ParlamentarePolitika

Rama: Berisha, kryefalsifikator i 25 viteve. Berisha: Rama ka kompleksin e turpit

Duke cituar fjalë të ish kryeministri Sali Berisha ndër vite, Rama tha se loja mbetet po ajo, por ndryshojnë vetëm emrat. Rama tha se opozita është vonë për rezolutën për medaljen, pasi tashmë ka nisur puna për të tërhequr medaljet.

“Të gjitha mbarojnë me shprehjen se shqiptarët e marin shumë seriozisht politikën, por politika është lojë njësoj si loja e bunkerit, medaljeve, … E njëjta lojë vazhdon prapë, thjesht kanë ndryshuar personazhet, kënga është po ajo.. e njëjta lojë vazhdon dhe me Saimir Tahirin, dhe me Ilir Beqjan, Damian Gjiknurin e këdo tjetër që mundohet të bëjë diferencën me ide, projekte e punë. Emrat janë të rastit, loja është e njëjta. Sa për të ardhur konkretisht te medalja, jeni shumë vonë. Jeni shumë vonë sepse ne e kemi marrë ndërkohë edhe vendimin edhe të gjithë punën e nevojshme jo vetëm për t’i tërhequr të gjitha medaljet që u dhanë me dekretin e Saliut, me vendimet e Saliut, por edhe për të mos lejuar më që të tjerë pas nesh të bien pre e të njëjtit qorrsokak”, tha kryeministri Rama.

Rama tha se ai kërkoi ndjesë “për një faj që nuk e kishte bërë”, duke e quajtur paraardhësin e tij si kryeakuzator dhe kryefalsifikator në këto 25 vjet.

Në përgjigje ndaj tij ish kryeministri Berisha tha se ligji i 1994 parashikonte përjashtimin e kategorive për të cilat bëhet debati, por falë një amendimi të Edi Ramës emrat famëkeq janë përfshirë në listë.

“Kur të shof ty që më citon mua ku të ndridhet zëri, do të thotë që në njëra anë më bëhet zemra mal se je një derivat hiç. Vetëm ty të ka mbetur mendja se unë jam gjithçka se unë jam kryeministër. Pas citimit të fjalimeve të Enver Hoxhës, dhe pamfletit famëkeq që shkruajte kur vdiq ai… e shkrojte e di vetë ti. Unë ndërtoj mbi projekte dhe jo fjalime. Këtij i duhet të fshihet tani, se ky nuk ka pendesën, ky ka kompleksin e turpit. Po të ketë pendesën, ngrihet këtu kërkova të falur, anuloj menjëherë dekoratat, rikthej në fuqi lustracionin. Amendoj ligjin. Këto janë qëndrimet e njeriut të qytetëruar po ti udhëhiqesh nga probleme të tjera, nga probleme të tjera. Ti nuk ke asgjë të përbashkët me një njeri të qytetëruar”, u shpreh Berisha.

Tensione në Kuvend, opozita kërkon rezolutë për tërheqjen e dekoratave

Parlamenti ka nisur me tensione pas kërkesës së PD-së për mbledhjen e grupit të saj. Edi Paloka bëri të ditur qëndrimin e marrë në këtë mbledhje që brenda seancës së sotme, të mblidhet një komision dhe të hartohet një rezolutë për tërheqjen e dekoratave.

“Të kërkojë heqjen e menjëhershme të këtyre dekoratave që ka dhënë kjo qeveri për kriminelët e komunizmit, heqjen e menjëhershme të atyre që dihet se kanë lyer duart e tyre në gjakun e qytetarëve të pafajshëm për këto, meqënëse dhe kryeministri juaj na doli dhe bëri të paditurin për këtë çështje, le ta tregojë vullnetin sot dhe të bashkohet me opozitën, dhe meqë Parlamenti nuk ka seanca të tjera që mund ta kryejmë këtë akt madhor u kërkojmë që sot të ngrihet një grup të përgatisi rezolutën që të miratohet sot”, tha Paloka.

Por ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli deklaroi se qeveria ka nisur punën për tërheqjen e këtyre dekoratave, dhe ndryshimin e ligjit të vitit 1994 për kategorizimin e veteranëve, për të hequr këtë kategori personash.

“Zotërinj të opozitës të them të drejtën jeni kujtuar vonë, kanë kaluar 25 vjet për të bërë këtë propozim që vjen si shkak i një ligji, VKM-je, komisionit të ngritur të bazuar në këtë ligj e VKM, lidhur me këtë listë famëkeqe të veteranëve të kategorisë A. E kemi nisur punën për të dalë nga ky qorrsokak ku na keni futur. E kemi filluar punën jo vetëm për tërheqjen e medaljeve të dhëna, për shkak të vendimeve të mara 20-vjet më parë. Por do ta vazhdojmë këtë gjë, se nuk mund të mbetemi dhe të kemi mbi kurriz një faj të një natyre që ne nuk na takon se nuk jemi ne gjeneruesit”, tha ministrja Kodheli.

Por fjala e ministres është shoqëruar me tensionin e opozitës, të cilët kanë ndërhyrë herë pas herë.

Kodheli: Pa pasur frikë dhe nëpërmjet ndjesës, ndjesë që ju duhet të kishit kërkuar vite më parë
Topalli: Ndjesë kërko duke tërhequr dekoratat.
Berisha: Kjo është bërë kaq bajate, është turp zonjë!
Topalli: Hiqni dekoratat moj zonjë. Ligji nuk ka emra.
Kodheli: Mundohuni…. i keni dhënë status të veçantë.
Topalli: Po zonjë, ligji nuk flet për emra.
Kodheli: Zonja Topalli kur të mbarojë unë.
Berisha: Mos të fshihet pas asaj (Kodhelit), të vijë këtu (Rama).
Kodheli: E kemi nisur punën dhe kemi çuar në kryeminsitri propozimin për ndryshimin e VKM-së dhe të ligjit të vitit 1994 me qëllim pastrimin e listave nga kjo kategori. Kategori që ka gëzuar të gjitha (opozita ngrihet në këmbë)…

Më pas ish kryeministri Berisha foli sërish në foltoren e Kuvendit ku kërkoi që i pranishëm në sallë të ishte dhe vetë kryeministri Rama. Ai doli në mbrojtje të ligjit të ’94, për të cilin tha se ndaloi dhënin e e statusit të veteranit kriminelëve. Berisha kërkoi edhe hapin e radhës, miratimin e ligjit të lustracionit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button