Te ndryshme

Banda më e suksesshme e Azisë rrezikohet nga Koreja e Veriut

 Nisur nga situata e tensionuar dhe rreziku për luftë me fqinjin verior, Koreja e Jugut e ka ende të detyruar shërbimin ushtarak. Në bazë të legjislacionit vendas, të gjithë meshkujt duhet që të kenë kryer deri në 20 muaj shërbim ushtarak përpara moshës 32-vjeçare

Ajo është një nga bandat muzikore të djemve më të suksesshme në botë. Koncertet e tyre bëjnë që ato të grupeve të tjera si “One Direction”, të duken të zbrazëta. Krahasuar me fansat e tyre, ata të Justin Bieber-it të konsiderohen si “të ngrirë”.

Ata quhen “Big Bang” dhe janë të shumtë njerëzit në Perëndim që nuk kanë dëgjuar për ta më parë.

Për rreth një dekadë, këta djem plot stil, të paduruar, kanë krijuar dhe rikrijuar muzikën pop të Koresë së Jugut. Ata i kanë dalë kundër idesë së K-pop (muzika pop koreano-jugore) është pashmangshmërisht e sheqerosur dhe bandat e djemve thjesht duhet të kenë anëtarë simpatikë dhe që dinë të këndojnë mirë me superpozim.

Por tani, ndërsa “Big Bang” feston 10-vjetorin e krijimit, fansat kanë nisur që të mendojnë të paimagjinueshmen: që “Big Bang-u” nuk do të ekzistojë më edhe për shumë kohë.

Dhe kjo për shkak të kërcënimit që vjen nga fqinji verior i atdheut të tyre, Koreja e Veriut. Nisur nga situata e tensionuar dhe rreziku për luftë, Koreja e Jugut e ka ende të detyruar shërbimin ushtarak. Në bazë të legjislacionit vendas, të gjithë meshkujt duhet që të kenë kryer deri në 20 muaj shërbim ushtarak përpara moshës 32-vjeçare.

Kjo do të thotë që koha ecën për “Big Bang-un”, që përbëhet nga këngëtari kryesor G-Dragon, që emrin e artit e ka krijuar nisur nga emri i tij korean, Ji-yong (yong do të thotë dragua) dhe katër djem të tjerë që quhen T.O.P., Taeyang, Daesung dhe Seungri.

Zërat janë shtuar se “T.O.P”, i cili aktualisht është 28 vjeç mund të nisë shërbimin ushtarak këtë vit, kurse G-Dragon dhe Taeyang, të dy nga 27 vjeç, janë këshilluar që të hyjnë në ushtri në vitin 2017.

Këtë çështje, banda nuk ka shumë qejf që ta diskutojë. “Nëse do të flasim për këtë temë, atëherë do të ndihemi të trishtuar”, tha G-Dragon për “Washington Post”, që bashkë me grupin e tij muzikor ndodhen në Tokio në një tur botëror. “Po bëj shaka”, shtoi duke qeshur këngëtari, që mbante vënë syze dielli dhe një golf ngjyrë vjollcë, ndërsa fliste me një anglishte të rrjedhshme, me pakëz stil prej repisti.

Gjithsesi, realiteti nuk mund të shmanget. “Ne jemi koreanë, kështu që një ditë duhet të shkojmë në ushtri, por unë nuk e di se kur do të ndodhë kjo gjë. Deri atëherë do të vazhdojmë që të përpiqemi t’i bëjmë sa më mirë, ato që duhet të bëjmë”.

Turi muzikor i bandës përfundon këtë fundjavë në Seul, kryeqytetin e Koresë së Jugut. “Big Bang-u” shiti 910,000 bileta vetëm në 18 koncerte në Japoni. Për krahasim, Taylor Swift-i shiti gati 2.3 milionë bileta dhe “One Direction” 2.4 milionë në turet e tyre vjetore të vitit të kaluar. Por respektivisht, atyre iu deshën të zhvillonin 83 dhe 85 koncerte.

Turi i bandës muzikore koreane ka pasur ndalesë edhe në Las Vegas, Los Anxheles dhe Nju Xhersi, po ashtu edhe në Meksikë dhe Kanada.

