Kronika

Pesë mijë USD fals në tregun e kryeqytetit, vinin nga Zvicra

moneyPolicia e Tiranës zbulon grupin dhe sekuestron paratë. Shpërndaheshin nga përdorues droge

Pesë mijë dollarë fals që do të hidheshin në tregun e Tiranës janë bllokuar nga policia, ndërkohë që kanë përfunduar në pranga poseduesit e tyre. Por policia ka dyshime se nga i njëjti grup personash janë hedhur në treg edhe para të tjera false, para se grupi hetimor të binte në gjurmët e tyre. Goditja e këtij grupi u krye gjatë operacionit të koduar “Distinktivi”, ndërkohë që nga të dhënat paraprake thuhet se dollarët vinin nga Zvicra dhe kartëmonedhat kishin prerje 100-she. Personat që kryenin procesin e këmbimit të parave, nga dollarë në lekë, ishin kryesisht përdorues droge. Për shërbimin që kryenin, ata merrnin një pjesë të vogël të parave.

Operacioni

Gjatë ditëve të fundit, në sektorin e krimit ekonomik, ishin bërë disa denoncime për futjen e parave false në treg. Personat që bënin denoncimet, ishin kryesisht pronarë të pikave të këmbimit valutor. Ata thoshin se disa persona ishin paraqitur si klientë dhe kërkonin të thyenin shuma të caktuara dollarësh, në lekë shqiptare. Kallëzuesit kanë qenë në gjendje që t’i përshkruajnë grupit hetimor tipare fizike të mashtruesve, duke i dhënë mundësi policisë që të krijojë identikitet e autorëve. Gjithashtu, denoncuesit u kanë dorëzuar edhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë që janë instaluar në objekt. Pas marrjes së denoncimeve, sektori ekonomik nisi punën për zbardhjen dhe goditjen e grupit kriminal. Ai administroi të gjitha provat materiale dhe faktet që ishin grumbulluar nga pala e dëmtuar. Si pasojë e kësaj, policia doli në konkluzionin se autorët e krimit vepronin në një mënyrë shumë të organizuar. Si të dyshuar kryesorë, policia ka vënë në pranga, I. Nasufi, H. Taka. Më herët në pranga ka rënë edhe E. Praci, i cili nga të dhënat policore mund të jetë përgjegjësi kryesor i funksionimit të grupit. Në rrethana ende të pasqaruara, Piraçi sillte nga Zvicra dollarët e falsifikuar. Në bashkëpunim me Nasufin dhe Takan, ata gjurmonin persona që kishin varësi nga droga dhe nevojë për para. Në këmbim të shpërblimit monetar, ata përdoreshin nga tre personat e lartpërmendur. Të droguarit duhej të futeshin në pikat e këmbimit valutor, për të thyer shuma të ndryshme parash, nga dollarë të falsifikuar në lekë shqiptare. Pasi kryenin këtë procedurë, ku në disa raste ishin të suksesshëm, ata ua dorëzonin lekët tre të arrestuarve dhe si këmbim merrnin përqindjet e tyre. Ende nuk dihet sasia e dollarëve false që janë futur në tregun shqiptar, por grupi hetimor po punon intensivisht për zbardhjen e të gjithë skemës së krimit. Pas një hetimi të zgjatur, policia mundi që të identifikojë personat e lartpërmendur. Ajo ka pritur rastin që t’i arrestojë në flagrancë. Një ditë më parë, është planifikuar edhe arrestimi i autorëve të krimit. Sipas burimeve policore, Nasufi dhe Taka kishin kontaktuar dy përdorues droge. Pasi i kishin dhënë shumën e parave që duhej të këmbenin, ata janë nisur drejt pikës së këmbimit valutor. Dy personat e identifikuar si Nasufi dhe Taka, kanë pritur me makinë, jashtë, ndërsa dy të tjerët janë futur brenda, për të këmbyer paratë. Plani nuk u ka ecur, pasi policia ka ndërhyrë në kohë për arrestimin e tyre. Në cilësinë e provës materiale janë bllokuar 5000 dollarë, të cilët do të hidheshin në treg. Të gjitha kartëmonedhat kishin prerje 100-she. Ndërkaq, ende nuk dihet sasia e lekëve false që është hedhur në treg. Grupi hetimor është duke mbledhur prova në terren, për të gjithë skemën kriminale që është përdorur nga të arrestuarit. Gjithashtu, të arrestuarit nga blutë e Tiranës, janë marrë në pyetje në lidhje me akuzat që rëndojnë ndaj tyre. S. Muça

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button