Kronika

Xhafa: Prokurorë e gjykatës po lobojnë kundër Reformës në Drejtësi

Kryetari i Komisionit për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafa, ka deklaruar në një intervistë emisionin ‘Kapital’ të gazetarit Aleksandër Furxhi në ‘Vizion Plus’ se, ka prokurorë e gjykatës që po lobojnë kundër Reformës në Drejtësi.

“Ka gjyqtarë e prokurorë që janë frikësuar e po përpiqen të sigurojnë pozitat e tyre. Ka gjykatës e prokurorë që ëndërrojnë që reforma të mos bëhet, madje që lobojnë në qarqe politike që reforma të mos kalojë. Kam informacione se janë ulur edhe në tavolinë duke llogaritur votat kundër reformës. Emërimet e fundit dhe promovimet e disa gjyqtarëve e prokurorëve ngrenë shumë pikëpyetje për nga mënyra si janë bërë e po bëhen me nxitim”, tha Xhafa.

Lidhur me qëndrimin dhe kërkesën e fundit të PD, për të miratuar sa më shpejt Byronë Kombëtare të Hetimit, Xhafa tha se, “nuk mund të ngrihet Byroja sot sepse nuk ka bazë ligjore. Sepse, së pari, duhet të bëhet ndryshimi përkatës në Kushtetutë. Dhe, së dyti, Byroja është projektuar të ngrihet pranë Prokurorisë Anti-korrupsion. Po si mund të ngrihet BKH pa u ngritur më parë Prokuroria Anti-korrupsion? Në një kohë që Byroja do të jetë pikërisht në funksion të Prokurorisë Anti-korrupsion. Nëse do të ngrihej sot, BKH nuk do të funksiononte dot, do të ishte vetëm sa për të hedhur hi syve, sa për të thënë që e ngritëm dhe Byrone. Ajo nuk do të bënte dot asgjë sepse pjesëtarët e saj, pra policia gjyqësore, nuk do të kishte te cila Prokurori të dërgonte hetimet e saj.

Pyetjes së përse e miratoi qeveria projektin për BKH para dy javësh, Xhafa iu përgjigj, “sepse opozita bëri presion dhe betejë politike. Dhe qeveria u detyrua ta dërgojë në parlament projektin siç ishte, duke qenë e bindur se nuk mund të miratohej pa ndodhur më pare ndryshimet kushtetuese. Ja përse ligji për Byronë ka mbetur i bllokuar ashtu si edhe disa ligje të tjera të sistemit të Drejtësisë, pikërisht sepse nuk mund të miratohen pa kaluar paketa e ndryshimeve kushtetuese, të cilat sanksionojnë funksionimin e organeve të Drejtësisë”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button