“Jemi të mrekulluar nga fakti që njerëzit i dinë mirë këngët tona në shtete, të cilat ne nuk kemi qenë kurrë, si p.sh. Meksika. Ata nuk na kanë parë në asnjë vend tjetër, përveçse në Internet”, tha Taeyang.

K-Pop-i nisi në vitet 1990, kur kompanitë muzikore koreanojugore filluan që t’u bënin përgatitje rraskapitëse talenteve, të cilat jetonin në konvikte dhe nuk kishin lidhje interneti. Rezultati qe  prodhimi i bandave muzikore mjaft të përgatitura, që prodhonin muzikë mjaft sentimentale. Talenti në të kënduar vinte në plan të dytë, a të tretë, pasi në fillim vlerësoheshe paraqitja dhe aftësia për të kërcyer.

Ky stil muzikor u bë mjaft popullor në Japoni e pastaj në vitet 2000, gjatë gjithë Azisë. Kjo ishte pjesë e valës koreane kulturore, që gjithashtu përfshin drama dhe filma, po ashtu edhe modën, si dhe një fenomen në rritje, kirurgjinë plastike.

Në Perëndim, ashtu siç muzika latine u kthye nga hiç në mjaft popullore, ashtu edhe K-pop po fiton zemrat e të gjithëve. Platformat e famshme muzikore në internet “Spotify” dhe “iTunes” tani e listojnë K-pop si zhanër.

“Big Bang-u” lindi pas disa viteve trajnim nga kompania “YG Entertainment”, një nga më të famshmet në fushën muzikore në Korenë e Jugut, nga ku ka dalë edhe super-hiti muzikor i Psy “Gangnam Style”. Ata debutuan në vitin 2006. Grupi tani është pjekur dhe anëtarët e saj, shkruajnë, kompozojnë dhe prodhojnë vetë muzikën.

“Aktualisht, unë nuk e di se çfarë të tjerët quajnë K-pop. Muzika e mirë ngelet muzikë e mirë, kështu që nëse ti do të vazhdosh të bësh një kompozim të mirë, atëherë fansat do të dëgjojnë muzikën tonë”, tha Seungri.

“Nga të gjitha veprimet e tyre publike, ata po bëjnë përpjekjet maksimale që të shtyjnë tutje kufijtë për atë çfarë konsiderohet si K-pop. Grupi ka qenë mjaft aktiv në promovimin e llojeve të ndryshme muzikore”, tha Mark James Russell, gazetar i cili ka shkruar dy libra për zhanrin muzikor K-pop.

Kënga e tyre “Bang Bang Bang” është kaq energjike sa qeveria e Koresë së Jugut e lançon atë përgjatë zonës së demilitarizuar me Korenë e Veriut, si pjesë të luftës së saj propagandistike me shtetin komunist.

“Këta anëtarë të grupit muzikor janë bërë artistë superheronj”, tha një përfaqësues i një kompanie muzikore rivale, që për shkak se foli për një konkurrent, preferoi të ngelej anonim.

Por çështja e shërbimit ushtarak vazhdon që të gërryejë të gjithë anëtarët dhe duket sikur banda pashmangshmërisht është përgatitur për këtë gjë. Çdo pjesëtar i saj është marrë shumë me imazhin e tij dhe të gjithë kanë marketuar veten si individë.

Anëtarët e “Big Bang-ut” bëhen filozofë kur nisin të flasin për të ardhmen. “Unë besoj në fat dhe unë do të lë rrjedhën e jetës të shkojë”, tha T.O.P.

Por ka një lloj perceptimi, se pas 10 vitesh, emocioni i të qenët një idhull ka nisur që të konsumohet.

“Unë deri tani nuk jam lodhur nga muzika, por ne jemi ende të rinj, kështu që mund të bëjmë çfarë të duam. Vetë dua që të provoj diçka të re. Ky është objektivi im. Ndoshta do të merrem me modën, ose diçka tjetër”, tha G-Dragon.

Por hëpërhë, pavarësisht kërcënimit koreanoverior, ata as që e mendojnë ndarjen. Siç thotë edhe lideri i grupit për këtë çështje: “Carpe diem, e keni parasysh”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button