Ekonomia

Konkurrenca nuk gjen prova, mbyll hetimin për tregtimin me kushte të insulinës

Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur mbylljen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e importit, shitjes me shumicë dhe pakicë të produktit mjekësor “Lantus” (Insulinë), pasi ka konkluduar se nuk u konstatuan shenja të kufizimit të konkurrencës në këtë treg, për periudhën nën hetim.

Hetimi ishte hapur për periudhën kohore Shtator 2015 – Prill 2016 pas ankesave dhe sinjaleve  për shenja të kufizimit të konkurrencës dhe shitje të produktit me kusht (të shoqëruar nga medikamente të tjera).

Grupi i inspektimit gjatë periudhës së hetimit procedoi me kryerjen e inspektimeve pranë ndërmarrjeve që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në tregun e importit dhe shitjes me shumicë dhe pakicë të produktit mjekësor “Lantus” (Insulinë)”. Qëllimi i inspektimeve ishte grumbullimi i fakteve dhe të dhënave të nevojshme në funksion të hetimit paraprak në tregun e importit dhe shitjes me shumicë dhe pakicë të produktit mjekësor “Lantus” (Insulinë)”.

Ndërmarrja e vetme nën hetim e cila operon në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të produktit mjekësor “Lantus” (Insulinë) (Lantus solostar) është Ndërmarrja “FUFARMA” SH.A, regjistruar si person juridik me Vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë nr. 12730, datë 06.11.1995, në formën e një shoqërie aksionare, me kapital 100% privat, me NIPT: J61825037N, me seli në: Rruga “Nikolla Zoraqi”, Ndërtesa 19, hyrja 1, Njësia Bashkiake nr.3, Tiranë; me objekt të aktivitetit: “Tregtim, import, eksport me shumicë dhe pakicë, grumbullim, shpërndarje, përpunim medikamente, material, bimë, lëndë të para, artikuj gjysmë të përpunuar, aparatura, paisje laboratorike farmaceutike, mjekësore, prodhim, ambalazhim, paketim, medikamente dhe material mjekësore”.

Nga të dhënat e grumbulluara gjatë monitorimit rezultoi se ndërmarrja “FUFARMA SH.A”, me aktivitet import, shitje me shumicë dhe pakicë të medikamenteve dhe pajisjeve mjekësore, zotëron pozitë dominuese në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të produktit mjekësor “Lantus solostar” (Insulinë glarkinë). Për shkak të dyshimeve në vendosjen e kushteve dhe detyrimeve shtesë për të blerë edhe medikamente të tjera mjekësore bashkë me produktin “Lantus solostar” nga ana e ndërmarrjes “FUFARMA SH.A”, sjellje e cila mund të përbëjë shkelje të nenit 9 të Ligjit nr. 9121, datë 27.03.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, të ndryshuar, u procedua me hapjen e hetimit paraprak në tregun e importit dhe shitjes me shumicë dhe pakicë të produktit mjekësor “Lantus” (Insulinë)”.

Produkti mjekësor “Lantus” (Insulinë)” është një produkt/bar e  regjistruar në RSH (e rimbursueshme) me emërtin tregtar “Lantus Solostar” me princip aktiv “Insuline Glargine solution 100 A10AE04 Nj.N/ml – 3 ml”, në formën “pre-filled pen”, me prodhues/fabrikues “SANOFI – AVENTIS DEUTSCHLAND GMBH –GJERMANI”.  Ky bar importohet në vend nga Ndërmarrja “FUFARMA” SH.A, e cila e tregton me shumicë barin te shpërndarësit farmaceutik dhe farmacitë/agjencitë farmaceutike të cilat kane kontratë me fondin e sigurimeve shëndetësore. Tregtuesit farmaceutikë me shumicë e kanë të ndaluar të ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit me pakicë të barnave. Shitja me pakicë e barnave kryhet vetëm nga farmacitë dhe agjencitë farmaceutike.

Tregu përkatës i produktit/barit është tregu i shitjes së barit me emër tregtar “Lantus Solostar” dhe emërtim kimik “Insulinë Glarkinë solution 100 Nj.N/ml – 3ml. Ky bar përfshihet në barnat e rimbursueshme dhe  jepet/shitet vetëm me recetë me përshkrim mjeku. Ky produkt futet në treg nëpërmjet importuesve, që në këtë rast është vetëm një ndërmarrje FUFARMA. Bari “Lantus Solostar” përdoret nga pacientët diabetikë, të cilët e përdorin në mënyrë periodike, pra është një bar me një treg pothuajse të garantuar, për shkak të domosdoshmërisë së përdorimit.

Sipas analizës së konkurrencës, tregu i shitjes së produktit “Lantus Solostar” përbëhet nga tregu i rrjedhës së sipërme që është tregu i importit dhe shitjes me shumice të këtij produkti nga ndërmarrja FUFARMA, e cila ka kontratë importi të  produktit me kompaninë mbajtëse të patentës dhe të prodhimit, që është  SANOFI – AVENTIS Groups. Pra, ndërmarrja FUFARMA është i vetmi importues dhe furnizues me shumicë, apo ndërmarrja e vetme në rrjedhën e sipërme të tregut.

Tregu i rrjedhës së poshtme përfshin shitjen e produktit nga farmacitë apo depot sekondare. Bazuar në legjislacionin në fuqi FUFARMA e shpërndan produktin Lantus solostar në rrjetin e farmacive që kanë kontratë rimbursimi me FSDKSH dhe që ua shesin pacientëve vetëm nëpërmjet recetës së rimbursueshme me përshkrim mjeku.

Vlerësimi i Pozitës Dominuese

Ndërmarrja FUFARMA, në bazë të kontratës së shitblerjes me mbajtësin e patentës dhe prodhuesin e vetëm SANOFI – AVENTIS, të produktit  “Lantur Solostar” është ndërmarrja e vetme që ka të drejtën e importit dhe të furnizimit me shumicë të produktit. Për pasojë ndërmarrja FUFARMA ka pozicion dominues në tregun e importit dhe shitjes me  shumicë të produktit apo barit me emërtim tregtar “Lantus Solostar” dhe  emërtim kimik Insulinë Glarkinë solution 100 Nj.N/ml – 3ml, bazuar në parashikimet e nenit 8 të Ligjit nr. 9121, datë 27.08.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar

Sjellja e Ndërmarrjes me Pozitë Dominuese

Autoriteti ka analizuar sjelljen e ndërmarrjes më pozitë dominuese FUFARMA.  Gjatë hetimit paraprak për të vërtetuar në se është abuzuar me “vendosjen e kushteve dhe detyrimeve” nga ana e ndërmarrjes më pozitë dominuese në tregun përkatës, u analizuan të gjitha  shitjet e kryera nga Ndërmarrja FUFARMA SH.A, në rrjedhën e poshtme të tregut për periudhën 1 Shtator 2015 – 30 Prill 2016.

Të dhënat e siguruara gjatë inspektimeve pranë ndërmarrjes FUFARMA, u morën në cilësinë e të dhënave të vlefshme për procesin e hetimit paraprak në tregun e importit dhe shitjes me shumicë dhe pakicë të produktit mjekësor “Lantus” (insulinë), kryesisht faturat e shitjeve dhe blerjeve për produktet “Lantus (Ins. Glargine) 100 UI /ml – 3ml” dhe “Enterogermina”.

Analiza e faturave të shitjes dhe blerjes së këtyre dy produkteve është kryer për periudhën 1 Shtator 2015 – 30 Prill 2016, kjo në përputhje me periudhën e hetimit të përcaktuar në Vendimin e Komisionit. Analiza  konsiston në krahasimin e të dhënave të tregtimit të dy produkteve dhe  verifikimin nëse ka ndonjë lidhje në faturën e shitjeve midis produktit “Lantus (Ins. Glargine) 100 UI /ml – 3ml” dhe produktit “Enterogermine”.

