Home / Politika / LSI, me mision në Himarë, takime për të bindur banorët për ndarjen territoriale

LSI, me mision në Himarë, takime për të bindur banorët për ndarjen territoriale

Kakavijë, doganierët bllokojnë kufirin: Presion për Himarën

NGA ARTEMISA HOXHA

Bashkim Fino ne komisionMazhoranca “pushton” Himarën, me qëllim për të bindur banorët e zonës për hartën e re territoriale. Prej disa ditësh, deputetët e mazhorancës janë zhvendosur në njësinë që përbën nyjen e zgjidhjes së ngërçit për hartën e re. Ndërkohë që në Kakavijë, si pasojë e debatit për Himarën, policia greke ka bllokuar për mbi pesë orë pikën kufitare. Sipas mediave, grekët kanë vendosur një kuti në një aneks të baraslarguar nga Pika Kufitare Greke e Kakavijës, ku u kërkonin qytetarëve të votonin për çështjen e Himarës. Në një copë letër, ata u kërkonin shqiptarëve të shkruanin nëse ishin pro apo kundër bashkimit të Himarës me Vranishtin, siç është planifikuar në ndarjen e re territoriale të vendit.

Kundërshtia e himarjotëve për të mos u bashkuar me Komunën e Vranishtit, por me atë të Lukovës, ka bërë që në terren të mos zbresin vetëm përfaqësuesit e qeverisë, por edhe vetë anëtarët e komisionit të posaçëm parlamentar të reformës territoriale dhe njëherësh deputetë të partisë së dytë më të madhe në koalicionin qeveritar, LSI-së. Pas takimit të dy ditëve më parë të ministrit të Çështjeve Vendore, Bledi Çuçi, me deputetin Koço Kokëdhima dhe me banorët e kësaj zone, mbështetje për të bindur këta banorë për përfitimet që mund të kenë nga bashkimi me Vranishtin po jep dhe LSI-ja. Për të sqaruar draftin e qeverisë për ndarjen e re territoriale, më konkretisht për njësinë vendore të Himarës, dje në Himarë ishin dhe tre deputetët e LSI-së, Shkëlqim Selami, si dhe Spartak Braho e Petrit Vasili, të dy anëtarë të Komisionit Parlamentar për Reformën Territoriale. Harta e re për ndarjen e Himarës deri më tani ka sjellë dy vota të deklaruara kundër në Parlament, atë të kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dulen, si dhe të deputetit të PS-së, Andrea Marto. Kreu i partisë për mbrojtjen e minoritetit grek në vendin tonë, Dule, ka kërcënuar me dalje nga koalicioni në rast të votimit të draftit përfundimtar në seancën e ditës së enjte. Nga ana tjetër, mazhoranca ka arritur që për këtë projektligj të sigurojë votat e deputetëve të PDIU-së, propozimet e të cilëve u morën në konsideratë nga komisioni për këtë reformë. Kontestime për ndarjen e re territoriale ka pasur edhe brenda grupit të majtë parlamentar, për njësi të caktuara vendore, por këto qëndrime pritet që të konfirmohen në seancën parlamentare të ditës së enjte, ku reforma territoriale kërkon 84 vota për t’u miratuar.

Lobimi

Takimi i tre deputetëve të LSI-së vjen në një moment kur në këtë zonë janë zhvilluar takime të shumta edhe nga qeveria për të bindur banorët për hartën e re territoriale. Në Qarkun e Vlorës, i cili për momentin ka shprehur më shumë kundërshtime në lidhje me draftin e qeverisë, përfshirë këtu dhe protestat e përditshme të banorëve të Orikumit, dy ditë më parë ka qenë vetë kreu i Ministrisë së Çështjeve Vendore, Bledi Çuçi. Ai, së bashku me deputetin Kokëdhima, janë munduar që të sqarojnë ndoshta për herë të fundit të mirat e ndarjes territoriale, pasi të enjten ndarja e re territoriale do të hidhet për votim në Parlament. Sipas deputetit Shkëlqim Selami i LSI-së, vizita në Himarë ka në themel marrjen e mendimit nga banorët e zonës, lidhur me bashkimin e Himarës me Lukovën. Ndërsa kreu i grupit të LSI-së, Petrit Vasili, deklaroi se “kemi ardhur këtu për të diskutuar ku qetësia dhe mendimi i lirë do të na ndihmojë të arrijmë në një përfundim të përbashkët”. Sipas tij, “është një çështje që do diskutuar kjo e reformës, por ka edhe nga ata këshilltarë apo qytetarë të cilët e kundërshtojnë hapur bashkimin me Kuçin dhe Vranishtin, pasi janë krejt të kundërt, si për besim apo edhe për tradita”. Pas takimit me banorët, deputetët e LSI-së nuk kanë pranuar që të flasin për mediat, ndërsa, nga ana tjetër, banorët himarjotë paralajmëruan protesta. “Duhet pyetur populli himarjot në bazë të nenit 108 të Kushtetutës, që të vendosë për bashkim ose ndarje. Pika e dytë u diskutua po atë ditë, që Himara me Lukovën është një bashkim i natyrshëm historik, zhvillimor, krahinor dhe i perspektivës. Ndërsa pika e tretë ishte që, qoftë edhe për reformat e procesit të regjistrimit të pronave, Himara nuk e njeh ligjin 7501”, shprehen banorët. Nga ana tjetër, takime janë bërë edhe mes kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule apo dhe ish-kreut të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, të cilët kanë raportuar edhe te pala greke për gjithë zhvillimet e brendshme politike në vendin tonë që prekin ndarjen territoriale. Pala greke ka dalë në mbrojtje të minoritetit të saj, duke sjellë në këtë mënyrë një ndërhyrje në çështje të brendshme të Shqipërisë.

