Te ndryshme

Përse nigerianët e shkrijnë floririn e tyre në Dubai?

 Dubait i pëlqen ta përshkruajë veten si qyteti i floririt, por shumë persona, përfshirë nigerianët, nuk vijnë këtu vetëm për të blerë bizhuteri të reja, por sjellin gjithashtu varëset dhe byzylykët e vjetër për t’u shkrirë dhe ristiluar

Dyqanet e aeroportit të Dubait, një nga më të ngarkuarit në botë, janë të mbushura me byzylykë floriri 22-karatësh. Duke pritur në një nga portat e fluturimit të orës 14:25 për në Lagos në Nigeri, është edhe familja Esochaghi, që po kthehet në shtëpi pas një udhëtimi pazari.

“Më të preferuarat e mia janë këto varëse”, thotë Ugochi Esochaghi për BBC-në, teksa bën me gjest një tufë fluturash varur në varësen që mban në qafë. “Mora edhe një për vajzën time, ku shkruhet emri i saj”, buzëqesh ajo teksa Valeria e vogël thith gishtin.

“Për mua dhe familjen time, floriri është një gjë mjaft e çmuar. Jam rritur me të dhe më pëlqen shumë”.

Fluturat prej ari të Esochaghi shkëlqejnë nën dritat e forta të aeroportit teksa ajo përshkruan vizitën e saj të fundit në dyqanet e famshme të arit në Dubai. “Sollëm disa nga bizhuteritë e vjetra dhe i peshuam. Më pas na dhanë disa nga dizenjot për të zgjedhur dhe ato që deshëm u krijuan nga shkrirja e floririt që kishim.

“U deshën rreth dy ditë nga fillimi në fund. Produkti është i mirë dhe është më lirë këtu se në Nigeri”.

Burri Enyioha, që ka qenë duke parë me ankth orën e aeroportit, bie dakord të pozojë për një foto me një shishe të uiskit Johnnie Walker që e ka blerë në zonën “duty free”. Esochaghi nuk mund ta fshehë gëzimin e saj. “Nuk e hasim shpesh këtë produkt, është diçka speciale dhe ne do t’ia japim si dhuratë një miku të mirë”.

Teksa njerëzit bëhen gjithnjë e më të lidhur dhe të lëvizshëm, BBC po eksploron se si ndryshojnë identitetet. Historia e Esochaghis është pjesë e disa serive të udhëtimit në Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait – një nga më të mëdhenjtë në botë.

Por është normale që familjet nigeriane të udhëtojnë në Dubai për të blerë flori?

“Po”, thotë Ugochi, teksa drejtohet për nga porta e nisjes. “Shumë miq të mi vijnë këtu. Është diçka që e bëjnë të gjithë”. Një nga shtatë Emiratet, për vite Dubai ka bërë reklamë të fuqishme për të tërhequr turistët. Vitin e shkuar më shumë se 14 milionë vizitorë qëndruan të paktën një natë në Dubai. Dhe turizmi i arit është kultivuar me kujdes.

Megjithëse ka edhe qendra të tjera globale për tregtinë e floririt – India dhe Kina janë dy nga më të mëdhatë – sipas Këshillit Botëror të Arit (KBA) rreth 30-40 për qind e floririt të botës rrjedh nga Dubai.

“Dhjetë ose 15 vite më parë Dubai u bë i famshëm për arin. Që atëherë është zhvilluar si një qendër me shumë shërbime e mallra dhe një biznes tregtie është zhvilluar”, thotë John Mulligan, kreu i KBA për marrëdhëniet me investitorët.

Mospasja e një takse shitjeje është kryesorja, thotë Mulligan, pasi në lidhje me shitjen e floririt kjo është tërheqëse për të investuar. “Zakonisht merremi me karat të lartë, që do të thotë se është thuajse e pastër. Nëse po blini bizhuteri, ari do të ketë një vlerë të brendshme të lartë. Për këtë shkak do të jetë më e lehtë të kuptohet se çfarë vlere ka”.

Ugochi Akwiwu, një blogere udhëtimesh, më tregon rreth dashurisë së saj për arin nga shtëpia në qytetin Benin, Nigeri. “Nigerianët në përgjithësi e dashurojnë arin dhe në pjesën time të vendit tregon pasuri”, thotë ajo.

“I kam rrënjët te komuniteti Igbo në juglindje të Nigerisë dhe është e zakonshme që nënat t’i dorëzojnë bizhuteritë e tyre prej ari te vajzat. Burrat zakonisht marrin prona dhe toka, gratë trashëgojnë ar dhe Hollandais, që janë një lloj qilimi.

Akwiwu udhëton në Dubai një herë në vit dhe në mënyrë të pashmangshme kthehet shpesh me flori, kryesisht në formë vëthësh. Ato janë vetëm për të dhe familjen e saj, por të tjerë e kanë kthyer këtë pazar në Dubai në biznes. “Kur isha në shkollë disa nga shoqet e mia të klasës bënë para duke blerë ar në Dubai dhe duke e shitur në Nigeri”.

“Disa ia dolën të futeshin në universitet me këto përfitime. Ari është rreth 5 dollarë grami më i lirë në Dubai sesa këtu dhe sjell shumë fitime”.

Me luhatjen e normave të këmbimit, çmimet mund të bëhen më të mëdha dhe kontrasti mund t’i sjellë fitime shumë të larta disa blerësve. Talutu Ahmed Olulana, për shembull është një grua që i hyri biznesit të arit me forcat e veta. “Ne blejmë rreth 5 kilogramë ar në vit dhe burimi varet se për çfarë është përdorur”, thotë ajo.

“Unë marr ar të pastër nga Afrika, por për ar të përpunuar shkoj në Itali, Indi dhe Dubai. Ari është shumë i mirë për t’u ruajtur, për t’u transportuar dhe ka vlerë kudo. Një mbrojtje e shkëlqyer kundër inflacionit. Mund ta matësh vërtet pasurinë me të”.

Makinat e shpejta dhe jahtet luksoze shkojnë e vijnë, por për nigerianët në veçanti, floriri do të jetë përgjithmonë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button