Home / Kosova / Komuna e Prizrenit injoron rekomandimet nga konferenca për UNESCO

Komuna e Prizrenit injoron rekomandimet nga konferenca për UNESCO

komuna-e-prizrenit-injoron-rekomandimet-nga-konferenca-p-euml-r-unesco_hdNë kuadër të projektit të monitorimit të transparencës së ekzekutivit komunal të Prizrenit ”EC Ma Ndryshe” gjatë muajve të fundit ka hulumtuar çështjen e implementimit të rekomandimeve të dala nga Konferenca dy ditore “Prizreni dhe UNESCO – Alternativat e Përfshirjes”, të organizuar nga Komuna e Prizrenit më 16 dhe 17 maj të vitit 2013.

Në bazë të informatave që monitoruesit kanë grumbulluar nga zyrtarët përgjegjës komunal, del se ekzekutivi i Prizrenit nuk ka ndërmarrë masa për zbatimin e asnjërit prej rekomandimeve të kësaj Konference, për organizimin e të cilës ishin shpenzuar mbi 4 mijë e 500 euro nga buxheti komunal.

Raporti mbi zhvillimet e konferencës pos pjesës përmbledhëse ka edhe kapitullin e konkluzioneve dhe rekomandimeve që përmban 13 pika, në të cilat parashihen veprime të ndryshme që duhet t’i ndërmerr Komuna e Prizrenit në bashkëpunim me institucionet tjera shtetërore e rajonale për tu përgatitur gradualisht për procesin e aplikimit në UNESCO.

Sipas një komunikate për media nga OJQ-ja “EC Ma Ndryshe”, përgjigjet e marra nga zyrtarët komunal konfirmojnë se ekzekutivi lokal i Prizrenit nuk e ka zbatuar asnjërin prej tyre dhe nuk ka ndonjë plan në këtë drejtim.

Zyrtarët përgjegjës të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport janë përgjigjur se kjo drejtori “deri më tani nuk ka marrë kurrfarë njoftimi për hapat e mëtejmë që mund të jenë bërë pas Konferencës së organizuar për mundësinë e përfshirjes së qytetit të Prizrenit në UNESCO”.

DKRS ka njoftuar se Konferenca është organizuar nga zyra e ish-nënkryetarit të Komunës së Prizrenit, Ruzhdi Rexha.

Ish-nënkryetari Rexha ka njoftuar se rekomandimet janë prezantuar te Kryetari i Komunës gjatë një mbledhje të kolegjiumit të drejtorëve, me vërejtjen se ato duhet të implementohen dhe se asnjë hap nuk është ndërmarrë pavarësisht premtimit se ato do të implementohen.

Duke i marrë parasysh këto të gjetura, “EC Ma Ndryshe” rekomandon Komunën e Prizrenit që:
Të sjellë në vëmendje të politikave të saja publike raportin e shkurtër mbi zhvillimet e Konferencës “Prizreni dhe UNESCO…” dhe të nisë menjëherë zbatimin e rekomandimeve të paraqitura në këtë raport.

Ndër rekomandimet e dala janë: fillimi i procesit të përgatitjes së Dosjes për Aplikim në UNESCO, hulumtimi i dokumentacionit të viteve të 70-ta dhe komunikimit nga viti 2000 me UNESCO-n, nisja e procesit të inventarizimit të aseteve kulturore të Prizrenit, kufizimi i ndërtimeve të reja derisa të hartohen planet e konservimit, bashkëpunimi me qytetet e rajonit që janë në listën e UNESCO-s, si dhe të mos shpenzoj mjete të buxhetit komunal në ngjarje e organizime, rezultatet e të cilave më pastaj nuk i trajton dhe nuk i implementon.

Leave a Reply

Your email address will not be published.