Home / Intervista / Evropa Lindore dhe ajo Perëndimore – jo vlera të njëjta lidhur me refugjatët

Evropa Lindore dhe ajo Perëndimore – jo vlera të njëjta lidhur me refugjatët

eeIntervistë me Ivan Krastev, politolog, President i Qendrës së Studimeve Liberale në Sofie dhe Permanent Fellow i Institutit për Shkencat e Njeriut në Vjenë dhënë për DW .

Në Evropën Perëndimore shumë mbrojnë idenë e një Evrope të evropianëve, por njerëzit në Evropën Lindore mbeten të paimpresionuar nga tragjedia e refugjatëve. E frikësohen nga shumëllojshmëria etnike, mendon Ivan Krastev.

DW: Zoti Krastev, aktualisht, Evropa Perëndimore dhe Lindore duket se flasin gjuhë të ndryshme. Si e shpjegoni këtë?

Ivan Krastev: Kriza financiare e përçau BE në kreditorë dhe borxhlinj dhe hapi një hendek midis Lindjes dhe Perëndimit. Kurse tani është kriza e refugjatëve që prodhon një ndarje të re Lindje-Perëndim. Sot ne nuk po përjetojmë thjesht një mungesë solidariteti, siç dëgjohet shpesh në BE, por një përplasje të solidariteteve të ndryshme: midis solidaritetit nacional, etnik dhe fetar në njërën anë dhe detyrimit tonë si qenie njerëzore, nga ana tjetër.

Evropianolindorët nuk janë të mendimit se solidaritetin, të cilin ua kanë borxh bashkëkombasve të tyre, ua kanë borxh edhe atyre njerëzve të tjerë që marrin arratinë nga lufta dhe përndjekja. Kriza e refugjatëve e bëri të qartë se Lindja e Evropës ndien si kërcënim pikërisht ato vlera, mbi të cilat bazohet Bashkimi Evropian, në një kohë që për shumë në Evropën Perëndimore janë pikërisht këto vlera universale, që përbëjnë bërthamën e identitetit të ri evropian. Nga pikëpamja e Perëndimit, ky qendrim është i pamoralshëm, madje skandaloz. Në një kohë kur në Gjermani gati dhjetë përqind e popullit merr pjesë në aksione private për të ndihmuar azilkërkuesit, opinioni në Evropën Lindore mbetet i paimpresionuar nga tragjedia e refugjatëve, shumë politikanë madje i kritikojnë ashpër kuotat për refugjatët të Brukselit.

DW: Pse janë kaq të paimpresionuar evropianolindorët nga tragjedia e refugjatëve?

Kthimi i ndarjes Lindje-Perëndim nuk është rast fatkeq. Ai i ka rrënjët në histori, në demografi dhe në turbullirat e periudhës paskomuniste. Por njëkohësisht ai është një “kryengritje popullore” evropianolindore kundër globalizimit. Historia ka peshë të madhe në Evropën Qendrore dhe Lindore. Por shumë shpesh, përvojat historike të atjeshme u kundërvihen premtimeve të sotme të globalizimit. Në Evropën Qendrore i njohin më mirë se diku tjetër në Evropë përparësitë, por edhe anët e errëta të shoqërive multikulturore.

Shtetet dhe kombet e Evropës Lindore u krijuan vonë në shekullin e 19-të, dhe të gjitha pak a shumë njëkohësisht. Në një kohë kur në pjesën perëndimore të Evropës ishte amaneti i perandorive koloniale që i dha pamjen kontaktit me botën jashtëevropiane, shtetet e Evropës Qendrore dolën nga shpërbërja e perandorive dhe prej spastrimeve etnike që pasuan. Para Luftës së Dytë Botërore, Polonia ishte për shembull një shoqëri multikulturore, ku më shumë se një e treta e popullatës përbëhej nga gjermanët, ukrainasit ose hebrejtë. Por sot, Polonia me 97 përqind të polakëve etnikë të saj është një nga shoqëritë më homogjene etnike në botë. Kthimi në shumëllojshmërinë etnike, shumë vetëve në këtë kuadër u duket si një kthim pas, në kohën e vështirë midis dy luftërave botërore.

A kanë mbetur prapa evropianoqendrorët dhe evropianolindorët me pozicionimin e tyre ndaj kombit dhe shtetësisë?

Jo tamam. Thjesht pozicionimi i tyre është një tjetër. BE bazohet mbi idenë franceze të kombit, pra në përkatësinë si besnikëri ndaj institucioneve, dhe në përfytyrimin gjerman për shtetin – me vende të fuqishme dhe një qendër relativisht të dobët federale. Shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore nga ana tjetër kanë idenë gjermane për kombin dhe përfytyrimin francez për shtetin. Këto vende kombinojnë admirimin për shtetin e gjithëfuqishëm centralist të francezëve me përfytyrimin e mbrojtur nga gjermanët, se përkatësia shtetërore i ka bazat në një origjinë dhe kulturë të përbashkët. Për shumë evropianolindorë, parullat si “Polonia – polakëve” ose “Gjermania- gjermanëve” janë me kuptim, por jo edhe ideja e një Evrope të evropianëve. Sepse Evropa nuk ka peshë të rëndë politike dhe nuk ka identitet etnik, ne nuk kemi një gjuhë të përbashkët dhe historia jonë e përbashkët më shumë na ndan se sa na bashkon. Duke u pozicionuar kundër refugjatëve, Evropa Lindore mund të shkaktojë një krizë radikale të solidaritetit në BE dhe njëkohësisht, në mënyrë paradoksale të refuzohet vetë nga Evropa Perëndimore.

Leave a Reply

Your email address will not be published.