Te ndryshme

Shtëpia e dikurshme e Che Guevarës kthehet në pikë sportesh ujore

Menjëherë pasi revolucionarët kubanë morën pushtetin në Havanë, Ernesto “Che” Guevara pësoi një atak akut astme. Për të marrë veten, ai u zhvendos në një shtëpi që gjendej në një resort jashtë kryeqytetit të quajtur Tarara.

Plazhet e Karaibeve, uji i kristaltë dhe ajri i pastër, shumë i rëndësishëm për mushkëritë e Che, ishin perfekte për rikuperimin e tij nga muajt e luftës si në xhungël kundër ushtrisë së Fulgencio Batistës. Guevara, megjithatë, nuk pushoi shumë pasi mbante takime të gjata natën bashkë me shokët e tij.

Gruaja e tij, Aleida March, kujton ato pak javë që kaluan në Tarara me nostalgji.

“Ne jetuam në atë shtëpi për vetëm dy muaj dhe megjithëse nuk na u bë kurrë shtëpi, kemi kujtime të lumtura nga ajo kohë”, – shkroi ajo në autobiografinë e saj.

Ata e shijuan qëndrimin aq shumë, saqë çifti u kthye në resort për një muaj mjalti të shkurtër disa muaj më vonë.

Ndërtuar mes viteve 1940 dhe 1950, Tarara filloi jetën si një arratisje buzë detit për familjet e pasura të Havanës dhe elitat ushtarake të qeverisë së Batistës. Në fakt, shtëpia ku Che Guevara qëndroi më parë i kishte përkitur një “zyrtari doganash me lidhje të afërta me diktaturën”, shkroi në ditar gruaja e Che Guevarës.

Por sapo Fidel Castro mori pushtetin, shumica e banorëve u larguan në mërgim ose u dëbuan.

Sot shumica e 500 shtëpive në Tarara i përkasin shtetit. Shumë janë në gjendje të keqe.

Qyteti i vogël ka luajtur disa role përgjatë viteve.

Në kulm të Luftës së Ftohtë, strehoi zyrtarët sovjetikë që punonin si këshilltarë në Kubë. Por pas rënies së Murit të Berlinit, resorti u përdor nga një grup vizitorësh nga ish-blloku sovjetik.

Mijëra fëmijë të prekur nga katastrofa bërthamore e Çernobilit në vitin 1986 erdhën në Tarara si pjesë e një programi mjekimi nga qeveria. Nga viti 1990, repartet e Spitalit Pediatrik të Tararës ishin plot me fëmijë nga Rusia, Ukraina dhe Bjellorusia, ku shumë vuanin nga kanceri ose sëmundjet e padurueshme të lëkurës. Ata shpresonin të përfitonin nga të njëjtat kushte të ajrit si Che Guevara dekada më parë.

Së fundmi, pacientët nga Venezuela kanë marrë trajtim katarakt në resort si pjesë e marrëveshjes së rinovuar “naftë për doktorë” në të cilën Kuba paguan për naftën e Venezuelës me kujdes shëndetësor.

Por duke bërë një shëtitje rreth Tararës sot ka pak gjasa të gjesh shumë pacientë syri venezuelanë ose fëmijë nga Ukraina. Tanimë ata që hasen më shpesh janë entuziastët e sërfit me balonë nga e gjithë bota. Resorti i vogël mburret me kushtet ideale të erës që shërbejnë për sporte ujore dhe gradualisht fjala po përhapet.

“Ka potencial shumë të madh për sërfin me balona në Kubë, veçanërisht këtu në Tarara”, thotë Matteo Gatti, një italian 40-vjeçar që është “truri” pas identitetit të ri për sërf në qytet. “Ne duam ta bëjmë këtë një fshat të sporteve ku njerëzit vijnë për të bërë sërf me balonë, joga, çiklizëm apo të tjera”, thotë ai.

“Gjatë stinës së uraganit në Kubë, ka një anë shumë të mirë të rrahur nga era dhe plazhet janë bosh”, thotë Gatti, me italishten e tij të infektuar disi nga spanjishtja e Kubës. “Ditën mund të bësh sërf ere dhe natën mund të kërcesh, të shkosh në restorante apo të shohësh një koncert, sepse Havana është vetëm 10 minuta larg. Këto janë kushtet ideale”.

Gati mund të ketë të drejtë. Vendndodhja është ideale. Megjithatë nuk mund të jetë e lehtë të realizohet ëndrra e tij e kthimit të Tararës në një qendër të Karaibeve për sportet ujore ekstreme.

Ai e ka gjetur mirë kohën, teksa Kuba hapet gradualisht për investitorët e huaj, veçanërisht në turizëm. Por atij i është dashur të merret me burokraci dhe dokumentacione për të fituar të drejtën e veprimtarisë për Klubin e Sërfit me Balona në Havana.

“Ne e kemi këtë leje nga qeveria, sepse përdor kubanezët, instruktorë vendas”, shpjegon ai. Një prej tyre, Julio, tregon se si bëhet sporti ujor.

Sipas instruktorit, manovrat nuk janë edhe aq të vështira nëse personi që po e bën imagjinon akrepat e orës në qiell dhe e valëvit balonën para dhe mbrapa drejt pozicionit të orës 12:00.

Vitin e ardhshëm, ata do të organizojnë një kompeticion ndërkombëtar për sërfin me balonë. Këto plane të fusin në mendime për faktin se çfarë do të mendonte Che Guevara për këtë konkurs sërfi në shtëpinë e tij të muajit të mjaltit apo si do t’i dukeshin ndryshimet më të fundit në Kubë.

*Burimi: BBC.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button