Home / Arte / Muzike / “Atë që dashuria më tregon”

“Atë që dashuria më tregon”

Një koncert me veprat e kompozitorit Feim Ibrahimi me rastin e 80-vjetorit të lindjes. Në piano interpreton e bija

“Atë që dashuria më tregon” quhet koncerti që do të mbahet sot në orën 19:00 në Akademinë e Arteve, në kujtim të kompozitorit të njohur Feim Ibrahimi me rastin e 80-vjetorit të lindjes. Koncerti do të hapet me një suitë nga baleti “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë” (1986) për të vazhduar me romancë për soprano violonçel e piano (1997), ku interpretojnë sopranoja Emiljana Palushaj, violonçel Igert Zeqiri dhe në piano, e bija e kompozitorit, Etrita Ibrahimi. “Valle epike” (1974), nën dirigjimin e Enea Sadushit, “Xhaketa e kuqe”, me tekst të Vllasova Mustës (1970), “Rrjedh në këngë e ligjërime” teksti Gjokë Beci (1980), që do të vijnë nën interpretimin e Manjola Nallbanit. Më pas do të interpretohet simfonia nr. 3 e G. Mahler, dhe pjesa “Atë që dashuria më tregon”, e cila është zgjedhur si homazhi që orkestra simfonike e Universitetit të Arteve bën për kompozitorin e njohur. Feim Ibrahimi është një nga kompozitorët më të njohur shqiptarë. I lindur më 20 tetor 1935 në qytetin e Gjirokastrës, gjithë jetën e tij ia kushtoi muzikës klasike. Ai u nda nga jeta në vitin 1997, duke lënë pas një kontribut të çmuar në historinë e muzikës shqiptare. Muzika e Ibrahimit shtrihet thuajse në të gjitha zhanret: miniatura instrumentale, muzikë filmash, muzikë dhome, koncerte për instrumente solo dhe orkestër, simfoni, balete dhe vepra vokale. Dialog për violonçel dhe piano, si dhe romanca “E la tua veste è bianca” (sipas një poeme të S. Kuazimodoso) për soprano, violonçel dhe piano, (të dyja të kompozuara në qershor të 1997-s) janë punët e fundit të kompozitorit.

One comment

  1. Ju lutem, duhet te korrigjoni kete informacion, pasi ketu nuk permendet fare dirigjenti Petrika Afezolli, nderkohe qe dirizhoi te gjitha veprat orkestrale te koncertit (me perjashtim te “Valle Epike” qe u dirizhua, siç e keni thene edhe ju, nga dirigjenti Enea Sadushi). Per me teper, Petrika Afezolli, se bashku me Prof. Dr. Zana Shuteriqin, dekanen e Fakultetit te Muzikes, jane ata qe iu dedikuan plotesisht organizimit dhe realizimit te ketij aktiviteti qe Universiteti i Arteve beri ne nderim te 80-vjetorit te babait tim, kompozitorit Feim Ibrahimi.

    Faleminderit dhe pune te mbare!

Leave a Reply to Etrita Ibrahimi Cancel reply

%d bloggers like this: