Politika

Përurohet busti i Papa Françeskut, vendoset pranë Kambanës së Paqes

Busti i Atit të Shenjtë, Papa Françesku do të qëndrojë në qendër të kryeqytetit shqiptar, pranë Kambanës së Paqes, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Në ceremoninë e përurimit, ku merrnin pjesë personalitete të larta të vendit, autoritete fetare, qytetarë etj, Presidenti Bujar Nishani tha se ndihej i privilegjuar në përurimin e bustit të Atit te Shenjte, i cili jo më larg se dy vite më parë e përshkoi personalisht këtë bulevard, duke e bekuar vetë këtë popull të shumëvuajtur martirësh.

“Jam sot i emocionuar dhe për një arësye tjetër, sepse sot, edhe në cilësinë e Kryetarit të Shtetit, por dhe si qytetar, mbushem me krenari kur mendoj se kemi fatin të jemi të gjithë dëshmitarë se si busti i Atit të Shenjtë po përjetësohet pikërisht këtu, pranë Kambanës së Paqes dhe aq më tepër para ish-muzeut të diktatorit, ideologjia e dështuar e të cilit dikur u përpoq jo vetëm të shembte kisha e xhamia, por edhe të vriste klerikë duke na shpallur ateistë të detyruar”, deklaroi Nishani.

Por, besimi në Zot dhe vlerat e vërteta njerëzore, vijoi ai, as mund të ndalohen, as mund të zhduken dhe as mund të tjetërsohen, sado gjakatare të jenë forcat tiranike që përpiqen ta bëjnë këtë.Përurohet ne Tirane busti i Papa Françeskut Foto Agim Dobi (2)

Duke u ndalur tek figura e Nënë Terezës, Kreu i Shtetit e vlerësoi aktin e Atit të Shenjtë për shpalljen Shenjtore të saj, gjë që sipas tij është plotësisht ‘i merituar’.

“Dekreti i shpalljes Shenjtore të Nënë Terezës, që pritet të firmoset nga Ati i Shenjtë, e shndërron këtë moment në një nga ditët më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar. Përfitoj nga rasti t’i shpreh edhe njëherë Papa Françeskut falenderimet më të ndjera dhe mirënjohjen më të thellë në emër të të gjithë shqiptarëve për këtë Shenjtërim”, u shpreh Nishani.

Duke e konsideruar një vlerë të rrallë bashkëjetesën dhe harmoninë mes komuniteteve fetare në Shqipëri, Presidenti i Republikës theksoi se ajo duhet të përhapet dhe ndër popuj të tjerë, sidomos në këto kohë kaq të turbullta kur besimi fetar po tjetërsohet, duke nxitur urrejtje dhe gjakderdhje barbare.

Përurohet ne Tirane busti i Papa Françeskut Foto Agim Dobi (4)Fjalën e tij Presidenti Nishani e mbylli me një citim nga mesazhi që Papa Françesku i drejtoi popullit shqiptar në Ditën Botërore të Paqes, “Mposhtni diferencën, arrini paqen”. Le të na shërbejë ky mesazh i tij i thjeshtë, por mjaft kuptimplotë për të rigjetur paqen mes njëri-tjetrit, që Shqipëria të bëhet një zonjë e hirshme, siç ajo e meriton, tha Kreu i Shtetit.

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi në përshëndetjen e tij e vuri theksin tek vlera e madhe e kombit shqiptar, që është harmonia fetare, të cilën tha ai, duhet ta ndajmë me të tjerët.
Nunci Apostolik në Tiranë, Arqipeshkvi Ramiro Moliner Iglès, në fjalën e tij theksoi simbolikën e veçantë të përurimit të bustit të Atit të Shenjtë në Tiranë, që vjen dy vjet pas vizitës së tij në Shqipëri, një vizitë e historike dhe e paharrueshme. Më tej, zyrtari i Vatikanit e vuri theksin tek bashkëjetesa fetare, e cila, sipas tij, është jo vetëm e dëshirueshme, por dhe e realizueshme dhe plotësisht e mundshme.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj risolli në vëmendje mesazhet që përcolli vizita e Papës në Shqipëri ne vitin 2014, vëllazërine, harmonine, bashkimin dhe solidaritetin.
“Ati i Shenjtë është nga ata njerëz që flasin pa doreza dhe e godasin në zemër problemin. Prekja prej tij e problemeve të kohës sonë, si ekstremizmi dhe konfliktet, apo mesazhet për pabarazinë, nevojën për solidaritet dhe mbështetjen për më të dobëtit e çdo shoqërie, kanë gjetur mbështetjen e bashkisë së Tiranës, në nisma që mbështesin shtresat e pambrojtura”, tha Veliaj.
Ai e vlerësoi ‘të gjetur’ vendosjen e bustit të Papës pranë Kambanës së Paqes, ku në një rreze prej 100 metrash mund të shikohen njëkohësisht Katedralja Katolike, ajo Ortodokse dhe Xhamia e re e Tiranës, që është në ndërtim.
Busti i derdhur në bronz i Papa Françeskut është vepër e skulptorit Qazim Arifi. Mbi të janë gdhendur fjalët e Atit të Shenjtë gjatë vizitës historike të 21 shtatorit 2014 në Shqipëri: “Shqiponja simbol i atdheut tuaj nuk e harron folenë, por ngjitet lartësive, fluturon lart”.
Një javë më parë Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi vendosjen e bustit të Papa Franceskut, ndërsa gjatë vizitës në Shqipëri, Ati i shenjtë u shpall qytetar nderi i kryeqytetit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button