Përfshirja e emigrantëve

Përfshirja e qeverisë greke në çështjet e brendshme të vendit tonë, ashtu siç e quajti ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ndërhyrjen e homologut të tij për reformën territoriale, po vjen gjithmonë e në rritje. Duket se, përveç banorëve himarjotë të përfshirë në procesin e reformës territoriale, po bëhen edhe emigrantët shqiptarë që jetojnë në shtetin helen. Ngjarja e djeshme e bllokimit të pikës kufitare në Kakavijë për defekt teknik në sistemin kompjuterik, u raportua nga A1 Report si shfrytëzim nga ana e policisë greke për të marrë mendime të emigrantëve në lidhje me çështjen e reformës territoriale për Himarën. “Bllokimi prej orësh i Kakavijës ka bërë që në një korridor jashtë juridiksionit helen, dy doganierë grekë që disponojnë një kuti, e dyshuar si kuti votimi, u kërkojnë emigrantëve shqiptarë që të japin verdiktin e tyre për ndarjen administrativo-territoriale për Himarën. Doganierët pyesin emigrantët shqiptarë për të dhënë mendimin e tyre për ndarjen e re territoriale të vendit dhe më konkretisht për bashkimin e Himarës me Hore Vranishitn, vendim ky i kontestuar nga minoriteti grek dhe nga vetë Athina zyrtare”, citojnë burimet. Deri më tani nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar nga dogana greke dhe aq më tepër nga qeveria e shtetit fqinj për shfrytëzimin e situatave në kufi në lidhje me interesin e tyre për reformën territoriale.

Edi Paloka

Deputeti i PD, Edi Paloka

Protestat për ndarjen, struket Edi Rama

Kreu i Grupit Parlamentar i PD-së, Edi Paloka, paralajmëron protesta të mëdha në mbarë vendin në lidhje me miratimin e reformës territoriale, ku opozita e ka kundërshtar hartën me 61 njësi vendore, duke kërkuar më shumë. “Po vijnë protestat kundër reformës të poshtër territoriale me karakter antishqiptar, po merr hov qytetar deri në mosbindjes civile – struket Edvin Rama e s’jep dot sinjale mirëkuptimi ndaj revoltës së shqiptarëve! Fryma e kundërshtisë për reformën territoriale po ngrihet ditë për ditë derisa të shpërthejë në një mosbindje sociale, në mos pagim të taksave dhe konfrontime me autoritetet e vetëdelegjitimuara të kësaj qeverisjeje të poshtër që për motive të dobëta elektorale po e kthen territorin e vendit në feude personale çifligarësh”, – shkruan Paloka.

Deputeti me origjinë greke rrëzon pretendimet e socialistit

Kokëdhima takon deputetin e PASOK: Piro Dhimën e binda për Himarën

kokedhima piro dhimaDeputeti socialist, Koço Kokëdhima, i cili prej disa ditësh ndodhet në Himarë, bën të ditur se ka pasur një takim të veçantë me deputetin e PASOK-ut në Parlamentin grek, Piro Dhima. Përballjen e bën publike vetë socialisti Kokëdhima me anë të një postimi në Facebook. “Piro Dhima është nga Himara. Takimi u zhvillua te Hotel Valta në Qeparo dhe zgjati rreth 30 minuta. Në takim mori pjesë edhe Jorgo Goro, kryetari aktual i Bashkisë së Himarës. Tema e takimit ishte reforma territoriale. I shpjegova Piros pikëpamjen e qeverisë shqiptare për bashkimin e Himarës me Vranishtin, çfarë përfiton Himara nga ky bashkim dhe çfarë ndryshon në territorin e saj, në përbërjen e popullsisë, në ekonomi, në strukturën dhe standardet e Bashkisë së re, etj. Gjithashtu i shpjegova se Dulja e Bollanua e kanë kundërshtuar këtë zgjerim të Himarës në drejtim të Vranishtit për interesa partiake e politike”, shkruan Kokëdhima. Deputeti socialist ndërkohë shprehet se Dhima u bind nga ekspozoja që është bërë për ndarjen territoriale. “Piro më shpjegoi se ishte prej disa ditësh në Himarë, kishte ardhur me një ide negative për reformën, por pasi kish takuar njerëzit dhe kish folur me ta, kish krijuar një përshtypje krejtësisht tjetër. Ne ramë dakord që të bashkëpunojmë për reformën territoriale, sepse kjo i shërben së ardhmes së Himarës. Ai më tha drejtpërdrejt se plani juaj është i bukur dhe se do të flasë me autoritetet greke sapo të kthehet në Greqi. Gjithashtu, ai e priti shumë mirë ftesën time drejt tij dhe të gjithë himarjotëve të suksesshëm nëpër botë, për të bashkëpunuar për një zhvillim të merituar të kësaj krahine të bukur e të lavdishme. Takimi u përshkua nga fryma e mirëkuptimit të plotë”, shkruan Kokëdhima. Deputeti i PASOK-ut, Piro Dhima, disa ditë më parë kishte kërkuar gjetjen e një kompromisi për ndarjen e territoriale, duke u fokusuar te debati për Himarën. Por, deputeti i PASOK-ut, Piro Dhima, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Tëitter shkruan se në takimin me Kokëdhimën e kryebashkiakun Goro ka pasur divergjenca për ndarjen e re territoriale. “Kemi folur për ndarjen e re administrative- territoriale të qeverisë shqiptare që ne nuk e pranojmë. I bëra të ditur se për Vorio-Epirin, kjo ndarje është e papranueshme dhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut”, shkruan Dhima.

Leave a Reply

%d bloggers like this: