Home / Ekonomia / Shqiptarët para serbëve, në vendin e 72-të në botë

Shqiptarët para serbëve, në vendin e 72-të në botë

Kapitali njerëzor 

Kroacia, e para në Ballkan. 10 vendet që kryesojnë indeksin e “World Economic Forum”

Nga Zamir Alushi

forca puntoreShqipëria renditet në vendin e parafundit, por para Serbisë, në Ballkan për sa i përket Treguesit të Kapitalit Njerëzor. Në rang botëror, për vitin 2013, vendi ynë është i 72-i, sipas indeksit të publikuar në raportin e “World Economic Forum”.

Katër shtyllat

Janë katër shtylla që merren si kriter nga studiuesit që kanë hartuar këtë indeks: Shtylla e arsimit përmban tregues që kanë të bëjnë aspektet sasiore dhe cilësore të arsimit të gjithë niveleve primare, sekondare dhe terciare, si dhe përmban të dhëna për fuqinë punëtore aktuale dhe në të ardhmen; Shtylla e shëndetit dhe mirëqenia, që përmban tregues në lidhje me shëndetin fizik dhe mendor të popullsisë, nga fëmijëria në moshën e rritur; Fuqia punëtore dhe punësimi është shtylla e projektuar për të përcaktuar sasinë e përvojës, talentin, njohuritë dhe trajnimet e popullsisë në moshë pune të një vendi; Mundësia është shtylla që përfshin mjedisin ligjor, infrastrukturën dhe faktorë të tjerë që mundësojnë kthimin në kapital njerëzor.

Të dhënat

Në raport janë marrë të dhëna nga 122 vende të botës, nga të cilat 7 në Ballkan. Vendi që ka renditjen e parë në rajon, për sa i përket Treguesit të Kapitalit Njerëzor është Kroacia, duke u renditur në rang botëror në vendin e 46-të. Ndërsa në vend të fundit për Rajonin e Ballkanit është Serbia, e cila në renditje botërore është në vendin e 85-të. Shqipëria, nga ana tjetër, në vendin e 72-të në renditje botërore, është e parafundit në Ballkan. Por, nëse do të merren të dhënat e shtyllave të ndryshme, mbi të cilat është ndërtuar edhe Treguesi i Kapitalit Njerëzor, Shqipëria në disa raste renditet më mirë se vendet e rajonit. Kështu, për shtyllën “arsimi”, vendi ynë rendit i dyti në rajon dhe i 54-ti në botë. Në vend të parë është Kroacia. Për shtyllën “shëndeti dhe mirëqenia”, Shqipëria renditet e 5-ta në Ballkan dhe e 54-ta në botë. Në rang rajonal, renditjen më të mirë vendi ynë e ka në shtyllën “fuqia punëtore dhe punësimi”. Në lidhje me këtë zë, Shqipëria është e para në Ballkan dhe e 72-ta në botë. Por Shqipërinë ka paraqitje të dobët në shtyllën “mjedisi i mundësive”, i cili ka ndikuar ndjeshëm në Treguesin e Kapitalit Njerëzor. Për sa i përket kësaj shtylle, vendi ynë renditet i fundit në Ballkan dhe i 105-ti në botë.

Top-lista

Komuniteti Europian dominon listën me dhjetë vendet me indeksin më të lartë të kapitalit njerëzor. Nga ky rajon, Zvicra kryeson renditjen për Indeksin e Kapitalit Njerëzor, duke demonstruar në vazhdimësi rezultate të larta në të katër shtyllat, sidomos për shëndetin dhe mirëqenien e fuqisë punëtore. Më tej vijnë katër vendet nordike, Finlanda (2), Suedia (5), Norvegjia (7) dhe Danimarka (9). Ato janë vende shembullore për arsimimin dhe mundësitë që ofrojnë. Përparësia e rajonit nordik qëndron te fuqia punëtore, pra te shtylla e punësimit. Por mjedisin më të favorshëm për mundësitë e kapitalit njerëzor i ofron Singapori, që zë vendin e tretë dhe është i vetmi vend aziatik në krye të dhjetëshes, për shkak të rezultateve shumë të forta në shtyllën e arsimimit. Fuqia punëtore dhe punësimi i japin një pozicion të fortë. Holanda renditet në vendin e katërt, dhe është e treta në Europë për shkak të performancave të forta për shëndetin dhe mirëqenien, si dhe për mundësitë që jep ky mjedis ekonomik. Gjermania zë vendin e 6-të për mundësitë e mëdha që ofron. Në fakt, të bën përshtypje që Gjermania zë vend relativisht të ulët në listë në shtyllën e arsimit (19). Mbretëria e Bashkuar, në vendin e 8-të, pikën e fortë e ka në shtyllën e mjedisit ekonomik, pra të mundësive, por ka rezultat më të ulët në shtyllën e shëndetësisë dhe mirëqenies. Kanadaja zë vendin e dhjetë, ku bie në pah pozita e saj për shtyllën e arsimit, e dyta në botë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: