Home / Intervista / Modéer: Ndoshta reformat po ecin me atë ritëm që i nevojiten Shqipërisë

Modéer: Ndoshta reformat po ecin me atë ritëm që i nevojiten Shqipërisë

Nga Rudina Hoxha

Sekretarja e Shtetit për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Ulrika Modéer, e cila zhvilloi një vizitë dyditore në Shqipëri (2- 3 shkurt) deklaroi se reformat po ecin mirë në Shqipëri dhe se mjaft aktorë po kujdesen që këto reforma të zbatohen si duhen. “Mendoj se ka shumë gjëra të mira që po ndodhin në këtë vend, ndërsa shumë aktorë po kujdesen që ky proces të eci përpara dhe që unë besoj se po ecën, tha Modéer në një intervistë ekskluzive mbas lancimit të Aleancës së Grave Këshilltare të Bashkisë Tiranë, ditën e mërkurë ku ajo mbajti një fjalë përshëndetëse. Modéer e konsideron momentin aktual më të mirin për ta fuqizuar partneritetin midis Shqipërisë dhe Suedisë. E pyetur për reformat integruese të Shqipërisë, ajo përgjigjet se “Nëse pyetni njerëzit, disa mendojnë se po ecën ngadalë e disa të tjerë shpejt. Por unë mendoj se ndoshta po ecën me atë ritëm që i nevojitet Shqipërisë”.

Zj. Modéer, çfarë mund të thoni në fund të vizitës suaj dyditore në Shqipëri?

Jam shumë e lumtur që pata mundësinë të vizitoja Shqipërinë, sepse mendoj se ky vend po përjeton një moment shumë interesant. Gjatë kësaj vizite u takova me përfaqësues të qeverisë, të organizatave të shoqërisë civile, të misionit të BE-së, por edhe të organizatave ndërkombëtare shumë laterale që po ndjekin reformat në Shqipëri.  Mendoj se ka shumë gjëra të mira që po ndodhin në këtë vend, ndërsa shumë aktorë po kujdesen që ky proces të ec përpara dhe që unë besoj se po ecën.

Si e parashikoni bashkëpunimin e Suedisë me Shqipërinë në kontekstin e Zhvillimit dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar?

Unë jam shumë e kënaqur që së fundmi ne kemi marrë një vendim për të qëndruar dhe për të pasur një partneritet afatgjatë me Shqipërinë. Ne kemi një vendim qeveritar sa i takon strategjisë për zhvillim dhe bashkëpunim (2014-2020) për më shumë se 8 milionë euro në vit. Shumë nga organizatat që ne mbështesim operojnë këtu në Shqipëri dhe ato ndjekin dhe punojnë në praktikë me reformat integruese. Pra, siç e thashë edhe në fillim është një moment shumë i mirë bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Suedisë.

A keni një vlerësim për hapat e integrimit europian të Shqipërisë si një nga pikat kryesore të axhendës së vizitës suaj në Shqipëri?

Nëse pyetni njerëzit, disa mendojnë se po ecën ngadalë e disa të tjerë shpejt. Por unë mendoj se ndoshta po ecën me atë ritëm që i nevojitet Shqipërisë. Mendoj se reforma të ndryshme janë përpunuar në një mënyrë të mirë dhe si të tilla ato do të funksionojnë edhe në praktikë. Dhe më pas procesi i nevojshëm i kalimit të reformave në Parlament do t’u japë mundësi njerëzve të mësojnë për këto reforma dhe se si ato do të vihen në praktikë. Ky është një proces që e kam vënë re nëpërmjet shumë aktorëve. Ka shumë pritshmëri, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: