ParlamentarePolitika

Meta:Parlamenti të funksionojë mbi etikën dhe përgjegjshmërinë

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, komentoi incidentet e djeshme në seancë plenare, duke i konsideruar të papranueshme dhe përpjekje për nxitjen e konflikteve artificiale. Parlamenti duhet të funksionojë mbi frymën e përgjegjshmërisë, të rregullores dhe vetëpërmbajtjes, dhe përpjekje të tilla duhet të marrin fund, deklaroi të premten kryeparlamentari.
Qytetarët tanë, vijoi Meta, nuk i meritojnë këto lloj shfaqjesh e konfliktesh, që nxjerrin nga vëmendja problemet e tyre të rëndësishme, por dhe shpërqëndrojnë aktorët politikë nga reformat kryesore me të cilat ne duhet të ballafaqohemi dhe t’i çojmë përpara.
Kërkohet një klimë tjetër bashkëpunimi, përgjegjshmërie dhe etikë krejt tjetër nga ajo që qytetarët panë në parlament, nënvizoi kreu i Kuvendit.
I pyetur për nismën e opozitës për ndryshimin e ligjit të dekriminalizimit, Meta u përgjigj se gjithnjë ka qënë vullneti maksimal për të respektuar kërkesat dhe të drejtat e opozitës, bazuar në rregulloren e përbashkët, që është bërë me konsensus të plotë.
“Është e rëndësishme të mos ecim me paragjykime dhe ultimatume, por të qëndrojmë në frymën e bashkëpunimit konstruktiv dhe interpretimit objektiv, si dhe të rregullores”, nënvizoi kryeparlamentari.
I pyetur nëse do të merren masa nga Byroja e Kuvendit për deputetët që goditën me vezë dje në seancë, ai tha se do të veprohet në bazë të rregullores.
Sa i takon pr/ligjit për Byronë Kombëtare të Hetimit Meta tha se ne cdo moment kemi qënë të gatshëm për ta çuar përpara këtë projekt. Nuk është e rëndësishme se kur p/ligji do shqyrtohet në parlament, i rëndësishëm është konsensusi, theksoi ai.
I pyetur për deklaratën e djeshme të kryeministrit Rama ‘për mbylljen e kufijve për refugjatët sirianë’, kryetari i parlamentit tha se ne do të kontribuojmë sipas kapaciteteve që kemi. “Kam përshtypjen se është një interpretim i gabuar. Jam i bindur se ne do të japim kontributin tonë, sipas mundësive dhe kapaciteteve që ne kemi”, u shpreh Meta.
Deklaratat e kryetarit të Kuvendit u bënë pas pjesëmarrjes të tij në Kongresin e Internacionales së të Rinjve Socialistë (IUSY), që po zhvillon punimet në Tiranë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button