treguar permes respektimit të të gjitha të drejtave të njerëzve të tjerë. Përkatësia ndonjë race, populli, apo religjioni tjetër nuk do të thotë se njeriut i ipet e drejta për t’i urrejtur ata apo për t’i etiketuar me çfarëdo epiteti ofendues, vetëm pse ndonjë pjesëtarë i atij populli, religjioni apo race ka bërë ndonjë bëmë të padrejtë e të keqe. Kur njerëzimi të vijë tok tek ky urdhër i Allahut dhe të kuptojë se diverziteti i njerëzimit në popuj, fise, raca etj etj është arsye e njohjes midis tyre, është bekim i jetesës së përbashkët, atëherë do të pushojnë të gjitha urrejtjet dhe mosmarrëveshjet e padrejta midis pjesëtarëve të raceës njerëzore.

Leave a Reply

Your email address will not be published.