Kronika

Nis nga Farka konfiskimi i ndërtimeve pa leje, Balluku: 9 kate pa asnjë letër

Ka nisur operacioni i konfiskimit të kateve e të metrave shtesë të ndërtuara në shkelje të ligjit e të lejes së ndërtimit.

Zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte sot në zonën e Farkës, nga ku nisi ky operacion.

“Ndodhemi në Farkë. Ky është komunikimi i parë publik që ne po bëjmë për sa i përket vendimit që u mor me VKM dje. Është një VKM që ka të bëjë me ndërtimet pa leje ose shtesa mbi leje që do të konfiskohen dhe do të përdoren në të mirë publikut. Ky është një shembull pse kemi zgjedhur të vijmë në Farkë dhe të zgjedhim këtë ndërtese”, tha ajo.

Sipas Ballukut, godina e ndërtuar në Farkë është shembulli më flagrant, simbolikë e shkeljes së ligjit.

“Kemi 2 kate nëntokë dhe 7 kate mbi tokë, 9 kate ndërtim pa asnjë letër. Se si kjo ka ndodhur është një mister për ne, megjithatë ky proces nuk ka të bëjë vetëm me konfiskimin apo të gjitha veprimet e tjera që ne do t’i mundësojmë investitorëve që kanë shkelur ligjin, por ky aksion ka të bëjë edhe me hetimin e secilit për veprime që janë bërë apo jo nga institucionet që kanë për detyrë të mbrojnë territorin”, tha Balluku.

“Bazuar në VKM-në e dalë dje ka disa mundësi për këtë objekt. Mundësia e parë është që ky objekt pasi të verifikohet edhe nga inspektorët e IKMT-së të shikohet mundësia për prishjen e tij. VKM i jep edhe disa mundësi të tjera investitorit. Do t’i ofrojmë investitorit mundësinë që ai ta parablejë me çmim të tregut të indeksuar dhe paratë, nëse vendos ta parablejë, do të shkojnë në llogarinë e BSH-së për shpronësimet që ne do të kemi në projektin e ndërtimit të Unazës së Madhe”, tha Balluku.

Në variantin e dytë, ajo informoi se investitorit do t’i ofrohet që ta dhurojë këtë objekt dhe qeveria do ta përdorë për banesa sociale dhe për të akomoduar banorë që preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe.

“Në rastet e tjera mund të përdoret për zyra dhe ambiente shtetërore apo edhe për banesa sociale që prekin target grupe të tjera. Në të dyja rastet, edhe të dhurimit edhe të parablerjes, investitori që ka shkelur ligjin dhe ka ndërtuar këtë ndërtesë pa leje do të jetë i detyruar të paguajë gjobën, por do të ketë të drejtën e legalizimit të ndërtesës kështu që nuk do të ndiqet penalisht”, sqaroi Balluku.

Në rast se nuk do të pranojë as ta parablejë as ta dhurojë, Balluku theksoi se “atëherë kjo ndërtesë do të konfiskohet, investitori do të ndiqet edhe penalisht përveç gjobës që paguhet në të gjitha rastet”.

“Nuk është synimi ynë të konfiskojmë ndërtesa dhe të vëmë askënd në pozitë të vështirë, por synimi ynë është që të vendosim ligjin. Sundimi i ligjit është shumë i rëndësishëm. E kemi nisur nga Tirana por do të vijojë në çdo vend”, tha ajo.

Ministrja informoi se kjo zbatohet vetëm për ato ndërtesa që janë ndërtuar me qëllim fitimi.

“Nuk bëjnë pjesë në këtë aksion ato ndërtesa që janë të paligjshme, por qytetarët i kanë ngritur për veten e tyre, për të strehuar familjen. Këtë duhet ta sqarojmë që të mos ketë abuzime. I gjithë synimi i aksionit tonë është të dekurajojmë investitorët, zhvilluesit, pronarët e këtyre veprave. E pamundur që në 2022 të marrësh leje për 7 kate dhe ta bësh 15 kate, apo të mos marrësh leje fare dhe dhe të ndërtosh në mes të Tiranës një ndërtesë 9-katëshe pa pyetur për ligjin. Ligji është i barabartë për të gjithë, kështu që ne do të vijojmë me këtë aksion. Ne do ulemi tani për të negociuar me investitorin dhe t’i japim mundësinë që të ndjekë një nga këto variante”, tha Balluku.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button