Home / Intervista / Gjipali: Strasburgu, pengesë për hapjen e negociatave me BE-në

Gjipali: Strasburgu, pengesë për hapjen e negociatave me BE-në

Kreu i Lëvizjes Europiane: Qeveria duhet të miratojë sa më shpejt një strategji për kthimin dhe kompensimin e pronave

Vendimet e reja – Numri i dy çështjeve “Cala dhe 60 të tjerë kundër Shqipërisë” dhe “Jajaga dhe Kërluku kundër Shqipërisë” shkon në 102 dosje, për të cilat, brenda datës 10 gusht pritet që të merret vendimi për procesin “Cala kundër Shqipërisë”, që do të jetë dhe vendimi gjyqësor me shumën më të madhe të faturës 500 milionë euro për 102 çështjet e akumuluara nga Strasburgu.

Paralajmërimi – Nëse shteti i paditur (Shqipëria) nuk arrin t’i marrë këto masa pas një gjykimi pilot dhe vazhdon të shkelë Konventën, gjykata nuk do të ketë zgjidhje tjetër veçse të rifillojë shqyrtimin e të gjitha ankimeve të ngjashme të pazgjidhura, të paraqitura pranë saj dhe t’ia nënshtrojë gjykimit, në mënyrë që të garantojë respektimin efektiv të Konventës.

Plani i Veprimit – Plani i Veprimit, i paraqitur së fundmi nga qeveria shqiptare, nuk e tregon se cili është mekanizmi efektiv i ndërtuar për të bërë zbatimin e vendimit pilot. Në këto kushte, Gjykata ka vlerësuar se: “Nuk do të ishte në interes të administrimit të drejtë të drejtësisë shtyrja e afatit për trajtimin e kërkesave të reja, apo të kërkesave që janë lënë pezull nga dhjetori i vitit 2012″

Nga Herion Mesi

Gledis GjipaliGjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka vendosur që të rinisë shqyrtimin e dosjeve të pronarëve shqiptarë që kanë kallëzuar penalisht shtetin shqiptar për moszbatimin e vendimeve të gjykatave për kthimin dhe kompensimin e pronave të tyre. Mundësia që Strasburgu i la qeverisë për të gjetur një kompromis me ish-pronarët, në mënyrë që të mos merrej vendimi drastik, i cili rrezikon dhe falimentimin e shtetit, nuk u arrit për shkak se qeveria shqiptare nuk kishte një strategji të detajuar për zgjidhjen e këtij problemi. Për kreun e Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA) Gledis Gjipali, mungesa e kësaj strategjie, ku qeveria të mirëpërcaktojë qartë faturën e kthimit dhe kompensimit të pronave pronarëve të ligjshëm dhe afatet, përveç kostove financiare, ka dhe kosto politike për vendin, e cila mund të sjellë dhe bllokimin e procesit të hapjes së negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian. “Është shumë i rëndësishëm edhe nga ana politike, zgjidhja e këtij problemi apo hyrja në rrugën e duhur. Sepse dihet se çështja e pronave është një faturë e madhe financiare që nuk mund të zgjidhet me 2-3 vjet. Por ajo që mungon dhe që qeveria duhet të bëjë është që të ketë një strategji të qartë ku të shpjegojë formën se si do ta zgjidhë këtë problem: sa vite do t’i duhen, sa para, sa burime njerëzore apo institucionale do t’i duhen për këtë proces. Deri më sot, mbas 20 e ca vitesh, ende nuk kemi një plan të tillë të qartë dhe i cili të fillojë të zbatohet”, – thekson Gjipali.

Me rinisjen e këtij procesi, çfarë duhet të bëjë qeveria shqiptare që të zbusë kostot e këtyre vendimeve që, për nga ana financiare, do të sillnin dhe faliment të shtetit? Dhe cilat mund të jenë pasojat që do të ketë Shqipëria në procesin e integrimit europian, në rast se qeveria shqiptare nuk do t’i shlyejë dot këto detyrime ndaj pronarëve që fitojnë gjyqet?

Pritej që me mbarimin e afatit të vendosur nga Gjykata e Strasburgut, Shqipëria të gjendej përballë kërkesave në rritje të pronarëve, të cilët kërkojnë kthimin dhe kompensimin e pronave të tyre në Strasburg, pasi i kanë kaluar të gjitha instancat gjyqësore në Shqipëri dhe nuk e kanë gjetur të drejtën e tyre. Për këtë arsye, edhe Strasburgu, duke pasur dhe një rritje të madhe të numrit të çështjeve vitet e fundit, bëri një pezullim prej 1 viti e gjysmë, duke i dhënë kohë qeverisë shqiptare që të hartonte një plan strategjik me masa të mirëpërcaktuara se çfarë duhet të bënte për të zgjidhur problemin e kthimit të pronës dhe mosekzekutimin e vendimeve që lidhen me kthimin e pronës. Me mbarimin e këtij afati, që përfundoi në korrik të këtij viti, tashmë Shqipëria do të jetë përsëri përballë kërkesave dhe vendimeve të gjykatës, të cilat do të kërkojnë zbatimin e vendimeve dhe kthimin e pronës dhe në raste të ndryshme, edhe vendosjen e gjobave ndaj shtetit shqiptar për mosmarrjen e masave të duhura. Është vetë në filozofinë e Gjykatës së Strasburgut për të dhënë vendime, të cilat zgjidhin problemin, pra jo vetëm çështjen në fjalë që gjykohet, por edhe për të zgjidhur problemet e sistemit në Shqipëri. Për këtë arsye i ishte dhënë ky afat qeverisë shqiptare për të zgjidhur këtë problem, i cili është sistemik në Shqipëri. Dhe pavarësisht kësaj, ky problem nuk u zgjidh dhe nuk është zgjidhur. Ka disa hapa, siç është krijimi i hartës së vlerës së tokës, por qeveria shqiptare ende është shumë mbrapa. Ende nuk kemi një faturë të të gjithë procesit të kthimit të pronave se sa do t’i kushtojë qeverisë shqiptare, taksapaguesve shqiptarë. Ndërkohë që vazhdojnë të rriten kërkesat, rriten edhe gjobat të cilat i vendosen shtetit shqiptar për shkak të moszgjidhjes së këtij problemi. Ana tjetër, problemi politik, përveç problemit financiar, ka të bëjë edhe me procesin e integrimit të Shqipërisë, ku Këshilli i Europës luan një rol të rëndësishëm, sidomos për sa u përket kritereve politike, që kanë të bëjnë me sistemin e së drejtës, pavarësinë e gjyqësorit, funksionimin e tij. Dhe vendimet apo raportet e Këshillit të Europës janë gjithashtu, me një vlerësim për Shqipërinë për procesin e integrimit europian. Shpesh Brukseli u referohet këtyre raporteve për të nxjerrë në pah problemet dhe çështjet të cilat duhet të trajtohen. Kjo ishte pjesë e 12 prioriteteve që u vunë për dhënien e statusit, ku një prej tyre ishte dhe çështja e pronave dhe tashmë për negociatat në 5 prioritetet e përmbledhura janë dhe të drejtat e njeriut, që kanë të bëjnë pikërisht me problemin e kthimit të pronës. Pra, është shumë i rëndësishëm edhe nga ana politike, zgjidhja e këtij problemi apo hyrja në rrugën e duhur, sepse dihet se çështja e pronave është një faturë e madhe financiare që nuk mund të zgjidhet me 2-3 vjet. Por ajo që mungon dhe që qeveria duhet të bëjë, është që të ketë një strategji të qartë, ku të shpjegojë formën se si do ta zgjidhë këtë problem: sa vite do t’i duhen, sa para, sa burime njerëzore apo institucionale do t’i duhen për këtë proces. Deri më sot, mbas 20 e ca vitesh, ende nuk kemi një plan të tillë të qartë dhe i cili të fillojë të zbatohet.

A e ka pasur kohën e mjaftueshme qeveria e re për të hartuar një strategji të tillë? Më saktë, si duhet të koordinohet politika për një strategji të tillë?

Në fakt, do të ishte mirë që të ketë një bashkëpunim nga të dyja palët, duke ditur që ky problem është më shumë se 20-vjeçar dhe të gjitha palët janë bashkëfajtore për këtë situatë të krijuar. Është e vërtetë që qeveria e re nuk ka pasur kohën e mjaftueshme për ta hartuar këtë plan strategjik të rëndësishëm, i cili kërkon angazhimin e shumë institucioneve për ta bërë. Por gjithsesi, për Strasburgun, ky nuk është justifikim, pasi kemi shumë vite dhe që vazhdon e thellohet, me një legjislacion konfliktual, që bie në kundërshtim me njëri-tjetrin, apo kemi procedura të tejzgjatura që në fund të fundit bien në kurriz të qytetarëve, prandaj dhe dëmshpërblimet janë më të larta nga Strasburgu, për shkak të këtyre vonesave dhe pengesave që vendosen. Por, do të ishte mirë që të kishte një bashkëpunim, për të pasur një plan strategjik, i cili shkon përtej një 4-vjeçari qeverisës të një mazhorance. Duhet të ketë një dakordësi për mënyrën se si do të zgjidhet çështja e kthimit dhe kompensimit të pronarëve. Vitet e fundit kjo është komplikuar edhe më tej me çështjen e legalizimit, ku përveç të ashtuquajturve ish-pronarë të pronave të marra nga regjimi komunist, tashmë kemi dhe ish-pronarë të pronave të zaptuara nga qytetarët që kanë lëvizur brenda territorit shqiptar dhe kanë marrë prona të qytetarëve të tjerë, po shqiptarë. Pra, kemi një brez tjetër të pronarëve, të cilët kanë të drejta mbi tokën dhe pronën e tyre, por nuk e zotërojnë atë, të cilët i shtohen këtij numri të madh të ish-pronarëve të regjimit komunist. Pra, me këtë, dua të them që problemi është thelluar edhe më tej dhe ende nuk ka një zgjidhje të qartë dhe një faturë financiare.

A do të ketë ndikim kjo çështje në procesin e hapjes së negociatave me BE-në?

Po. Duke qenë një nga pesë prioritetet, ky është një nga elementet që do vlerësohet dhe që Shqipërisë i duhet të bëjë progres në këtë drejtim. Nuk mund të them që asaj do t’i duhet ta zgjidhë këtë problem për hapjen e negociatave, si shumë çështje të tjera, si ajo kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, por institucionet shqiptare duhet të tregojnë vullnet të mirë dhe që problemi është futur në rrugën e zgjidhjes. Pa pasur një perspektivë të qartë për këtë çështje nga institucionet shqiptare, është e pamundur për të pasur një zgjidhje të këtij problemi dhe është po ashtu e pamundur që qeveria shqiptare ta përmbushë këtë prioritet, në kuadër të hapit të mëtejshëm në rrugën e integrimit të saj në BE, që është hapja e negociatave.

Leave a Reply

Your email address will not be published.