Ekonomia

Mbarojnë efektet sezonale?! Rritet euro, arrin në nivelin më të lartë në një muaj

Euro ka shënuar rritje të fortë sot në raportet e këmbimit ndaj lekut, duke vijuar në këtë tendencë për të tretën ditë radhazi, teksa efektet sezonale duket se po shkojnë drejt fundit dhe monedha e përbashkët po ndikohet nga forcimi i saj në bursat ndërkombëtare.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye me ditën e sotme me 136.57 lekë, me një rritje ditore prej 0.32 lekësh, ndër më të lartat e këtij viti dhe duke arritur nivelin më të lartë që nga 18 korriku.

Sipas aktorëve të tregut dy janë arsye kryesore të zhvlerësimit të lekut.

Së pari, efektet sezonale po shkojnë drejt fundit. Fluksi masiv i turistëve që erdhi në javët e para të gushtit dhe rriti ofertën ka filluar të zbehet. Fillimi i shkollës në 1 shtator në Kosovë, ka bërë që turistët nga Kosova, që përbëjnë dhe numrin më të madh të fillojnë të largohen. Edhe emigrantët  gradualisht po e lënë vendin, pasi kaluan pushimet.

Së dyti, edhe në bursat ndërkombëtare, euro ka qenë e fortë në raport me dollarin. Të dhënat e dobëta mbi ekonominë amerikane po ndikojnë prej javësh mbi monedhën e gjelbër.  Indkesi i dollarit kundrejt një shporte prej 6 monedhash ra në 94.385, niveli më i ulët që nga 24 qershori, kur perspektiva e ekonomisë globale mori një goditje të fortë pas referendumit të Britanisë për të dalë nga BE.

Euro ishte 0.3 përqind më e lartë në $1.1320 EUR=, pasi kishte arritur në nivelin më të lartë të shtatë javëve prej $1.13285.

Aktorët e tregut vendas thonë se në tregun e brendshëm USD nuk mund të shkojë më poshtë se 120.5 lekë dhe kjo po shoqërohet me rritjen më të fortë të euros.

Në tregun vendas, dollari ra me 0.23 lekë në 120.77 lekë për një USD.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button