Ekonomia

FMN: Jeni më mirë sesa e parashikuam

Raporti / Publikohen në Uashington konkluzionet për ekonominë dhe përmbushjen e kushteve të marrëveshjes

Shefi i FMN per Shqiperine

“Programi është në rrugën e duhur”, kështu nis raporti i FMN-së për Shqipërinë. Ky është raporti mbi rishikimin e parë të marrëveshjes së zgjeruar me Shqipërinë dhe kërkesën për modifikimin e kritereve të performancës. Më tej theksohet se, “të gjitha kriteret sasiore të performancës dhe standardet strukturore janë përmbushur, (përveç kontraktimit të një auditori të jashtëm për pagesat e prapambetura, i cili u publikua dje nga qeveria). FMN-ja konstaton se nuk janë akumuluar borxhe të reja, ndërkohë që evidentohet si rrezik potencial vonesa e reformës në sektorin e energjisë elektrike. FMN-ja rekomandon se nuk duhen masa të reja fiskale deri në fund të vitit 2014, por qeveria duhet të trajtojë rreziqet e mundshme fiskale. Çështja e kredive me probleme do të kërkojë, sipas FMN-së, vazhdimin e pastrimit të bilanceve bankare. Ndërkaq, kërkohet nga qeveria që të nisë puna përgatitore në lidhje me buxhetin e vitit 2015.

Pensionet

Reforma e pensioneve sipas FMN-së, ka bërë progres, ndërkohë që duhet vazhduar rregullimi i sistemit të ndihmës ekonomike për t’u pastruar listat nga abuzimet. FMN-ja e mbështet reformën e pensioneve që po miraton qeveria pas hartimit në bashkëpunim me Bankën Botërore. Projektligji për sigurimet shoqërore, sipas optikës së FMN-së, ka për qëllim të përmirësojë qëndrueshmërinë e sistemit, duke forcuar lidhjen midis kontributeve dhe përfitimeve. Nëse miratohet ligji do të sjellë: zëvendësimin e pensionit bazë (sipas sistemit aktual) me një pension social për banorët mbi moshën 70 vjeç, i cili do të mbulohet direkt nga buxheti i shtetit; barazimin e pagës minimale kontributive me pagën zyrtare minimale – aktualisht 22 000 lekë në muaj (rreth 160 euro) – dhe indeksimin e pagës maksimale kontributive me rritjen mesatare të pagave; rritjen e kohës, viteve kontribuuese 35-40 vjet deri në vitin 2025; rritjen graduale të masës së kontributeve rurale në nivelet urbane deri në vitin 2017; heqjen e tavanit të përfitimeve; rritjen graduale të moshës së daljes në pension në 67 vjeç deri në vitin 2056 për burrat dhe gratë (nga 65 vjeç për burrat dhe 60 për gratë aktualisht);

Sipas FMN-së, suksesi i reformës së propozuar do të varet nga pjesëmarrja e kontribuuesve në skemë dhe ka të ngjarë të kërkojë një afat të gjatë për t’u realizuar. Deficiti mesatar i projektuar për pensionet në periudhën 2015-2024 është

1 për qind të PBB-së, krahasuar me 2.2 për qind në bazë të skemës aktuale. Sipas skenarit pesimist, ku numri i kontribuuesve nuk rritet, skema e re do të shkojë me një deficit mesatar të 1.6 për qind e PBB-së gjatë 10 viteve të para.

Konsolidimi fiskal

Konsolidimi fiskal është më mirë sesa ishte programuar, thekson raporti, dhe nuk është e nevojshme marrja e masave shtesë për të ardhurat apo shpenzimet në vitin 2014. Objektivi i borxhit i vënë në program, duket i arritshëm. Ndërsa disa lloje taksash po ecin më mirë sesa pritej, performanca është mjaft e ndryshme mes kategorive dhe gjithashtu po rritet përkohësisht nga krijimi i fondeve të papaguara. Parashikimet për të ardhurat dhe shpenzimet në 2014-n mbeten gjerësisht në nivelin e theksuar në programin fillestar. Në tërësi, objektivi për deficitin e buxhetit mbetet i pandryshuar në raport me PBB-në. Si rrjedhojë, të ardhurat vjetore dhe objektivi i deficitit janë në nivel të përshtatshëm dhe në rrugën e duhur. Për më tepër, autoritetet kanë rënë dakord për një tavan mbi shpenzimet, i cili do të sigurojë që çdo e ardhur tepër, në rast se do të materializohet, do të kursehet. Shpenzimet kapitale janë ngadalësuar që nga fundi i vitit 2013, për shkak të rivlerësimit të nevojave e prioriteteve dhe kapacitetit të burimeve njerëzore të lidhur me tranzicionin e qeverisë. Ekzekutimi mbetet poshtë niveleve të parashikuara në buxhet këtë vit.

Stafi i FMN-së ka nxitur autoritetet të përshpejtojnë ekzekutimin e shpenzimeve kapitale të buxhetuara, në mënyrë që të shmangë ndikimin negativ në rritje; autoritetet presin që ekzekutimi të përshpejtohet gjatë vitit, tashmë që rishikimi i shpenzimeve kapitale është plotësuar.

Në 2015-n, hiqet dorë nga taksa e pasurisë, të ardhurat do të sigurohen nga burime të tjera.

Arritja e objektivave të programit për uljen e borxhit në afatin e mesëm do të kërkojë masa fiskale shtesë në 2015-n. Zbatimi i taksës të bazuar në vlerësimin e pasurisë, që fillimisht mendohej se do të ishte një pjesë e rëndësishme e rregullimeve në 2015-n, do të marrë më shumë kohë sesa pritej, për shkak të regjistrimit të tokës dhe problemeve të vlerësimit. Autoritetet janë të angazhuar të gjejnë masa të tjera, në mënyrë që të përmbushin objektivat e konsolidimit, në pjesën më të madhe nga kahu i të ardhurave, por duke rritur gjithashtu eficiensën e disa shpenzimeve përmes një organizimi më të mirë.

Rreziqet 

Energjia dhe pronat kërcënojnë buxhetin 

Gjithsesi, sipas FMN-së, rreziqet fiskale janë rritur nga problemet e energjetikës dhe kompensimi i pronave. Shirat e paktë mund të bëjnë që qeverisë t’i nevojiten importe energjie të garantuara në 2014-n, në nivelin e 0.3-0.6% të PBB-së. Kompensimi i pronave po kthehet në një shqetësim fiskal, përveçse po shkakton një rrezik të madh për klimën e investimeve dhe rritjen ekonomike teksa një numër pretenduesish, pasuritë e të cilëve u shpronësuan nën regjimin e komunizmit, kanë marrë vendime pozitive nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Pretendimet potenciale për kthim në vlerën e tyre të plotë mund t’i tejkalojnë ndjeshëm kapacitetet e qeverisë për të paguar. Kjo ka një urgjencë të lartë, për shkak të vendimeve të fundit të ECHR në favor të pronarëve të mëparshëm dhe perspektivës së gjobave potenciale që mund t’i vendosen qeverisë shqiptare. Për të zvogëluar rrezikun dhe për të zhvilluar një strategji, autoritetet do të kërkojnë një zgjatje të moratoriumit të gjykimeve të reja dhe po shikojnë mundësitë për të rishikuar legjislacionin ekzistues. Qeveria po negocion reformat në sektorin e energjisë me Bankën Botërore, në bazë të një huaje për reformën e sektorit të energjisë, e cila nëse do të zbatohet, do të ndihmojë në zvogëlimin e rreziqeve të sektorit.

Zamir Alushi

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button