Home / Ekonomia / Haxhinasto shpërndan çertifikatat ndërkombëtare për menaxherët e transportit

Haxhinasto shpërndan çertifikatat ndërkombëtare për menaxherët e transportit

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, shpërndau të premten çertifikatat e para të aftësisë profesionale për menaxherët e transportit shqiptar, të njohura ndërkombëtarisht, direktivë e Bashkimit Evropian që aplikohet për herë të parë.

Në një ceremoni të organizuar në mjediset e MTI-së, Haxhinasto, tha se ky është një zhvillim shumë pozitiv, që tregon se cilësia është një kërkesë parësore në shërbimet tona të transportit. “Kjo tregon se operatorët shqiptarë në fushën e transportit kanë ndjeshmëri dhe kërkesë të lartë ndaj standardeve dhe cilësisë. Por, gjithashtu është një tregues se tregu ynë i shërbimeve të transportit po integrohet gjithmonë e më shumë me tregun evropian dhe ndërkombëtar”, theksoi ministri.

Më tej kreu i MTI-së, shtoi se me këtë çertifikatë që marrin këta operator nga një institucion i akreditur në Evropë, kanë të njëjtin kualifikim dhe cilësi për të ofruar shërbime, ashtu si kolegët e tyre në Gjermani, Francë etj. Ministri uroj përfituesit e parë, dhe theksoi se kjo çertifikatë është dhënë nga instituti i trajnimit i ANALTIRIT-të, me akreditim ndërkombëtar në Unionin Ndërkombëtar të Transportit Rrugor.

Haxhinasto, tha se edhe institucionet e tjera publike prej kohësh kanë vendosur si prioritet rritjen e cilësisë dhe standardit në tregun e shërbimeve të transportit. “Pak kohë më parë në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit organizuam ceremoninë e lëshimit të çertifikatave të aftësisë profesionale, sot kemi çertifikatat e njohura ndërkombëtarisht të kompetencës profesionale, dhe shkojmë drejt shërbimeve cilësore dhe të standardizuara të transportit”, nënvizoi ai.

Haxhinasto, u angazhua se Ministria e Transportit do të mbështesë maksimalisht operatorët e transportit që të integrohen më shumë, sepse kështu do i shërbejnë edhe ekonomisë së vendit edhe qytetarëve, duke ofruar cilësi dhe strandarde evropiane.

Leave a Reply

Your email address will not be published.