Te ndryshme

Nga India në Europë me biçikletë, për dashurinë

Artisti indian, PK Mahanandia, u njoh me Charlotte Von Schedvin në një mbrëmje dimri në Delhi në 1975, kur ajo i kërkoi atij t’i bënte një portret.

Vazhdimi do të ishte një udhëtim epik me biçikleta nga India në Europë, i gjithi për dashurinë. Von Schedvin po vizitonte Indinë si turiste kur vuri re Mahanandian në distriktin Connaught Place të Delhit.

Ai kishte krijuar emër si artist skicash dhe gëzonte një reputacion të mirë në shtypin vendas. Por asaj nuk i bëri ndonjë përshtypje të madhe rezultati dhe vendosi të kthehej të nesërmen.

Edhe e nesërmja për fat të keq nuk rezultoi më e mirë. Për t’u mbrojtur, Mahanandia i tha se kishte qenë i zënë me një parashikim që e ëma i kishte bërë vite më parë.

Kur ishte një nxënës shkolle dhe po rritej në një fshat në lindje të Indisë quajtur Orissa, ai shpesh përballej me diskriminimin nga studentët e kastës së lartë sepse ishte një Dalit, – që konsiderohej si kasta e fundit e hierarkisë së Indisë.

Kurdo që ndihej i mërzitur, e ëma i thoshte se sipas horoskopit, ai një ditë do të martohej me një grua “që do të kishte shenjë të zodiakut demin, ajo do të ishte nga një tokë shumë e largët, do të ishte e dhënë pas muzikës dhe do të kishte nën pronësi një xhungël”.

Ndaj kur ai njohu Von Schedvin, menjëherë iu kujtua parashikimi i së ëmës dhe e pyeti atë nëse zotëronte një xhungël. Von Schedvin, familja e të cilës vjen nga fisnikëria suedeze, iu përgjigj se ajo zotëronte një pyll dhe se jo vetëm që ishte e dhënë pas muzikës (luante piano), por shenja e saj e zodiakut ishte gjithashtu demi.

“Ishte një zë i brendshëm që më tha se ajo ishte e duhura. Gjatë takimit tonë të parë u tërhoqëm nga njëri-tjetri si me magnet. Ishte si dashuri me shikim të parë”, tha Mahanandia për BBC.

“Nuk e di ende se çfarë më shtyu t’i bëja pyetjet dhe pastaj ta ftoja për çaj. Mendova se do të ankohej te policia”. Por reagimi i saj rezultoi krejt i kundërt.

“Mendova se ai po tregohej i ndershëm dhe doja të dija përse m’i kishte bërë ato pyetje”, tha Von Schedvid për BBC.

Pas disa bisedave, ajo ra dakord të vizitonte Orissan me të. Monumenti i parë që ajo pa ishte tempulli i njohur Konark. “Pata shumë emocione kur PK më tregoi Konarkun. E kisha këtë imazh të tempullit të gurtë si panoramë në dhomën time të kolegjit në Londër, por nuk e kisha idenë se ku ishte ky vend në të vërtetë. Dhe ja ku isha duke i qëndruar përballë”.

Të dy ranë në dashuri dhe u kthyen në Delhi, pasi kaluan disa ditë në fshatin e tij.

“Ajo veshi një fustan tradicional kur takoi tim atë për herë të parë. Unë ende nuk ia di si ia doli. Me bekimin e tim ati dhe familjes, ne u martuam sipas traditave fisnore”, thotë ai.

Von Schedvin kishte shkuar në Delhi me miqtë e saj nga Suedia përmes shtegut të njohur të hipive, nga Europa në Turqi, Iran, Afganistan dhe Pakistan për të mbërritur në Indi pas 22 ditës.

Ajo i tha atij mirupafshim për të filluar udhëtimin e kthimit, por i kërkoi atij t’i premtonte se do ta ndiqte atë në qytetin Boras të tekstileve në Suedi.

Më shumë se një vit kaloi dhe ata të dy mbanin kontakt me letra. Mahanandia, megjithatë, nuk kishte para për të udhëtuar me avion.

Kështu që ai shiti gjithçka që zotëronte, bleu një biçikletë dhe ndoqi të njëjtin shteg si i saji. Udhëtimi i tij filloi më 22 janar 1977 dhe ai do të udhëtojë 70 kilometra çdo ditë. “Arti më erdhi në ndihmë. Bëja portrete të njerëzve dhe disa më jepnin para, të tjerë ushqim dhe strehim”, – tha ai.

Mahanandia kujton se bota ishte shumë e ndryshme në vitet 1970. Për shembull, atij nuk i duhej një vizë për të hyrë në pjesën më të madhe të shteteve.

“Afganistani ishte një shtet shumë i ndryshëm. Ishte qetësi dhe shumë bukur. Njerëzit e pëlqenin artin. Dhe pjesa më e madhe e vendit nuk ishte e populluar”, tregon ai.

Ai thotë se njerëzit e kuptonin gjuhën indiane në Afganistan, por komunikimi iu bë problem kur hyri në Iran. “Arti më ndihmoi sërish. Mendoj se dashuria është një gjuhë universale dhe njerëzit e kuptojnë këtë. Ishin ditë të tjera. Mendoj se njerëzit kishin më shumë kohë të lirë atëherë për të argëtuar një person që shëtiste si puna ime”.

Por a u ndie ai ndonjëherë i lodhur?

“Po, shpesh. Këmbët më dhembnin. Por entuziazmi që do të takoja Charlotte dhe do të shihja vende të reja më mbante në lëvizje”, thotë ai.

Më në fund, indiani arriti në Europë më 28 maj, përmes Stambollit dhe Vjenës dhe më pas udhëtoi në Gothenburg me tren.

Pas disa tronditjeve të ndryshme kulturore dhe vështirësive në joshjen e prindërve të Von Schedvin, ata të dy më në fund u martuan zyrtarisht në Suedi.

“Nuk ia kisha idenë kulturës europiane. Ishte e gjitha e re për mua, por ajo më mbështeti në çdo hap. Ajo është thjesht një person special. Jam ende në dashuri me të si në vitin 1975”, thotë ai. Tani 64 vjeç, Mahanandia jeton me Charlotte dhe dy fëmijët e tyre në Suedi dhe vazhdon punën si artist.

Ai ende nuk e kupton përse njerëzit mendojnë se është diçka shumë e rëndësishme fakti që udhëtoi me biçikletë në Europë.

“Bëra atë që bëra, nuk kisha para dhe duhet ta takoja atë. Po i jepja biçikletës për dashurinë, por nuk e kam dashur kurrë çiklizmin. Është e thjeshtë”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button