Home / Kronika / Milot, dy të vdekur dhe 8 të plagosur. U shtypën nga shoferi pa patentë në treg

Milot, dy të vdekur dhe 8 të plagosur. U shtypën nga shoferi pa patentë në treg

Dy të vdekur dhe 8 të plagosur, ky është bilanci i një ngjarjeje të paprecedentë të ndodhur mëngjesin e së dielës në tregun e Milotit.
Një person, i identifikuar më pas si Pashk Vokri, invalid, duke drejtuar makinën e tij tip Benz, nga të dhënat e para dyshohet se ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka hyrë me shpejtësi të madhe në brendësi të tregut, duke shkaktuar një masakër, që mund të kishte përmasa edhe më të mëdha, për shkak të frekuentimit të madh të tregtarëve dhe blerësve në fundjavë.
Llesh Marku ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa vetëm pak orë më pas ka ndërruar jetë në Spitalin e Lezhës edhe bashkëshortja e tij, Dila Marku. Dy bashkëshortët mësohet se, prej vitesh shisnin artikuj të përdorur dhe prodhime artizanale në tregun e Milotit.
Tre të plagosur gjenden aktualisht duke u trajtuar në Spitalin e Lezhës, ndërsa 5 persona janë sjellë me helikopter në drejtim të Spitalit të Traumës, në kryeqytet. Burime nga ky spital bëjnë të ditur për Top Channel se, të plagosurit ndodhen ende në sallë dhe nuk mund të jepen të dhëna të sakta lidhur me gjendjen e tyre shëndetësore.
Policia e Lezhës bëri të ditur se ka shoqëruar 58-vjeçarin Pashk Vokri, nga Pllana e Lezhës, teksa njoftohet më tej se ai ka qenë pa leje drejtimi. Blutë po vijojnë gjithashtu hetimet për të zbardhur dinamikën e plotë të kësaj ngjarjeje.
Jashtë kamerave, tregtarët tregojnë se shpejtësia e mjetit ka qenë shumë e madhe, e gjithashtu ka bërë lëvizje në të dy anët e rrugës. Madje disa prej tyre, edhe pse e cilësojnë si tragjedi, shprehen se bilanci mund të kishte qenë edhe më i madh, për shkak se ditën e diel ky treg është i mbipopulluar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.