Ekonomia

Krijimi i Bursës Shqiptare të Energjisë, Kim: Integrim ekonomik në Europë

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim vlerësoi sot se, krijimi i Bursës Shqiptare të Energjisë do të thotë integrim ekonomik në Europë.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar për nisjen e operimit të Bursës Shqiptare të Energjisë, Kim u shpreh se, “kjo është e rëndësishme sepse ndodhemi në një moment të rëndësishëm në zhvillimin strategjik të Shqipërisë dhe vendin e saj në Europë”.

“Kjo ka të bëjë me krijimin e një mundësie që Shqipëria, Kosova dhe rajoni të kenë stabilitet në furnizimin me energji, por edhe me çmimin e saj. Pra, ka lidhje me stabilitetin dhe sigurinë. Ka të bëjë gjithashtu me investimet si edhe me sigurimin që kompanitë nga e gjithë bota ta shohin Shqipërinë si një vend në të cilin të investojnë”, tha ajo.

Ambasadorja theksoi se, ka të bëjë po ashtu me integrimin.

“Ndërsa Shqipëria integron tregun e saj me Kosovën e shohim këtë edhe si një bazë për integrimin brenda Ballkanit Perëndimor si dhe që Ballkani Perëndimor të integrohet brenda Europës. Kjo është arsyeja pse është kaq i rëndësishëm ky projekt. Nënkupton një çmim më efikas të energjisë elektrike dhe përdorim efikas, të dhëna transparente dhe të besueshme të investitorëve në sektorin e energjisë, përfshi zhvilluesit e energjisë të rinovueshme, të cilët kërkojnë mundësi për të shitur në tregun e hapur”, tha ajo.

Por më e rëndësishmja, sipas ambasadores është se, “do të thotë integrim ekonomik në Europë”.

“Shqipëria do të ketë më shumë mundësi për t’u bashkuar me tregjet e energjisë elektrike të vendeve fqinje dhe për të tërhequr më shumë investime të huaja. SHBA kanë qenë shumë krenare të mbështesin ALPEX dhe USAID ka qenë aty në çdo hap të rrugës që nga ndihma në krijimin e Bursës së Energjisë deri tek trajnimi i personelit të ALPEX. Kur punojmë së bashku mund të arrijmë gjëra të mëdha”, tha ajo.

Ambasadorja theksoi se, “duam që Shqipërinë ta shikojmë partnerin tonë, që të rrisë aftësinë e saj në fushën e energjisë, duke forcuar klimën e investimeve dhe duke përkrahur lidhje më të ngushta me BE-në”.

“Ky bashkim tregu do të integrojë më tej Shqipërinë me tregun paneuropianë të energjisë duke hedhur bazat për rritjen e investimeve në energji të pastër dhe përmirësimin e sigurisë së energjisë. SHBA përmes USAID po punojnë me Shqipërinë dhe Kosovën për të transformuar tregjet e brendshme të energjisë për shkëmbime konkurruese dhe transparente me tregjet e tjera europiane. Kjo do të ndihmojë qytetarët dhe do të ketë më shumë furnizim me energji dhe me çmime më të mira. Lidhja e tregut Shqipëri-Kosovë do të ndihmojë të dyja vendet t’i bashkohen një tregu europian të energjisë elektrike, duke përmirësuar tregtimin e energjisë elektrike në gjithë kontinentin”, shtoi ambasadorja Kim.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button