Te ndryshme

Murgjit tajlandezë obezë, nisin dietën dhe stërvitjen

Murgjit në Tajlandë po e humbin imazhin e tyre të mirë te populli me shumicë budiste se ata janë shembull i një jete të drejtë, të përulur dhe të shëndetshme. Sipas një studimi të ri, rreth gjysma e murgjve të këtij shekulli janë obezë. Kjo është një arsye e fortë se përse tani ata po i hyjnë dietës dhe stërvitjes fizike 

Shëtitja e hershme mëngjesore e murgjve që mbajnë në dorë tasa ku hidhen donacionet, është një ritual i njohur dhe i përditshëm në Tajlandë. Por shkencëtarët tani kanë arritur në përfundimin se tradita po kontribuon në një epidemi obeziteti mes murgjve budistë.

Sipas një studimi të ri, rreth gjysma e murgjve të këtij shekulli janë obezë dhe vuajnë nga sëmundje shëndetësore, si presioni i lartë i gjakut, diabeti dhe kolesteroli i lartë.

Shtimi në peshë ndodh kryesisht prej donacioneve që bëhen në dietën e tyre të përditshme, kanë arritur në përfundim shkencëtarët. Lëmoshat shpesh konsistojnë në lëngje frutash, çaj të ëmbël, ushqime të pashëndetshme dhe produkte rruge – të gjitha të pasura me yndyra dhe sheqer.

Po ashtu, natyra kryesisht sedimentare e jetës së tyre në tempull, ku kalohet shumë kohë ulur duke u lutur dhe medituar, po e bën edhe më keq problemin. Akademikët dhe zyrtarët e lartë fetarë e shëndetësorë tani kanë filluar një fushatë të re, që të promovojnë një jetë më të shëndetshme dhe t’u mësojnë murgjve si të përgatitin vakte ushqimore që të jenë të balancuara. Stërvitja e trupit është po ashtu një pikë tjetër e rëndësishme në luftën ndaj epidemisë së obezitetit.

Synimi është të ndihmohen murgjit të jetojnë më gjatë dhe më shëndetshëm, por gjithashtu të pakësohen kostot mjekësore që i mbulon qeveria.

Jongjit Angkatavanich, një eksperte e shëndetit në Universitetin e njohur Chulalongkorn të Bangkokut, tha se studimi tregoi se 48 për qind e murgjve janë obezë.

“Obeziteti te murgjit tanë është një bombë me sahat”, tha ajo për “Bangkok Post”. Studimi i saj zbuloi se 42 për qind e murgjve kanë nivele të larta kolesteroli, 23 për qind vuajnë nga presioni i lartë i gjakut dhe më shumë se 10 për qind janë me diabet.

Megjithëse mund të ketë një mosmarrëveshje rreth masave të obezitetit, sfida po bëhet gjithnjë e më e madhe që të mbahet nën kontroll obeziteti, i cili është më se i qartë te murgjit.

Për këtë punë, studiuesit e Universitetit të Shkencave të Shëndetit po bashkëpunojnë me organizatat fetare për të lançuar një program kombëtar në luftën e obezitetit te murgjit.

Ata kanë filluar tashmë një projekt provë për të trajnuar kuzhinierë në një universitet publik për budistë në Tajlandë. Ata synojnë t’u mësojnë studentëve si të përgatisin vakte të pasura me proteinë, fibra dhe kalcium dhe t’i inkurajojnë murgjit të shtojnë aktivitetin fizik.

Rezultatet ishin të menjëhershme. Te 82 murgjit me probleme obeziteti, që marrin pjesë në programet fetare në kolegj, u vu re një humbje peshe prej 1 kilogramësh dhe pakësim i dhjamit në bark. Sipas një murgu, ai humbi deri në 10 kilogramë.

Spitali Chulalongkorn gjithashtu u ofroi murgjve një veshje të projektuar veçanërisht për ta, që të arrinin të ndienin se kur kishin ngrënë më shumë se duhet dhe nëse kjo po i shtonte në peshë.

Fenomeni i obezitetit është një tjetër shqetësim për imazhin e institucionit fetar, anëtarët e së cilës duhet të jetojnë mbi kursim, meditim dhe asketizëm. Obeziteti në këtë rast tregon për materializëm dhe tepricë.

Disa skandale seksuale, financiare dhe stili i jetesës luksoze kanë goditur murgjit e lartë në vitet e fundit, në një vend ku 90 për qind e popullatës është budiste.

Dhe budizmi tajlandez nuk ka aktualisht një lider shpirtëror të caktuar si Patriarku Suprem, sepse kandidati më i mundshëm u përfshi në një skandal të madh. 90-vjeçari që u caktua si kryemurg rezultoi i përfshirë në një hetim për mashtrim me taksat dhe lidhje me një tempull temper polemik.

Kjo solli përplasje mes murgjve dhe ushtarëve që mbështesnin kryemurgun Somdet Chuang, të cilët u përpoqën të organizonin një protestë në favor të tij.

Murgu gjithashtu është i lidhur me sektin Dhammakaya, që është pjesë e polemikave të mëdha për një pasuri gjigante të ngritur falë lidhjeve me ish-kryeministrin Thaksin Shinavatra.

Obeziteti te fëmijët, bota në alarm

A e dini se obeziteti në botë është dyfishuar që nga viti 1980? Shifrat alarmuese janë zbuluar falë një studimi të ri të publikuar këtë vit. Obeziteti te fëmijët kudo në botë ka arritur në nivel alarmant. Rreth 41 milionë fëmijë në shkallë globale nën moshën pesëvjeçare janë obezë ose mbi peshë dhe vendet në zhvillim janë ato që po preken më së shumti.

Numri total i fëmijëve obezë në vende si Azia dhe Afrika po i kalon në numër ata në SHBA dhe shifrat po rriten me shpejtësi, sipas një raporti të ri nga Komisioni i Obezitetit te Fëmijët.

Studimi nga OBSH-ja zbuloi se 48 për qind e fëmijëve obezë dhe mbipeshë jetonin në Azi dhe 25 për qind në Afrikë. Në 24 vitet e fundit, numri ka shkuar në 10.3 milionë nga 5.4 milionë.

Fëmijët që janë obezë kanë gjasa që edhe kur të rriten të mbeten obezë dhe të preken nga sëmundje të shumta. Problemet shëndetësore mund të shtojnë gjithashtu rrezikun e përjashtimit dhe diskriminimit shoqëror dhe vetëvlerësimit të ulët.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button