Home / Te ndryshme / Makina dyvendëshe që francezët e ngasin pa patentë

Makina dyvendëshe që francezët e ngasin pa patentë

Nëse po planifikoni të udhëtoni në Francë, ja se cila duhet të jetë ndalesa juaj e radhës: një dyqan ju ofron disa makina, të cilat janë shumë popullore ndër shtetasit që këndojnë Marsejezën.

Të humbasësh patentën mund të rezultojë shpesh në një sërë burokracish që janë jo vetëm të shtrenjta, por edhe që të humbasin kohën.

Por në Francë, nëse nuk ke patentë, ky nuk është problem. Mjafton të dilni në treg dhe të blini një VSP ose ndryshe voiture sans permis – një makinë e vogël me dy ndenjëse, të cilën të gjithë, duke ia nisur nga mosha 14-vjeçare e lart, mund ta nxjerrin në rrugë me më pak se katër orë përvojë në timon.

Është e pamundur të thuhet se sa njerëz e përdorin këtë mjet transporti, pasi nuk ekzistojnë statistika zyrtare. Siç i thonë edhe francezët është një chiffre noir – një sasi e panjohur.

Kur i dëgjon fillimisht të afrohen, këto makina kanë një zhurmë të lartë, por shpejtësia maksimale është 45 kilometra në orë. Mund të jetë një ide e mirë të ndalosh në xhepin tjetër të rrugës dhe të admirosh pamjen në vend që të rrish në timon.

Në ditën e tregut, kohë kur të gjithë njerëzit janë në lëvizje, të tilla makina përbëjnë një hit. Ndonëse përkthimi i saktë nga frëngjishtja është “makinë pa patentë”, në fakt është shoferi ai që nuk ka nevojë të provojë aftësitë e tij apo të saj në ngarjen e makinës.

Dikur, këto makina shiheshin si një mjet transporti që shumë shpejt do të dilnin nga qarkullimi, por edhe sot ato mbeten shumë popullore në popullsinë rurale në plakje. Për më tepër, këto makina nuk janë të mirëmbajtura, shpesh të lyera pa kujdes përsipër, të lidhura me skoç në pjesët e ndara.

Të enjteve, ditën e tregut, ndihet njëfarë tensioni në rrugë. Është koha kur zonjat e moshuara marrin në duar timonin. Problemi, sipas një banoreje, është trashëgimia. Kur një burrë që zakonisht bënte të gjithë pazaret ndahet nga jeta, ai ia lë makinën e tij bashkëshortes.

Për shkak se këtu është e pamundur të mbijetosh pa pasur diçka që ta ngasësh, vejushat detyrohen të gjarpërojnë ngadalë nëpër qytezë. Për një nga zonjat, nervozizmi është shumë i lartë, por ajo pranon se nuk bën ndonjë dëm të madh ngaqë e nget shumë ngadalë.

Sigurimi i makinës bëhet i shtrenjtë vetëm nëse ajo lëndon ndonjë person, por shumicën e rasteve është vetëm ndonjë pasqyrë e thyer ose ndonjë e gërvishtur e vogël ajo që ndodh, çka nuk përbën ndonjë problem.

“Gjithnjë do të ketë njerëz që do të ngasin pa pasur një patentë, por të tilla makina janë më të mira, pasi ato nuk kanë shumë fuqi motorike dhe për këtë arsye, nuk janë të rrezikshme”, thotë e moshuara.

E vërteta është se shumë persona që e humbasin patentën dalin direkt nga gjykata dhe u drejtohen shitësve të këtyre makinave dhe sa hap e mbyll sytë, janë përsëri në rrugë. Sigurisht se atyre u duhet sigurimi, i cili është paksa i shtrenjtë, nëse shoferi ka një histori të dëmtimit të makinave.

Arsyeja përse francezët përdorin makina të tilla, është e ndryshme. Nëse pyet në klubet e vogla të qytezave, merr shpjegime të shumëllojshme. Një prej banorëve thotë se provimi i patentës është shumë i vështirë.

Por një histori që është edhe më e zakonshme, është ajo kur dikush humbet patentën e tij dhe blen një makinë të tillë. Sapo patenta i rikthehet, ai e shet makinën te një i alkoolizuar që ia kanë pezulluar patentën dhe gjithçka i kthehet normalitetit.

Në këtë mënyrë, makina ndryshon duar shpesh dhe pa kaluar viti, pronari origjinal (që nuk i ka mundur veset e alkoolit), e blen atë përsëri.

Jeni kureshtarë se sa makina të tilla mund të shiten? Në një qytezë të vogël franceze përballë Britanisë së Madhe, shiten tre makina të tilla në javë. Por a i shitet kjo makinë kujtdo që ecën në rrugë?

“Vetëm atyre që kanë një sigurim”, përgjigjet shitësi i makinave.

Modeli më i ri i këtyre makinave quhet VSP sports, por pavarësisht emrit, shpejtësia maksimale është 45 kilometra në orë.

Për një çmim prej 14 mijë eurosh ka ajër të kondicionuar, një kamera rezervë dhe një sistem zanor që e bën këtë makinë disi moderne. Të lehta për t’u parkuar, të lira për nga karburanti dhe shumë të manovrueshme, këto makina po tërheqin gjithnjë e më shumë prodhuesit e makinave.

Të rinjtë duhet të bëjnë një test teorik mbi kodin rrugor francez dhe të ngasin makinën të shoqëruar për të paktën katër orë, por nuk nevojitet asnjë test praktike për të ngarë një VSP.

Mjafton të përzgjidhni ngjyrën e preferuar, të blini një makinë të tillë, të keni një siguracion dhe ja ku jeni duke ngarë një makinë pa patentë në rrugët franceze!

Burimi: BBC

Leave a Reply

%d bloggers like this: