Home / Kronika / Hije dyshimi për trukimin e konkursit për tre prokurorët e rinj

Hije dyshimi për trukimin e konkursit për tre prokurorët e rinj

Prokuroria e Përgjithshme ka zgjedhur sot si fitues të testit për 3 prokurorë në Shkodër, Vlorë dhe Pogradec, ish-drejtorin e SHKB–së së policisë Astrit Halilaj, oficerin Erion Pustina dhe Anton Pali.

Por përzgjedhja e tyre si fitues, ka ngritur dyshime se fituesit e konkursit të zhvilluar nga Prokuroria e Përgjithshme kanë qenë të paracaktuar.

Fillimisht më datë 25 shkurt prokuroria ka njoftuar për 3 vendet vakante në këto prokurori. Më pas më 21 mars në faqen zyrtare të prokurorisë janë pasqyruar 46 oficerët që kandidonin për 3 këto vende vakante.

Me publikimin e listës, u njoftua se data 4 prill ishte caktuar dita e provimit për këta kandidatë. Por me 4 prill u njoftua se ky provim u shty për me datën 8 prill ora 11:00 në ambientet e prokurorisë së Tiranës.

Mëngjesin e datës 8 salla e mbledhjeve që ndodhet në katin e 5 të këtij institucioni ishte bërë gati për kandidatët. Si drejtuese e komisionit të provimit kryeprokurori Adriatik Llalla kishte deleguar shefen e personelit Alma Muça.

Në provim mësohet se nuk janë paraqitur të gjithë kandidatët por vetem 30 prej tyre. Çdo kandidatë merrte një nga 5 tezat (zarfat) që i kishin vendosur në tavolinë anëtarët e komisionit. Tezat ishin të mbyllura dhe ato që mbesnin nuk dihet se çfarë kishin brenda. Tezat e provimit nuk sekretoheshin por dorëzoheshin në një zarfë ku kandidati nuk merrte asnjë numër apo të dhënë për ta identifikuar më pas me tezën që ka plotësuar. Edhe ditën e provimit mësohet se ka pas debate mes dy kandidatëve dhe anëtarëve të komisionit, në lidhje me sekretimin e tezave. Por pavarësisht ankesave ato nuk janë marë parasysh.

24 orë më pas janë publikuar emrat e fituesve, ku rezultoi se ishte Astrit Halilaj ish-drejtori i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të policisë së shtetit gjatë kohës së qeverisë së ish-kryeministrit Sali Berisha.

Halili rezulton i emëruar si oficer pranë Prokurorisë vetëm pak muaj më parë po me firmën e kryeprokurorit Adriatik Llalla, i cili siç duket tashmë do ta emërojw shpejt edhe nw detyrën e prokurorit.

Ndërkohë fitues për një vend vakant si prokuror u shpall edhe oficeri Erjon Pustina, i njohur si pjesëtar i familjes që ushtron aktivititetin e GAS-it në Shqipëri që prej 20 vitesh.

Ndërsa si fitues i tretë u shpall oficeri Anton Pali, që kryente detyrën e oficerit të policisë gjyqësore në Prokurorinw e Durrësit.

Në mesin e kandidatëve për këto tre vende vakante kishte emra oficerësh që ushtrojnë këtë detyrë prej shumë vitesh por që rezultuan se nuk ishin fitues të provimit.

Leave a Reply

%d bloggers like this: