Home / Kronika / Shkarkohet dhe ndiqet penalisht mësuesi i dehur që rrihte fëmijët

Shkarkohet dhe ndiqet penalisht mësuesi i dehur që rrihte fëmijët

Drejtuesit e shkollës fillore të Orzhanovës, ku mësuesi 62-vjeçar, Agim Muça në gjendje të dehur keqtrajtonte fëmijët, mblodhën Komisionin e Disiplinës për të vendosur shkarkimin e tij.

Denoncimi ndaj dhunës së mësuesit Muça është bërë që më datë 4 mars nga familjarët e nxënësve të dhunuar.

Drejtuesit e arsimit në Ostren thonë se prindërit e fëmijëve dhe Zyra Arsimore e Bulqizës janë vënë në dijeni në momentin që ka ndodhur ngjarja. Ata thonë se ka patur disa ankesa nga familjarët sa i përket mësuesit Agim Muça për respektimin e orarëve të mësimit dhe keqtrajtim të fëmijëve.

I vënë përballë këtyre akuzave, mësohet se Agim Muça nuk ka pranuar akuzat e familjarëve, por në një bisedë me eprorët e tij ai ka pranuar faktin e ushtrimit të dhunës ndaj minorenëve.

Ndërkohë, policia e Bulqizës ka bërë ndalimin e mësuesit 62-vjeçar i cili akuzohet për keqtrajtim të të miturve dhe dëmtime të tjera të kryera me dashje në më shumë se një rast.

Ngjarja në fjalë dërgoi në Ostren vetë ministren e Arsimit, Lindita Nikolla. Ajo e cilësoi rastin të pashembullt dhe tha se institucioni që ajo drejton nuk do t’i tolerojë të tilla veprime.

Leave a Reply

Your email address will not be published.