Analizimi i shitjeve të dy produkteve ne sasi dhe vlere “Lantus (Ins. Glargine) 100 UI /ml – 3ml” dhe “Enterogermina”

Analiza është fokusuar në ekzistencën e mundësisë së shitjes në mënyrë të shoqëruar të dy produkteve Lantus Solostar dhe Enterogermine,  pasi normat e marzhit të tregtimit të barnave mjekësore janë të përcaktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Nga krahasimi i të dhënave të sasive dhe vlerës së mallit të shitur të dy produkteve të sipërcituara vërehet se për periudhën nën hetim sasia totale e produktit “Lantus (Ins. Glargine) 100 UI /ml – 3ml” është 163,658 copë me një vlerë prej rreth 209,765 mijë lekë, dhe sasia e “Enterogerminës” është 38,803 copë me një vlerë prej 21,750 mijë lekë.

Pra, siç vërehet sasia dhe vlera e produktit “Enterogerminë”, për të cilin pretendohet se shitet i lidhur apo me kusht së bashku me Lantus Solostar është përafërsisht 10 % e sasisë dhe vlerës produktit mjekësor “Lantus (Ins. Glargine) 100 UI /ml – 3ml”.

Pra, në se do të vërtetohet pretendimi se ndërmarrja “FUFARMA SH.A” ka aplikuar kushte dhe detyrime gjatë shitjes së barit “Lantus solostar” atëherë sasia e shitur e enterogerminës do të ishte e barabartë ose disa herë më e madhe se sasia e “Lantus solostar”.

Nga analiza e sasive dhe vlerës së produkteve të shitur përkatësisht Lantus Solostar dhe Enterogerminë, nuk vërtetohet shitja me kushte dhe detyime e produktit “Lantus solostar”.

Nga analiza e shitjeve sipas datave, nuk arrihet të provohet se ka një lidhje midis shitjes së produktit Lantus Solostar dhe Enterogerminë, që të plotësojë kushtet për një shkelje të mundshme të nenit 9 të Ligjit nr.  9121, datë 28.07.2013 “Për mbrojtjen e konkurrencës” (i ndryshuar).

Gjithashtu, nga materialet e administruara gjate inspektimit, konkretisht nga krahasimi i “urdhër porosisë” dhënë magazinës së FUFARMES nga klientët me ane të telefonit, konkretisht u krahasuan urdhër porositë të cilët kishin produktin Lantus Solostar me shitjet e kryera ( së njëjtës datë dhe subjekt). U kontrollua shitja në se ishte shitur së bashku me Lantusin e porositur edhe Enterogrmina. Nga kontrolli dyfishtë i shitjeve sipas urdhër porosisë, nuk rezultoi (për rastet e shqyrtuara) që klienti i cili kishte porositur produktin Lantus, të ishte faturuar automatikisht me Enterogerminë.

Konkurrenca bën të ditur se pas vlerësimit të gjithë dokumentacionit të administruar gjatë procedurave hetimore në tregun e importit, shitjes me shumicë dhe pakicë të produktit mjekësor “Lantus” (Insulinë),  rezulton se nuk ekzistojnë evidenca, të cilat mund të përbëjnë indicie për një abuzim të mundshëm të ndërmarrjes FUFARMA SH.A në lidhje me ekskluzivitetin e produktit “Lantus Solostar” në tregun përkatës, duke mos u ndodhur para një shkeljeje të mundshme të Ligjit Nr. 9121, datë 28.07.2013 “Për mbrojtjen e konkurrencës” (i ndryshuar).

Si rrjedhojë, Autoriteti vendosi të mbyllë hetimin paraprak në tregun e importit,  shitjes me shumicë dhe pakicë të produktit mjekësor “Lantus” (Insulinë), pasi në përfundim të kësaj procedure hetimore nuk u konstatuan shenja të kufizimit të konkurrencës në këtë treg, për periudhën nën hetim.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button