Kosova

Veseli i përgjigjet LDK’së: S’jemi koalicion i luftës, as i paraluftës por i së ardhmes

Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli u është përgjigjur udhëheqësve të LDK’së se koalicioni PDK-AAK-NISMA është koalicion i luftës dhe i natës.

Veseli ka thënë se koalicioni me Ramush Haradinaj është i së ardhmes perëndimore të Kosovës.

“Ne jemi koalicion i lirisë dhe sovranitetit, nuk jemi as i luftës as i paraluftës. Lufta ka qenë sakrificë e secilit qytetarë dhe jemi të vendosur që bashkërisht t’i bashkojmë edhe qytetarët tanë drejt Fillimit të Ri për Kosovën”, ka thënë Veseli, në Rahovec, ku ka folur bashkë me Ramush Haradinajn para disa biznesmenëve.

“Nuk do ta ndajmë popullin”, ka shtuar ai.

Zyrtarët e LDK’së prej se kanë prishur koalicionin me PDK’në kanë nisur të akuzojnë Kadri Veselin se ka lidhur koalicion me AAK’në dhe NISMA’n për të rikthyer kohën e pasluftës.

Sidoqoftë, Veseli ka folur edhe për LDK’në dhe Vetëvendosjen. Ka përsëritur se partia e Avdullah Hotit s’ka guxim të marrë vendime, kurse, Partia e Albin Kurtit e shkatërron Kosovën.

“Janë dy alternativa që janë konkurente me mua dhe Ramushin. Është opsioni, i cili është i dëshmuar se nuk merr kurrë vendime. Nuk ka vizion dhe nuk guxon të marrë përgjegjësi”, ka shtuar ai.

“E kemi alternativën tjetër që nuk e njeh Kosovën. Që dëshiron ta rrënojë Kosovën. Që dëshiron të thotë se jemi shqiptar nga sot. Të fillojmë nga sot të ndërtojmë një komb të ri”, ka thënë Veseli.

Koalicioni PDK-AAK-NISMA është lidhur pas atij të LDK’së me AKR’në.

Në pesë palë zgjedhje, PDK e LDK, kanë qenë në bashkëqeverisje tri herë derisa AAK është në opozitë prej vitit 2007.

Zgjedhjet nacionale mbahen me 11 qershor derisa në zgjedhjet e fundit PDK ishte partia e parë, e pasuar nga LDK, VV, AAK e NISMA. AKR në zgjedhjet e fundit s’kishte arritur të hynte në Parlament.

Lideri i PDK-së, Veseli, ka thënë se Fillimi i Ri nënkupton një qeveri që është e aftë të marrë vendime dhe të arrijë rezultate të prekshme për qytetarët tanë, e jo qeveri me lidership të paguximshëm dhe pa vizion për të ardhmen.

“Bashkë me mikun tim, kryeministrin e ardhshëm Ramush Haradinaj do t’i fitojmë zgjedhjet më 11 qershor me rezultatin më të thellë në historinë tonë. Ne, bashkë, do të jemi fillimi i ri për Kosovën. Fitorja jonë nuk është kundër askujt, përkundrazi, është fitore për të gjithë qytetarët pa dallim. Ne jemi koalicion i fitores dhe vendimmarrjes dhe ndër vendimet e para që do të marrim bashkë me kolegët tanë është formimi i ushtrisë së Kosovës dhe integrimi në strukturat euro atlantike”, ka thënë Veseli.

Duke folur për platformën e re qeverisëse, Veseli tha se me fokus të veçantë ndaj prodhuesve dhe bizneseve vendore që janë rreth 60 mijë, shumë shpejt do të krijohen 60 mijë vende pune apo secili biznes do të mund ta punësonye nga një punëtor më shumë.

Kryetari i PDK-së ka ftuar të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e fitores së Fillimit të Ri, ndërsa i siguroi se do të jenë përkrah tyre gjatë katër viteve të mandatit qeverisës.

Nga ana e tij, Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka thënë se do të udhëheqë qeverinë e Kosovës gjithmonë në konsultë dhe debat të hapur me qytetarët dhe ekspertët e fushave përkatëse.

“Kryetari Veseli dhe unë i kemi lidhur fatet bashkë. Por fatet tona i kemi lidhur për fatin e qytetarëve tanë, për shtetin tonë dhe për të ardhmen e vendit tonë. Unë e kam dhënë besën njëherë në luftë kir kemi qenë të gatshëm të vdesim për atdheun tonë. E kam dhënë besën edhe kur kam marrë mandatin për kryeministër nga Presidenti Rugova sepse e kam konsideruar se është në interes të atdheut. Edhe në këtë koalicion unë e kam dhënë besën sepse vlerësoj se është në interes të atdheut. Unë i falënderoj kolegët e koalicionit për besimin e dhënë dhe ju sigoroj se të gjitha vendimet edhe në qeveri do ti marrim gjithmonë në konsultim me gjithë akterët e shoqërisë në fushat përkatëse qeverisëse”, ka thë Haradinaj, duke shtuar se bashkimi në koalicion për fitoren e 11 qershorit do ti sjell vendit ardhmërinë dhe perspektivë të sigurt.

Haradinaj po ashtu tha se orientimi i zhvillimit ekonomik të Kosovës do të orientohet përmes stimulimit të prodhuesve vendorë dhe sipërmarrësve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button