Ekonomia

Mallrat që bllokon BE-ja, të hiqen nga tregu

Urdhri

Rastet kur lajmërohen konsumatorët të kthejnë produktet

Nga Zamir Alushi

Ministri-i-Zhvillimit-Ekonomik,-Tregtise-dhe-Sipermarrjes,-Arben-AhmetajParulla “Malli që blihet nuk kthehet!” jo gjithmonë është e vlefshme. Në bazë të një urdhri që ka nxjerrë ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj, i zbardhur dje për publikun, “kthimi mbrapsht i produktit nga konsumatorët”, është një nga masat që do të merret në çdo rast kur inspektori i tregut vlerëson se malli apo pajisja, instalimi është jashtë standardeve cilësore apo rezulton me rrezik për shëndetin. Veçanërisht mallrat që marrin “kartonin e kuq” në vendet e BE-së, do të tërhiqen menjëherë nga tregu. Urdhri u drejtohet inspektorateve që mbikëqyrin sigurinë e produkteve joushqimore dhe përmban masa përshkallëzuese, deri në ndalimin e shitjes apo përdorimit të mallit të rrezikshëm.

Tërheqja e produktit nga tregu

Nëse produkti që rezulton i rrezikshëm gjendet tashmë në treg, sipas urdhrit të ministrit Ahmetaj, struktura përgjegjëse e mbikëqyrjes së tregut, përveç “ndalimit të tregtimit”, vendos edhe masën “tërheqje nga tregu” të produktit. Kjo masë merret në rastet kur veçoritë e rrezikshme të produktit nuk konsiderohen të jenë në atë shkallë që të kërkohet kthimi mbrapsht i tij nga konsumatorët ose kur produkti nuk ka shkuar ende te konsumatori. Tërheqja nga tregu, në varësi të gjendjes së produktit në zinxhirin e shpërndarjes, mund të jetë bllokimi nga shpërndarësit ose tërheqja nga të gjitha segmentet e tregut. Procesi i tërheqjes nga tregu, sipas urdhrit të ministrit, mund të kërkojë një shkresë nga fabrikuesi ose importuesi për tregtarët me pakicë, për tërheqjen nga tregu dhe udhëzimet përkatëse.

Kthimi i produkteve nga klientët

Nëse produkti që rezulton me risk serioz ka arritur te konsumatori apo përdoruesi i fundit, struktura përgjegjëse e mbikëqyrjes së tregut, përveç ndalimit të tregtimit, vendos edhe masën e “kthimit mbrapsht të produktit nga konsumatori”. Në këtë rast, operatori përgjegjës duhet të kryejë sa më shpejt të jetë e mundur, kthimin mbrapsht të çdo produkti të shitur nga konsumatori apo përdoruesi final. Kur masat e marra nga operatori ekonomik nuk janë të mjaftueshme, inspektorati organizon drejtpërdrejt kthimin mbrapsht të produktit. Ky operacion kryhet me shpenzimet e operatorit ekonomik përgjegjës. Struktura përgjegjëse njofton operatorin ekonomik për shumën përkatëse që detyrohet të paguajë.

Sanksionet

Sipas urdhrit të ministrit Ahmetaj, me qëllim marrjen e një vendimi përfundimtar në përputhje me ligjin, inspektori kryen një hetim të plotë administrativ. Vendimi përfundimtar merret në bazë të rezultateve të “vlerësimit përfundimtar të riskut”, që bëhet nga Komisioni i Menaxhimit të Riskut, duke u mbështetur në gjetjet e inspektimit, verifikimin e dokumenteve përkatëse (në mënyrë të veçantë të dosjes teknike) dhe rezultatet e kontrollit laboratorik të mostrave, nëse është rasti. Në përfundim vendoset për një nga masat, që fillojnë me paralajmërimin zyrtar. Ky shoqërohet me urdhërimin për ndreqjen e shkeljeve, brenda një afati të caktuar të përcaktuar nga inspektori. Ndërkaq, urdhri parashikon edhe masa të posaçme për sigurinë. Në këto raste, struktura përgjegjëse e mbikëqyrjes së tregut mund të vendosë detyrimin e operatorit ekonomik përgjegjës të vendosë shënimin në produkt për paralajmërime, të formuluar në gjuhën shqipe, në mënyrë të qartë dhe lehtësisht të kuptueshme, për risqet që mund të paraqesë. Një masë tjetër e posaçme është ndalimi i përkohshëm i tregtimit. Produkti në këtë rast ndalohet të tregtohet dhe nuk mund të importohet në territorin e vendit deri në shmangien e rrezikut. Masa drastike është ndalimi i përhershëm i tregtimit. Struktura përgjegjëse për mbikëqyrjen e tregut vendos ndalimin e përhershëm të tregtimit kur produkti nuk është në përputhje me kërkesat e sigurisë, është i rrezikshëm për jetën, shëndetin, mjedisit ose interesave të tjera publike. Ndalimi i përhershëm i tregtimit vendoset edhe kur e njëjta masë është marrë nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së, ku është tregtuar produkti.

Shkatërrimi i produktit

Detyrimi i fundit është shkatërrimi i produkteve kur ato janë kthyer mbrapsht prej konsumatorëve dhe paraqesin rrezik për sigurinë e tyre. Ky vendim, sipas urdhrit të Ahmetajt, merret edhe në rastet kur është i pamundur nga operatori ekonomik përgjegjës, modifikimi apo rieksportimi i produktit. Shkatërrimi i produktit bëhet nga strukturat e posaçme, me shpenzimet e operatorit ekonomik përgjegjës dhe sipas procedurave për mbrojtjen e mjedisit.

Publiku

Njoftimi publik bëhet kur rreziku është aq i madh sa konsumatorët mund të dëmtohen nëse nuk lajmërohen

Tërheqja

Lajmërimi publik vendoset së bashku me masën e tërheqjes nga tregu apo kthimit mbrapsht të produktit

Shpenzimet

Lajmërimi publik kryhet me shpenzimet e operatorit përgjegjës, shuma i komunikohet nga inspektorati

Urgjenca

Masat urgjente mund të merren në çdo moment gjatë inspektimit deri në çastin e marrjes së vendimit përfundimtar

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button