Ekonomia

Ahmetaj: Në fund të Korrikut, tenderi ndërkombëtar për zonën e lirë ekonomike të Spitallës

“Në fund të muajit Korrik do të hapim konkursin ndërkombëtar për zonën e lirë ekonomike në Spitallë, që ka risi: të jetë dritare e vetme shërbimesh dhe lehtësira fiskale. Ne do ta bëjmë Shqipërinë dhe zonën një qëndër të manifakturës rajonale dhe pse jo, europiane”, u shpreh sot ministri i Zhvillimit Ekonomiik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj gjatë takimit me sipërmarrës në Tiranë të kandidatit të Aleancës për Shqipërinë Europiane për Bashkinë e Tiranës, Erjon Veliaj.
Për zhvillimin e zonës industriale të Spitallës është në dispozicion një sipërfaqe prej 500 hektarë. Zona do të funksionojë sipas ligjit të ri të sapomiratuar në Kuvend “Për zonat e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik”, i cili përfshin lehtësira të rëndësishme konkurruese ligjore dhe proceduriale, hartuar në bashkëpunim me Qendrën Ndërkombëtare për Zhvillim (CID) pranë Universitetit të Harvardit (SHBA).
Ligji parashikon lehtësi fiskale sipas praktikave më të mira ndërkombëtare në zonën e lirë industriale. Zhvilluesit dhe përdoruesit do t’u ulet 50% pagesa e normës së tatim-fitimit për 5 vitet e para. Ata që do të investojnë në zonë, brenda 3 viteve nga fillimi i veprimtarisë ekonomike, u njihen si shpenzime të zbritshme të periudhës tatimore, 20% e shpenzimeve kapitale vjetore, pavarësisht shumave të amortizimit sipas ligjit të tatim-fitimit për periudhën e parë 2-vjeçare.
Furnizimi i mallrave shqiptare për t’u vendosur në zonë, konsiderohen si furnizim për eksport me “zero” TVSH, do të përjashtohet projekti i zhvillimit nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, ndërsa ndërtimet aty do të përjashtohen nga taksa e pasurisë së paluajtshme për 5 vjet. Zhvilluesit ose përdoruesit e zonës përjashtohen nga taksa mbi kalimin e së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme. Shpenzimet për paga dhe kontributet shoqërore dhe shëndetësore që punëdhënësi paguan për punëmarrësin, njihen 150 % e vlerës gjatë vitit të parë fiskal të ushtrimit të aktivitetit.
Kostot e trajnimit të punonjësve në zonat teknologjike dhe zhvillimit ekonomik për efekt të llogaritjes së tatim-fitimit do të njihen si shpenzime të njohura në periudhë tatimore me dyfishin e vlerës për një periudhë 10-vjeçare nga fillimi i veprimtarisë ekonomike. Shpenzimet për kërkim shkencor dhe zhvillim do të njihen si shpenzime në dyfishin e vlerës për periudhën e parë 10-vjeçare nga fillimi i veprimtarisë. Gjithashtu, zhvilluesi i zonës ekonomike do t’i bëjë në një institucion të vetëm marrjen e licencave dhe lejeve, pasi do të realizohen të gjithë procedurat burokratike brenda zonës ekonomike.
Burime të MZHETTS bëjnë të ditur se puna vijon me dy zona të tjera në Koplik dhe Vlorë. Ministria ka shpallur publikimin për “shprehje interesi” për 3 zonat teknologjike dhe zhvillim ekonomik përvec Spitallës, si Vlorë, rreth 200 hektarë dhe 67 hektarë në Koplik, për të cilat ka nisur informimin për kompani të interesuara në botë, ku nga rreth 138 kompani, kanë shprehur interes kompani nga 42 vende.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button