Kronika

Zjarri ne laboratorin e kriminalistikes mund te kete lidhje me drogen

Një shkëndijë elektrike në korridorin e Laboratorit Shkencor të Kriminalistikës, ka alarmuar orët e para të mëngjesit të djeshëm Policinë e Shtetit. Laboratori qendror që gjendet te Garda e Republikës, sipas burimeve të policisë, është përfshirë flakët, të cilat kanë shkrumbuar korridorin e katit të dytë. Por sipas veprimeve të para hetimore, dyshohet se në sheshpushimin e katit të dytë janë djegur edhe një sasi e konsiderueshme lëndësh narkotike. Sasia e drogës ndodhej në laborator si provë materiale. Ngjarja ndodhi në orën 02:15 minuta të mëngjesit të djeshëm, ku, si pasojë e shkëndijës elektrike u dogjën telat që furnizojnë me ndriçim Drejtorinë e Policisë Shkencore.

Zyra për shtyp e Policisë së Shtetit, nuk dha detaje për djegien e lëndës narkotike, por vetëm pohoi se dyshohet se aty mund të jenë djegur një sasi e dyshuar si drogë, duke mos përcaktuar se e çfarë llojit ishte dhe sa kilogram janë shkrumbuar në Laboratorin Qendror të Kriminalistikës. Nuk është e qartë se në çfarë aksioni të policisë ishte sekuestruar droga e djegur. Gjithashtu, nuk dihet nëse ekspertët shkencorë i kishin përfunduar analizat, apo droga që ishte në korridor ende nuk ishte analizuar. Pas konstatimit të vatrës së zjarrit, në vendngjarje shkuan zjarrfikësit, që arritën t’i izolojnë dhe shuajnë. Për këtë ngjarje, u ngrit një grup hetimor për të hetuar djegien. Në laboratorin Kriminalistik analizohen të gjitha provat, si armë, shenja gishtash e të tjera, që oficerët e policisë gjyqësore sekuestrojnë në një vendngjarje. Ndërkaq nuk është përcaktuar nëse zjarri ka qenë i qëllimshëm apo aksidental.

Djegia e laboratorit

Policia e Shtetit, thekson se, si pasojë e një mase elektrike është djegur njëri prej neoneve të ndriçimit në një nga shesh pushimet e katit të dytë të laboratorit Kriminalistik. “Ngjarja mësohet se ka ndodhur rreth orës 02:15 të mëngjesit të djeshëm dhe policia sqaron se asnjë nga laboratorët nuk është dëmtuar nga zjarri. Përveç djegies së neonit dhe telave që furnizojnë me energji neonin në shesh pushim e katit të dytë, fatmirësisht nuk ka asnjë dëmtim në sallat e laboratorit të kriminalistikës,”, thuhet në njoftimin e policisë pas ngjarjes.

Ndërkohë, edhe pse nuk është shënuar asnjë dëmtim në sallat e laboratorit, këto të fundit kanë qenë të rrezikuara në shkëndija elektrike që përfshiu mëngjesin e djeshëm kabullin elektrik në sheshpushimin e laboratorit. Për ngjarjen u njoftua Policia e Tiranës dhe shërbimi zjarrfikës, të cilët ndërhynë për izolimin dhe shuarjen e vatrës së zjarrit. Ndërkohë u njoftua zyra e Prokurorit të Përgjithshëm dhe në vendngjarje mbërriti Prokurori i gatshëm i Prokurorisë së Tiranës. Në të njëjtën kohë, duke ditur rëndësinë e materialeve që gjenden në Laboratorin Shkencorë, u ngrit një grupi hetimor nën drejtimit e prokurorit, me përbërje të ekspertëve të fushës, si ekspertë të OSHEE-së, të shërbimit zjarrfikës, oficerë të Policisë Gjyqësore të Komisariatit nr. 2, si edhe specialistë të Hetimit të Krimit të SHÇBA-së. Ndërkohë, vijojnë hetimet për gjetjen dhe zbulimin e shkaqeve të zjarrit.

Basha: Zjarri i qëllimshëm 

I pari që dha lajmin për incidentin në Laboratorin Shkencor të Policisë së Shtetit që ndodhet në Gardën e Republikës, ishte lideri i opozitës Lulzim Basha. Ai hodhi dyshime për një zjarr të qëllimshëm për të shkatërruar, sipas tij, provat në lidhje me drogën e konfiskuar nga policia në disa operacione të fundit. Përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, kryedemokrati Basha shkruan se është njoftuar nga oficerët e policisë se zjarri ishte i qëllimshëm, madje ai akuzon se policia po tenton ta fshehë këtë ngjarje. “Zjarr në Laboratorin Shkencor të Policisë! Raportohet nga oficerë të policisë se zjarri është i qëllimshëm dhe ka pasur objektiv shkatërrimin e provave në lidhje me drogën e konfiskuar në disa operacione të fundit. Po bëhen përpjekje për ta fshehur këtë akt kriminal” -shkroi në “Facebook” kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button